Nënshkruhet një memorandum bashkëpunimi mes ministrit të Mirëqenies Sociale Erion Veliaj dhe Drejtorit të Bordit të Fondacionit Shqiptaro – Amerikan për Zhvillim (AADF) Michael Granoff, i cili synon promovimin dhe thellimin e edukimit të të rinjve me aftësi për sipërmarrjen.
Pas nënshkrimit të memorandumit, në ambientet e shkollës së Hoteleri – Turizmit, ministri Veliaj vlerësoi si tepër të rëndësishme ndihmën që jep fondacioni amerikan në drejtim të arsimit professional, duke theksuar se falë këtyre projekteve i jepet mundësi të rinjve që të kuptojnë më mirë rëndësinë e të marrit të një profesioni apo zanati, si një mundësi për një të ardhme më të sigurtë. “Kjo marrëveshje është jashtëzakonisht e rëndësishme për ne pasi lidhet me futjen e kurseve të biznesit në shkollat tona profesionale, çka i bën ato më të zhdërvjellta në çështjet e sipërmarrjes. Ne kemi patur një vit fantastik, pasi regjistrimet në shkollat profesionale u rritën me 40%, çka do të thotë se publiku e ka kuptuar mesazhin se arsimi profesional është e ardhmja”, u shpreh z. Veliaj.
Ndërkaq, Drejtori i Bordit të AADF-së, z. Granoff vlerësoi programin e ndihmës në fushën e arsimit profesional duke theksuar se modeli që kërkohet të aplikohet ka sjellë rezultate të mira. “Arsyeja pse na pëlqen ky program është se ne mendojmë se nëse nxënësve u ofrojmë arsimim ekonomik apo në termat e biznesit, atëherë kjo automatikisht sjell rritje ekonomike dhe jetesë më të mire”, tha z. Granoff.
Marrëveshja në fjalë e vë theksin te rëndësia e të nxënit përmes praktikave ushtrimore dhe vjen në vazhdimësi të programit “Junior Achievement”.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.