“Mos i vendosni të gjitha vezët në një shportë”, është një nga parimet kryesore që të mësojnë në lëndën e ekonomisë, veçanërisht në trajtimin e konceptit të administrimit të rrezikut.
Ideja e kësaj shprehjeje është që, nëse shporta bie, të gjitha vezët do të thyhen, duke e shtuar kështu humbjen. Prandaj diversifikimi është mënyra më e mirë për të minimizuar rrezikun dhe për të reduktuar humbjet. Praktikisht, i njëjti parim zbatohet dhe në fusha të tjera.
Por, qeverisë shqiptare i pëlqen që ta ketë të gjithë kontrollin në një dorë, sepse prej kohësh ka adoptuar sjelljen “të gjitha përfitimet vetë”, por “humbjen dhe fajin e bartin të tjerët (lexo: populli)”.
Kjo sjellje po shfaqet edhe në rastin e e-Albania-s, platformës së qendërzuar të ofrimit të shërbimeve elektronike për qytetarët, bizneset dhe administratën publike.
Përkundrejt idesë së saj fillestare, që ky sistem të ishte një ndërfaqe dhe të gjitha sistemet funksionale të mbaheshin në çdo institucion, çka do të minimizonte shkallën e humbjeve apo të dëmit të pësuar nga një sulm kibernetik, u preferua përqendrimi i informacionit në një dorë.
Nga viti 2017, Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI) u bë pronar i vetëm, pa asnjë lloj mbikëqyrjeje, i shtetit dixhital. AKSHI u bë edhe politikëbërës, edhe hartues projektesh, edhe prokurues, edhe zbatues, edhe auditues, duke shmangur kështu çdo ndarje funksionale të nevojshme për të ndërtuar kontrollet, konfliktet e interesave dhe duke ruajtur ekuilibrat vendimmarrës, e duke komprometuar, në mënyrë jashtëzakonisht të rëndë, sigurinë e të dhënave dhe të funksionimit të frontit të shërbimeve të administratës shtetërore.
Në harkun e një viti, të dhënat sensitive të qytetarëve dhe dokumenteve qeveritare, që administrohen nga AKSHI, kanë rrjedhur shpeshherë.
Fillimisht, një listë me të dhëna sensitive të qytetarëve të Tiranës u publikua në prag të zgjedhjeve të vitit 2021, më pas një listë me pagat e dy muajve të ndryshëm, më tej targat e automjeteve dhe së fundmi, një sulm i gjerë që erdhi nga jashtë duket se ka përvetësuar një seri dokumentesh të rëndësishme, me përmasë ende të panjohur.
Ekspertët e kontaktuar nga “Monitor” thanë se përqendrimi ka sjellë vështirësi në menaxhimin e informacionit dhe e bëri sistemin të brishtë ndaj sulmeve kibernetike, si ky i ditëve të fundit, që detyroi qeverinë të mbyllte e-Albania plotësisht për disa ditë.
Pasojat e këtij sulmi ende nuk janë bërë të qarta dhe publike, nuk dihet nëse janë rikuperuar të gjitha të dhënat, nëse do të arrijnë të rikuperohen, sa dokumente kanë humbur në mënyrë të pakthyeshme dhe mbi të gjitha, nëse në dorë të hakerave kanë rënë informacione sensitive që do të cenonin rëndë sigurinë kombëtare dhe mbarëvajtjen e përgjithshme të shumë shërbimeve jetike, apo edhe fatet individuale të qytetarëve apo bizneseve.
Kur kanë kaluar dy javë nga sulmi kibernetik, ende shumë shërbime janë jashtë funksioni. Bizneset e kanë pothuajse të pamundur të hapin një aktivitet të ri, të çelin llogari bankare (marrja e një ekstrakti është e pamundur nga Qendra Kombëtare e Biznesit), janë bllokuar aplikimet bankare për regjistrimin e kontratave të hipotekimit.
Dorëzimi i bilanceve, për vonesat e të cilit gjoba këtë vit është rritur në 60 mijë lekë, ishte i bllokuar për disa ditë dhe sërish subjektet po përballen me vështirësi. Subjektet që bëjnë aktivitete eksporti ankohen se e kanë të pamundur të fiskalizojnë certifikatat doganore dhe nuk po arrijnë të gjejnë një zgjidhje se si të vazhdojnë me procedurat.
Praktikisht “shteti dixhital” ka rënë. Kjo ndodh vetëm pak javë pasi kryeministri i vendit u bëri presion bankave, se pse ato nuk po u bashkoheshin revolucionit dixhital të qeverisë dhe modelit të saj të suksesshëm.
Edhe pse asnjë sistem, privat apo shtetëror, nuk është imun ndaj sulmeve, përfundimi që nxjerrim nga sulmi i kryer ndaj AKSHI-t është se, nga ana teknike, nuk kemi të bëjmë aspak me një model suksesi, pa filluar të analizojmë se me çfarë kosto për financat publike është ngritur një model i tillë.
Por kjo ngjarje duhet të na shërbejë të gjithëve si një mësim i mirë, që siguria e informacionit është diçka që nuk duhet marrë lehtë dhe trajtuar në funksion axhendash centralizuese e prokuruese.
Nuk ka asnjë dyshim që zhvillimet teknologjike janë të mirëpritura. Koncepti i qeverisë dixhitale përfaqëson një ndryshim thelbësor në mënyrën se si qeveritë në mbarë botën po përqafojnë misionin e tyre. Por, kjo rendje nuk duhet të kthehet në një qëllim në vetvete.
Ajo duhet të ecë paralelisht me zhvillimin e vendit dhe mbi të gjitha, duhet t’u garantojë qytetarëve dhe bizneseve sigurinë e të dhënave të tyre dhe shërbime të pandërprera. Gjithnjë e më shumë po bëhet e qartë (jo vetëm në rastin e e-Albania-s) që qeveria e sotme po preferon që t’i përqendrojë të gjitha në një dorë, por këshilla jonë është: Kujdes! Sepse nëse diçka thyhet, do të jetë shumë e vështirë që të mblidhen copat!
Tashmë administrimi i informacionit të shtetit shqiptar, me të gjithë institucionet dhe subjektet e tij, nevojitet të jetë përparësi dhe të trajtohet me konceptin e “sovranitetit dixhital”.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.