Me rritjen e rëndësisë së kapitalit intelektual, privilegji është kthyer gjithmonë e më shumë në trashëgimi
Kur kandidatët për emërimin presidencial republikan do të radhiten në skenë për debatin e tyre të parë në gusht, mund të ketë tre pretendentë, baballarët e të cilëve do të kandidojnë gjithashtu për president. Cilido që fiton mund të përballet me bashkëshorten e një ish-presidenti vitin e ardhshëm. Është e çuditshme që një vend i themeluar mbi parimin e armiqësisë ndaj statusit të trashëguar të jetë aq tolerant ndaj dinastive. Duke qenë se Amerika kurrë nuk ka pasur mbretër apo lordë, ajo ndonjëherë duket më pak e prirë për t’u shqetësuar rreth shenjave që ‘po kalcifikon’ elita e saj, shkruan The Economist.
Thomas Jefferson vuri në dukje dallimin midis aristokracisë natyrore të personave të virtytshëm dhe të talentuar, që përbënte bekim për një komb dhe aristokracisë artificiale e bazuar në pasuri dhe lindje, e cila, dalëngadalë, do ta mbyste atë. Vetë Jefferson ishte një hibrid i këtyre dy llojeve – një avokat i shkëlqyer, i cili ka trashëguar 11,000 hektarë dhe 135 skllevër nga vjehrri i tij – por dallimi dëshmoi i qëndrueshëm.
Kur baronët grabitës akumulonin pasuri që bënin xhelozë krerët europianë, kombinimi i vetë filantropisë së tyre, shpenzimet e tepruara të fëmijëve të tyre dhe ligji i konkurrencës federale nënkuptonte se amerikanët nuk e zbuluan kurrë se si është të jetosh në një vend ku, elita mund të riprodhojë në një mënyrë të besueshme veten.
Tani ata kanë filluar ta kuptojnë, sepse të pasurit e ditëve të sotme gjithmonë e më shumë u trashëgojnë fëmijëve një pasuri që nuk mund të shpenzohet brenda pak netësh në një kazino. Ajo është shumë më e dobishme se pasuria dhe e paprekshme ndaj taksës së trashëgimisë. Është vetë truri.
‘Përshtatjet’ e bëra në New Haven
Kapitali intelektual drejton ekonominë e njohurive, kështu që ata që zotërojnë shumë prej tij, sigurojnë një ‘fetë të mirë të tortës’. Dhe ajo është gjithmonë e më e trashëgueshme. Shumë më tepër se në gjeneratat e mëparshme, meshkuj të zgjuar, të suksesshëm, martohen me femra zgjuara, të suksesshme. Një ‘çiftim i tillë selektiv’ rrit pabarazinë me 25%, sipas një vlerësimi, duke qenë se familjet me dy të diplomuar, në mënyrë tipike, gëzojnë dy burime të mëdha të ardhurash. Çiftet e fuqishme ngjizin fëmijë të shkëlqyer dhe i rrisin në një atmosferë të qetë – vetëm 9% e nënave të arsimuara në kolegj që lindin çdo vit janë të pamartuara, krahasuar me 61% të femrave që e kanë lënë shkollën e mesme.
Ato i stimulojnë ata në mënyrë rigoroze: fëmijët e profesionistëve dëgjojnë 32 milionë fjalë më shumë në moshën katërvjeçare sesa ata të prindërve në mirëqenie. Ata lëvizin në lagjet e shtrenjta me shkolla të mira, shpenzojnë para në mësimet e flautit dhe shfrytëzojnë influencën e tyre për t’i çuar të rinjtë në një kolegj të nivelit të lartë.
Universitetet e elitës amerikane kërkojë rekrutë të talentuar nga të gjitha përkatësitë dhe fëmijët e zgjuar të varfër që dalin me sukses në Ivy League (konferencë kolegjiale atletike që përfshin ekipe sporti nga tetë institucione private të arsimit të lartë në SHBA) mund të përfitojnë nga eliminimi i plotë i tarifave.
Por nxënësve të klasës së mesme iu duhet të grumbullojnë borxhe të mëdha për të marrë pjesë në kolegj, veçanërisht në qoftë se ata duan një diplomë pasuniversitare, e cila aktualisht kërkohet nga shumë vende pune. Lidhja midis të ardhurave të prindërve dhe suksesit akademik të fëmijës është rritur edhe më shumë, teksa njerëzit më të zgjuar bëhen më të pasur dhe investojnë në tutorin e vajzës së tyre, dhe arsimi ka fituar rëndësi më të madhe sesa dikur, për shkak se është rritur kërkesa për inteligjencë.
Një i ri i diplomuar në kolegj fiton 63% më shumë se një i diplomuar i shkollës së mesme, në qoftë se të dy punojnë me kohë të plotë. Për ata në krye të ‘grumbullit’, ‘zhvendosja’ nga universitetet më të mira drejt e në punët më të mira, shpërblimet potenciale janë më të mëdha se sa kanë qenë ndonjëherë.
Asnjë nga këto nuk është specifike për Amerikën, por trendi është më i dukshëm atje. Kjo ndodh pjesërisht për shkak se hendeku mes të pasurve dhe të varfërve është më i madh se kudo tjetër në botë – një problem për të cilin Barack Obama ka aluduar në mënyrë të përsëritur gjatë fjalimit të tij për shtetet e bashkimit më 20 janar. Një situatë e tillë ekziston edhe për shkak se sistemi i tij i arsimit favorizon personat e kamur më shumë se kudo tjetër në botën e pasur.
Falë financimit adresuar ndaj një komuniteti të mirëpërcaktuar, Amerika është vetëm një nga tre vendet e zhvilluara ku qeveria shpenzon më shumë në shkollat në zonat e pasura sesa në ato të varfra. Tarifat e saj universitare janë rritur 17 herë më shpejt se të ardhurat mesatare që nga 1980, pjesërisht për të paguar burokracinë e pakuptimtë dhe ndërtesat që bien shumë në sy. Dhe shumë universitete favorizojnë fëmijët e nxënësve të diplomuar aty gjatë pranimeve në to.
Facilitete për parashkollorë, jo për të ‘dënuar’
Zgjidhja nuk është që të dekurajojë njerëzit e pasur për të investuar te fëmijët e tyre, por për të bërë shumë më tepër në ndihmë të fëmijëve të zgjuar, të cilët nuk kanë pasur fatin për të pasur prindër pasanikë. Momenti për të nisur është fëmijëria e hershme, kur truri është më i epshëm dhe lloji i drejtë i stimulimit ka efektin më të madh. Nuk ka zëvendësim për prindërit, të cilët u flasin dhe u lexojnë fëmijëve të tyre, por institucionet e mira për parashkollorët mund të ndihmojnë shumë, veçanërisht familjet më problematike; dhe Amerika regjistron rezultate fare të dobëta sipas standardeve ndërkombëtare.
Përmirësimi i kujdesit të hershëm të fëmijëve në lagjet më të varfra amerikane do të rezultonte në rritje të konsiderueshme të të ardhurave; ekzistojnë pak investime të tjera qeveritare që do të ‘shpërblenin’ kaq mirë.
Shumë shkolla janë në kthetrat e një prej forcave më të mëdha antimeritokratike në Amerikë: unionin e mësimdhënësve, i cili i reziston çdo sugjerimi se mësimdhënia e mirë duhet të shpërblehet apo mësuesit e këqij duhen pushuar. Për ta rregulluar këtë, dhe skandalin e financimit të pabarabartë, sistemi duhet të bëhet njëkohësisht më shumë dhe më pak lokal. Financimi për nxënës duhet të përcaktohet në nivel shteti dhe të priret për të favorizuar të varfrit.
Dollari duhet të ‘ndjekë’ nxënësit, përmes një zgjerimi të madh të skemave të kuponëve apo ‘school charter’ (shkolla që përfitojnë fonde publike, por operojnë individualisht). Në këtë mënyrë, do të rritet numri i shkollave të mira që tërheqin më shumë nxënës; ato të këqijat do të mbyllen apo do të blihen. Sindikatat dhe aleatët e tyre të Partisë Demokratike do të ‘vajtojnë’, por eksperimente në qytete të tilla si New Orleans, ‘i goditur vazhdimisht’, kanë dëshmuar se zgjedhja e shkollave funksionon.
Së fundi, universiteteve të Amerikës u duhet një injeksion meritokracie. Vetëm një pjesë e vogël, si Caltech, pranojnë aplikantë bazuar vetëm në merita akademike. Por kjo është diçka që duhet bërë nga të gjithë. Dhe kolegjet duhet të përpiqen shumë për të ofruar vlerë kundrejt parave. Me kurse më të lira në internet që po fitojnë ‘vrull’, institucionet tradicionale duhet të reduktojnë shpenzimet apo ‘të vdesin’. Shteti mund të vijë në ndihmë, duke kërkuar më shumë transparencë nga universitetet rreth të ardhurave që të diplomuarit fitojnë nga diplomat e tyre.
Modifikimi i lidhjes midis lindjes dhe suksesit do ta bënte Amerikën më të pasur – aktualisht ajo po humbet shumë talent. Një lëvizje e tillë do të mund ta bënte vendin edhe më koheziv.
Nëse amerikanët dyshojnë se loja është e manipuluar, ata ka të ngjarë të joshen të votojnë për demagogë të djathtë apo të majtë – veçanërisht nëse alternativa është një tjetër Clinton apo një tjetër Bush.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.