EDITORIAL MONITOR 788 / Pas thirrjes së kryeministrit të ri të mandatuar, Rama, që shqiptarët t’i bashkohen qeverisjes së tij, duke propozuar prioritetet e “shtetit të ri” të rilindjes, megjithëse ishte e pritshme natyra e rekomandimeve, mbetëm të çuditur nga përjashtimet. Të premten, zoti Rama, renditi në Facebook-un e tij 10 prioritetet që lidheshin me drejtësinë, arsimin, bujqësinë, administratën etj. Por në këtë listë nuk ishte në asnjë germë çështja e integrimit në BE?!!
Ndoshta stafi i kryeministrit ka bërë lapsus, kur ka qëmtuar komentet. Ndoshta integrimi zë pak peshë specifike në rendin e nevojave të përditshme. Ndoshta shqiptarët nuk besojnë se integrimi do të ndodhë shpejt. Çdo hamendësim mund të jetë i vërtetë, por që shqiptarët të kenë hequr dorë nga aspirata shekullore, më e sinqertë dhe më e patjetërsueshme për t’u bërë pjesë e familjes së madhe europiane, të vë në mendime për atë së çfarë mund të ketë ndodhur në psikikën tonë të përzgjedhjes.
Gjatë fushatës elektorale, qytetarët shqiptarë u ballafaquan me modele të republikës, që iu shfaqej si republikë e re, herë si rilindje e herë si republikë e shanseve për të gjithë. Të tria të ndryshme e pa të përbashkëta, edhe pse kemi vetëm një Kushtetutë, vetëm një qeveri e vetëm një Parlament, që na përfaqëson të gjithëve. Por, tani që rezultati u lexua nga të gjithë, po vërejmë se nuk paskemi votuar për shtetin e as për republikën, por për diçka tjetër.
Megjithëse rilindja në fushatë ishte veshur me tuta dhe nuk kishte asnjë program qeverisje, shqiptarët i dhanë të vetmen gjë që kërkoi: pushtetin absolut për të qeverisur e vetme. Lideri i saj, zoti Rama, hyri në fushatë i sulmuar nga të gjitha anët politikisht, si nga aleatët, nga anëtarë brenda familjes së tij politike ashtu edhe nga opozita. Me barrën e një qeverisjeje me probleme ai zgjodhi t’iu ofrojë shqiptarëve veten si lider, që nuk ka faj për gjërat që shkuan keq, por gjithë të tjerët që kërkonin copa nga tepsia e pushtetit. Rezultati tregoi se vota e shqiptarëve shkoi për të sanksionuar edhe të vetmin fituesin dhe zoti Rama tani ka në dorë gjithçka që ai kërkoi.
Nga ana e tjetër, themelet e republikës së re të demokratëve u shkërmoqën nga humbja më e madhe në historinë e saj, duke u futur në një krizë politike përfaqësimi. Kriza në këtë parti kishte nisur që më herët, me modelin dhe rrugën që zgjodhi zoti Basha. Zërat kundër tij, teksa e njësoi fytyrën e republikës së re me imazhin e tij, thonë se ky model u bazua mbi lista që buronin nga lidhje familjare të ngushta. Ndaj vota e demokratëve, që në shumicë refuzuan, tingëllon sot jo si votë për republikën, por si votë për të pranuar ose për të përjashtuar liderin brenda tyre.
Ndërkohë LSI e mbështeti fushatën vetëm tek Ilir Meta. Ai hoqi kostumin e presidentit të sapozgjedhur, për të shpëtuar partinë nga dalja në opozitë. Por retorika politike e Metës, që e pa veten të kryqëzuar nga ata që dikur i vlerësonte, ishte më e fortë, pasi kalimi në opozitë ishte shqetësimi më i madh për këtë parti, sesa programi. Ndaj dhe vota për të ose kundër saj lidhej me fatin politik të liderit. Dhe kur pas zgjedhjeve, pushteti i partisë i kaloi bashkëshortes së presidentit të ri, u bë edhe më i qartë qëllimi se vota pro ose kundër këtij subjekti nuk lidheshin me modelin e shtetit por trashëgiminë dhe fatet e fronit të familjes.
Prandaj fushata e këtyre zgjedhjeve nuk kishte përmbajtje, por vetëm fasadë, sepse teksa iu kërkonin votën shqiptarëve, liderët nuk mendonin fatin e Shqipërisë katër vitet e ardhshme, por fatin e tyre politik.
Për këto arsye mendojmë se zgjedhjet e kësaj here, nuk ishin për qeverisje, por për të gjetur prijësit, duke menduar keq se prej tyre vijnë të mirat. Por princër nuk ka në republikë, por vetëm në principatat, që ndërtohen nga ‘uni’ dhe ofiqet e familjes e që më të rëndësishme ka emblemat e flamujt. Ndaj nuk është ende vonë të reflektojmë për ato që kërkojmë dhe të mos harrojmë se rruga jonë e përbashkët kalon përmes aspiratës për të qenë pjesë e familjes europiane.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.