Debati ‘ndizet’ mbi objektivat që bota duhet t’i vërë vetes për 2030
“Jeta e njerëzve në vendet e varfra do të përmirësohet më shpejt në 15 vitet e ardhshme se sa në çdo kohë tjetër në histori. Dhe jeta e tyre do të përmirësohet më shumë se e kujtdo tjetër. “Këto janë parashikimet e Bill dhe Melinda Gates në raportin e tyre vjetor, publikuar më 22 janar. Filantropët e pasur presin që norma e vdekshmërisë foshnjore të përgjysmohet deri në vitin 2030, nga një fëmijë në 20 që vdes përpara se të arrijë moshën 5-vjeçare në 1 në 40. Ata gjithashtu parashikojnë zhdukjen e poliomielitit dhe ndoshta të tre sëmundjeve të tjera vdekjeprurëse. Përmirësimet në bujqësi nënkuptojnë se Afrika do të jetë në gjendje të vetushqehet.
Siguria financiare do të përmirësohet teksa 2 miliardë njerëz që nuk kanë llogari bankare po fillojnë të depozitojnë para dhe të kryejnë pagesa me celular. Dhe kurset e përballueshme online do të hapin mundësi të mëdha edukative për njerëzit e varfër, sidomos vajzat.
Megjithatë raporti thotë çuditërisht shumë pak në lidhje me iniciativën e Kombeve të Bashkuara, që ka për qëllim t’i bëjë realitet parashikime të tilla: ‘Sustainable Development Goals’ (Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm) për të cilat pritet që të bien dakord liderët botërorë në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së në shtator. Gate-sat janë tifozë të mëdhenj të Objektivave të Zhvillimit të Mijëvjeçarit, të cilat SDGs do t’i zëvendësojë, duke i përshkruar ata në raportin e tyre si “një nga idetë më të mira për zhvillimin që askush nga ne nuk ka parë ndonjëherë”.
Disa prej tetë MDG-ve janë arritur brenda afatit të këtij viti, duke përfshirë përgjysmimin e numrit të njerëzve që jetojnë në varfëri ekstreme. Hapa të mëdha janë bërë në shumë drejtime të tjera, të tilla si përgjysmimi i numrit të njerëzve të uritur. Një nga pikat e forta të MDG-ve qëndronte në faktin se kishte vetëm disa prej tyre (8 qëllimet përfshinin vetëm 18 objektiva) dhe ata ishin shumë të qartë për të qenë një bazë për veprim.
Kjo është në kontrast me SDGs, nga të cilat janë propozuar vetëm 17, me 169 objektiva të asociuar. Ato mbulojnë çdo gjë, duke filluar nga cilësia e ujit të pijshëm e deri te pabarazia. Ndoshta kjo është arsyeja pse Gateses thonë butë në letrën e tyre se shpresojnë që SDGs do të vazhdojë punën e mirë të MDG-ve.
Më 17 janar 2015, një koalicion prej mbi 1,000 OJQ dhe celebritetesh, filloi një fushatë për SDGs që janë frymëzuese, financuar siç duhet dhe monitoruar me seriozitet – principe të shëndosha, por nga ata që nuk ndihmojnë shumë në reduktimin e numrit të qëllimeve dhe objektivave. Idealistët, përfshirë Ban Ki-Moon, sekretarin e përgjithshëm të OKB-së, duan t’u përmbahen të gjitha propozimeve aktuale.
Të tjerët duan të përqendrohen në atë që është më praktike, një qasje që mund të fitojë mbështetje në korrik, kur ministrat e Financave të takohen në Adis Abeba për të diskutuar mbi mënyrën e financimit të SDGs. David Cameron, Kryeministri i Britanisë, ka thënë se ka shumë SDGs të propozuara “për të komunikuar në mënyrë efektive”, ai mendon se duhet të jenë 10-12.
Një nga zërat më të fuqishëm që bën thirrje për fokus më të madh është Bjorn Lomborg, një ekonomist danez, i cili ka lançuar Post-2015 Consensus, një përpjekje për hartimin e një liste të shkurtër qëllimesh dhe objektivash, përfitimet e të cilëve, nëse do të arrihen, do të tejkalojnë kostot. Ky është një version ‘i shtuar’ i Konsensusit të Kopenhagës që ai ka drejtuar dekadën e fundit, duke sjellë së bashku ekonomistët më në zë për të llogaritur mënyrat më të lira për të përmirësuar gjendjen e botës.
Z. Lomborg ka autorizuar rreth 60 ekipe ekonomistësh, plus përfaqësues nga OKB-ja, OJQ-të dhe biznesi, për të rishikuar objektivat e propozuar për të zbuluar se cili do të gjenerojë raportin më të mirë kosto/benefit. Vlerësimet e fundit priten në shkurt. Një panel prej tre ekonomistësh fitues të çmimit “Nobel” do të përgatisin një përmbledhje të punës dhe do të bëjnë rekomandime se si të shpenzojmë më mirë 2.5 trilionë dollarë në ndihmë ndërkombëtare për zhvillim që z. Lomborg pret gjatë viteve deri në 2030. Disa nga rezultatet janë befasues. Për shembull, një studim i fundit nga Bjorn Larsen analizoi mënyrat për të zvogëluar vdekjet nga ndotja e ajrit, e cila aktualisht vret rreth 7 milionë njerëz në vit. Ai zbuloi se nëse 1.4 miliardë njerëz heqin dorë nga metodat tradicionale të gatimit dhe u drejtohen përdorimit të sobave me ventilim, mund të shpëtohen gjysmë milion jetë njerëzish në vit dhe të gjenerohet një përfitim ekonomik për botën prej 10 dollarësh për çdo 1 dollar të shpenzuar. Përdorimi i sobave pa tym i një teknologjie të avancuar do të sjellë reduktim edhe më të madh në vdekje. Megjithatë, kostoja do të jetë shumë më e lartë, kështu që përfitimi do të jetë vetëm 2 dollarë për dollar të shpenzuar.
Ndoshta edhe më e çuditshme ishte, masa më e dobishme që vlerësuan ekipet e z. Lomborg që konsistonte në uljen e barrierave të tregtisë, e cila arrin shumë më tepër për dollar të shpenzuar se çdo opsion tjetër. Përfundimi i traktatit aktualisht në process negocimi në Organizatën Botërore të Tregtisë, për shembull, do t’u sjellë vendeve në zhvillim 3,426 dollarë për çdo dollar të shpenzuar. Një marrëveshje e tregtisë së lirë që përfshin Kinën, Japoninë, Korenë e Jugut dhe vendet e ASEAN do të ishte me vlerë prej 3,438 dollarë për dollar të shpenzuar.
Shumica e masave për uljen e varfërisë janë më të shtrenjta se reduktimi i tarifave, por shumë prej tyre ia vlejnë. Sigurimi i kontraceptivëve dhe shërbimeve të tjera për shëndetin riprodhues për të gjithë ata që i dëshirojnë do të kushtonin 3.6 miliardë dollarë në vit, sipas studiuesve të z. Lomborg, që ende do të gjeneronin përfitime vjetore prej 432 miliardë dollarësh, 120 dollarë për dollar të shpenzuar. Rritja e normës së frekuentimit të çerdheve në jug të shkretëtirës afrikane në 59% nga shifra aktuale prej 18% do të gjenerojë përfitime prej 33 dollarësh për dollar të shpenzuar.
Reduktimi me 40% i numrit të fëmijëve, rritja e të cilëve pengohet nga kequshqyerja, do të ishte me vlerë 45 dollarë për dollarë të shpenzuar; reduktimi i vdekjeve nga tuberkulozi 43 dollarë. Rritja e penetrimit të celularëve nga 32% e popullsisë së botës në 90% deri në 2030, do të japë përfitime prej 17 dollarësh për dollar të shpenzuar. Ndalimi i evazionit fiskal në jug të shkretëtirës afrikane (ku aktualisht kushton rreth 10% të PBB-së në vit) gjithashtu do të ‘shpërblente’ mirë, në 49 dollarë për dollar të shpenzuar.
Rritja me 20% e disponueshmërisë në mbarë botën e vizave të punës do të gjeneronte përfitime prej 15 dollarësh për dollar.
Në të kundërt, hulumtuesit pyesin nëse përfitimet e përpjekjeve për të frenuar ndryshimet klimatike i justifikojnë apo jo shpenzimet. Ata janë gjithashtu skeptikë rreth nxitjes së OKB-së për ‘të dhëna për zhvillim’ si pjesë e procesit të SDG. Sipas z. Lomborg, mbledhja e të dhënave është jashtëzakonisht e shtrenjtë, në rreth 1.5 miliardë dollarë për objektiv të SDG; matja e të 169 objektivëve të propozuar do të shpenzonte deri 12.5% të totalit të ndihmës për zhvillim ndërkombëtar.
Mbrojtësit e SDGs argumentojnë se virtyti i tyre më i madh qëndron në përfshirjen e vendeve në çdo skemë të zhvillimit mbështetur nga një raportim i saktë dhe shqyrtimi kolegëve. Pastërtia ekonomike duhet sakrifikuar me raste për të siguruar marrëveshje të gjerë ndaj një seti synimesh globale. Puna e z. Lomborg është ‘shumë naive’, thotë Jeffrey Sachs, një tjetër ekonomist me pikëpamje të forta në lidhje me atë që funksionon në zhvillimin ndërkombëtar.
Megjithatë, z. Sachs, i cili ka udhëhequr një përpjekje të gjerë kërkimore të vetën Sustainable Development Solutions Network, pajtohet se reduktimi është i nevojshëm. Ai do të preferonte të shihte më pak SDGs, për t’jua bërë marketingun më të lehtë atyre dhe shumë më pak objektiva.
Sikundër shprehet z. Lomborg: “Ekzistenca e 169 objektivëve është si të mos kesh asnjë objektivë”.