Mundësi për një administrim më të mirë apo për shmangie dhe evazion tatimor?
Çdo legjislacion tatimor adresohet në ato drejtime që nuk e çojnë sjelljen e tatimpaguesve drejt shmangies dhe evazionit tatimor, me kujdesin që të arrihet shmangia e ndryshimeve të papritura drejt një ristrukturimi domethënës të shitjeve me shumicë, gjë që sjell pasoja për financat publike dhe për ekonominë? Në këtë kuptim, çdo paketë fiskale nuk nënkupton/do të thotë shmangie dhe evazion të menjëhershëm tatimor, për arsye se struktura tatimore, supozohet se projektohet, mendohet, administrohet dhe, juridikisht, do të interpretohet në një mënyrë të tillë që të sigurojë zvogëlimin e shfaqjes së një hapësire shumë të madhe ndërmjet bazës tatimore potenciale dhe asaj aktuale, për të vërtetuar se cilat janë mospërputhjet ndërmjet pamjes së jashtme të sistemit tatimor dhe asaj se si do të funksionojë në të vërtetë një paketë e tillë fiskale.
Në këtë kontekst, shmangia dhe evazioni tatimor përfaqësojnë forma (njëra ligjore dhe tjetra joligjore) për të zvogëluar në mënyrë të paligjshme detyrimet tatimore; për shembull, për të zvogëluar detyrimin për TVSH–në nëpërmjet deklarimit të zvogëluar të shitjeve dhe/ose deklarimit të rritur të blerjeve, ose për të zvogëluar tatimin mbi fitimin dhe të ardhurat personale, nëpërmjet deklarimit të zvogëluar të fitimeve dhe të ardhurave personale dhe rritjes së shpenzimeve të zbritshme.
Analiza ekonomike e paketës fiskale për vitin 2015, në lidhje me shmangien dhe evazionin tatimor, nënkupton faktin se pjesa më e madhe e tatimpaguesve do të shmangte dhe/ose të evadonte tatimet e lartpërmendura për arsye se tatimpaguesit do të jenë “të arsyeshëm”, për arsye se nuk ka gjasa që ato të kapen dhe të ndëshkohen.
Në këtë kontekst ngrihen pyetjet: Cilët janë ato tipare të një tatimi që nxisin mospërmbushjen e kërkesave të legjislacionit tatimor? Sa të rëndësishme janë mundësitë e nënkuptuara të shmangies dhe të evazionit tatimor në lidhje me përmbushjen e kërkesave të legjislacionit tatimor? Çfarë roli luajnë karakteristikat e tatimpaguesve? Cilët janë perceptimet e tatimpaguesve për drejtësinë e sistemit tatimor? Cilët janë perceptimet e tatimpaguesit në lidhje me kostot shoqëruese që ata t’i paguajnë tatimet? Cilat janë pasojat ekonomike dhe ato të barazisë së trajtimit të përmbushjes dhe mospërmbushjes së kërkesave të legjislacionit tatimor?
Në shumë kërkime të bëra deri kohët e fundit për t’u dhënë përgjigje pyetjeve të mësipërme, është gjetur se shmangia dhe evazioni tatimor rritet me rritjen e përqindjes tatimore dhe zbret/zvogëlohet në lidhje me nivelin e gjobave dhe mundësinë e rritur të kontrollit tatimor; pra, shmangia dhe evazioni tatimor janë më të ulët kur tatimet e mbledhura përdoren për të siguruar një të mirë publike, për arsye se vendimi për të shmangur dhe për të evaduar, ose për të mos e bërë një gjë të tillë, bëhet së bashku me vendimin se sa përpjekje bëhen nga biznesi për një veprimtari fitimprurëse.
Perceptimet e tatimpaguesve rreth shmangies dhe evazionit tatimor, si dhe në lidhje me drejtësinë e sistemit tatimor, kanë një influencë direkte mbi përmbushjen e kërkesave të legjislacionit tatimor të ndryshuar (tatimpaguesit që e perceptojnë shmangien dhe evazionin tatimor si mbizotërues dhe/ose që nuk është një krim jo domethënës, priren të jenë më pak përmbushës të kërkesave të legjislacionit tatimor). Në këtë kuptim, etika tatimore është besimi se ka një moral shumë të rëndësishëm që dikush duhet t’i përmbushë në mënyrë të paramenduar kërkesat e legjislacionit tatimor; pra, etika tatimore lidhet me vlerat themelore të tatimpaguesit dhe ka lidhje me drejtësinë shpërndarëse që e paraqit barrën tatimore duke e krahasuar me atë të njëjtëve tatimpagues të tjerë (term i njohur si drejtësia horizontale), ose e paraqit si barrë tatimore përgjatë grupeve të ndryshëm të tatimpaguesve (term i njohur si drejtësia vertikale): termi drejtësi këmbyese lidhet me vlerësimin e marrëdhënieve ndërmjet tatimeve të paguara dhe përfitimeve, si dhe shërbimeve që u ofron qeveria qytetarëve si përgjigje për tatimet e paguara prej tyre.
Sikundër mund të merret me mend shmangia dhe evazioni tatimor do të zvogëloheshin në qoftë se do të ekzistojë një besim më i madh tek institucionet shtetërore dhe tek administrata publike, me një drejtësi më të madhe të perceptuar dhe me një barazi të perceptuar të këmbimit fiskal (shërbime dhe përfitime qeveritare për tatimpaguesit kundrejt tatimeve të paguara). Pra, morali tatimor nuk është gjë tjetër veçse gatishmëria ligjore e një tatimpaguesi për të paguar tatimet, që lidhet me “etikën e tatimpaguesit”, ose më saktë me normat e sjelljes që qeverisin qytetarët si tatimpagues në marrëdhëniet e tyre me qeverinë; morali tatimor ndikohet nga natyra e këmbimit fiskal (përfitime dhe shërbime të qeverisë për tatimet e paguara nga tatimpaguesit), për arsye se kur qeveria u beson tatimpaguesve, kjo shpërblehet me besim më të madh të tatimpaguesve për qeverinë, gjë që përmirëson gjithashtu moralin tatimor. Megjithatë, për qytetarët, mospërmbushja e kërkesave të legjislacionit tatimor rezulton për arsye se ata nuk binden se përmbushja e kërkesave të legjislacionit tatimor është pikërisht një detyrim qytetar, për arsye se sjellja e paarsyeshme e ligjvënësve gjeneron rezistencë për të përmbushur kërkesat e legjislacionit tatimor, mungesë respekti për qytetarët dhe refuzim arbitrar për të marrë në konsideratë shqetësimet e tyre në procesin e masave shtrënguese.
Në këto rrethana përgjigjja e tatimpaguesit do të jetë respekti i dobësuar për sa i përket përmbushjes së kërkesave të legjislacionit tatimor. Mospërmbushja e kërkesave të legjislacionit tatimor mund të interpretohet si shprehje e rebelimit të tatimpaguesve kundër veprimeve me masa shtrënguese të administratës tatimore, ose kundër një legjislacioni tatimor që perceptohet si jo legjitim.
Por si prezantohet të tatuarit në mendjet e tatimpaguesve?
Një përqindje e madhe e tatimpaguesve e perceptojnë legjislacionin tatimor si shumë kompleks; pra, legjislacioni tatimor dhe tatimi në përgjithësi vlerësohen negativisht dhe mungon gatishmëria për të përmbushur kërkesat e legjislacionit tatimor, ndërkohë që nga ana tjetër, nganjëherë, administrimi i legjislacionit tatimor është i dykuptimtë për shkak të rregulloreve të paqarta, gjë që bën që tatimpaguesit ta gjejnë atë të vështirë për të përgatitur deklaratat e tyre tatimore në mënyrë të saktë. Ata e perceptojnë kompleksitetin e legjislacionit tatimor dhe dykuptimësinë e tij si shkak për evazionin tatimor dhe për këtë arsye, sistemi tatimor ka pak legjitimitet dhe prospekte të zvogëluara për arritjen e përmbushjes së kërkesave të legjislacionit tatimor me vullnet të mirë, veçanërisht, në qoftë se një legjislacion i tillë lejon që administrata tatimore t’i trajtojë dosjet tatimore në mënyrë të paqëndrueshme, gjë që rrit përqindjen e veprimtarisë së ekonomisë në hije.
Morali tatimor shërben si shpjegim në lidhje me përqindjet e përmbushjes së kërkesave të legjislacionit tatimor; përmbushja e kërkesave të legjislacionit tatimor udhëhiqet nga kontrata psikologjike tatimore ndërmjet qytetarëve dhe administratës tatimore, ose nga mënyra se si kjo administratë i trajton tatimpaguesit, gjë që e ndikon moralin tatimor të tatimpaguesve dhe gatishmërinë e tyre për të paguar; marrëdhëniet ndërmjet tatimpaguesve dhe administratës tatimore mund të modelohen si një kontratë e nënkuptuar ose lidhëse, e cila përfshin gjithashtu lidhje të forta emocionale dhe besnikërie; për shembull, në qoftë se administrata tatimore përdor gjobë për shkelje të vogla, një gjobë më e madhe e rrit shmangien dhe evazionin tatimor, për arsye se perceptohet se është shumë ndërhyrëse në punët e biznesit të tatimpaguesve.
Në qoftë se administrata tatimore zgjedh ndëshkimin për mashtrim ose shkelje madhore, atëherë një gjobë më e madhe dhe sidomos kërcënimi për dënim me burg nuk e zvogëlon evazionin tatimor për arsye se e bën të qartë se është vënë bast mbi bazën e kontratës psikologjike tatimore, ndërsa dhënia tatimpaguesve e disa tipe dhurimesh/shpërblimesh për të qenë një tatimpagues i mirë (për shembull, lotaria me short fitues mbi bazën e kuponit tatimor) perceptohet si mbështetëse dhe priret të forcojë dhe të rrisë moralin tatimor; mënyra e dhurimeve që u jepen tatimpaguesve “të mirë” është thelbësore për efektet e saj.
Dëshmi nga neuroshkenca mbështesin fort lidhjen e dhurimeve të paparashikuara, që ndikojnë shumë më fort sjelljen në drejtime të parashikuara, gjë që tregon se trajtimi i tatimpaguesve me respekt të plotë, procedura tatimore transparente dhe të qarta të përdorura nga inspektorët e kontrollit tatimor në kontaktet e tyre me tatimpaguesit, trajtimi i tatimpaguesve si partnerë të një kontrate në vend të trajtimit si inferiorë (vartës) në marrëdhënie hierarkie, janë faktorë nxitës për përmbushjen e kërkesave të legjislacionit tatimor dhe një aspekt shumë i rëndësishëm në lidhje me përmbushjen e kërkesave të legjislacionit tatimor, ose në të kundërtën e tyre, lidhen me shmangien dhe evazionin tatimor, ose barrën totale të përmbushjes së kërkesave të legjislacionit tatimor dhe atë të administrimit të shpenzimeve qeveritare.
Kostot që duhet të llogarisin aktualisht tatimpaguesit janë tejet më të mëdha krahasuar me shumat neto të tatimeve të mbledhura nga administrata tatimore dhe, në thelb, (për shembull) tatimpaguesve u duhet të paguajnë më shumë se sa 100 lekë për qëllime të përfitimeve të qeverisë për të marrë 100 lekë shërbime nga qeveria, për arsye se para se tatimpaguesit të paguajnë detyrimin e tyre tatimor, ata duhet të shpenzojnë kohë për të mbledhur të dhënat, për të organizuar dosjet, “për të notuar në detin” e kërkesave të legjislacionit tatimor, për të përcaktuar në mënyrë shumë të saktë sa është detyrimi i tyre tatimor; përveç kësaj tatimpaguesve u duhet të blejnë produkte dhe shërbime të tillë si programe kompjuterike për kontabilitetin, që i ndihmon ata për të përcaktuar detyrimin e tyre tatimor dhe, së fundi, tatimpaguesve u duhet të paguajnë edhe për kostot e administratës tatimore për të mbledhur tatimet me masa shtrënguese.
Tatimpaguesve u duhet të paguajnë gjithashtu për shërbimet që ata sigurojnë nga llogaritarët, ekspertët kontabël, juristët dhe të tjerë, infrastrukturë kjo që përdoret për të optimizuar detyrimin e tyre tatimor për biznesin; tatimpaguesit ndryshojnë sjelljen e tyre për t’iu përgjigjur kërkesave të politikave tatimore, duke përdorur ekspertë për të minimizuar detyrimet e tyre tatimore; kostot e eficencës që rezultojnë nga shmangia dhe evazioni tatimor janë të vështira për t’u llogaritur në mënyrë sasiore në para, por mund të jenë kostot më të mëdha nga të gjitha kostot e parapërmendura. Në këtë kontekst, ligji i procedurave tatimore në Republikën e Shqipërisë ka, veçanërisht, një nen për komitetin (ose këshillin) e tatimpaguesve që, si një nga detyrat kryesore, është dialogu në lidhje me zvogëlimin e këtyre kostove, ndërkohë që shoqatat përfaqësuese të biznesit kanë shprehur shumë shqetësime dhe ankesa në lidhje me paketën fiskale, gjë që ngre pyetjen: A janë menduar nga Ministria e Financave mundësitë për shmangie dhe evazion tatimor që mund të krijojë kjo paketë fiskale jo e pranuar me vullnet të mirë nga tatimpaguesit? NO COMMENT! Së fundi, por për nga rëndësia e para, a mund të futen në burg të gjithë tatimpaguesit që nuk lëshojnë kuponin tatimor? Sepse ia vlen të kujtohet një thënie e Presidentit Ronald Reagan “Historia tregon se kur tatimet e një kombi përafrojnë rreth 20% të të ardhurave të njerëzve, këtu fillon të jetë mungesa e respektit për qeverinë … Kur arrin në 25%, këtu vjen rritja e paligjshmërisë”. Pra, ligjvënësi duhet të veprojë si bleta, që e mbledh mjaltin pa i shkaktuar dhimbje bimës.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.