Pavarësisht përmirësimit të vlerave të tregtisë, Shqipëria vazhdon të eksportojë burime të shtershme pa vlerë të shtuar, duke humbur shansin e fitimeve të duhura, sot, por edhe nga fëmijët tanë, të cilët mund të duan të punojnë më shumë, por nuk do t’i kenë këto burime.
Deficiti i thellë që karakterizoi për vite të tëra tregtinë tonë me jashtë, është përmirësuar ndjeshëm vitin e kaluar. Sipas Institutit të Statistikave, për 2013-n, eksportet ishin sa 48% e importeve, ndërsa një vit më parë, ato zinin vetëm 40%.
“Merita” u takon eksporteve, që u rritën me vlera dyshifrore vitin e kaluar. Por jo e gjithë merita. Ato ndikuan në masën 70% për përmirësimin e këtij deficiti, ndërsa pjesa tjetër (pra 30%) u takon importeve të rëna.
Prej vitesh, ekonomistët ankoheshin për vlerat e larta të importit, që e prezantojnë Shqipërinë si një treg importues, duke filluar nga makineritë (sektor aspak i zhvilluar në vend) deri te fruta-perimet. Por, në pretendimet e tyre për ulje, ekonomistët nuk nënkuptonin këtë që ndodhi. Sipas tyre, Shqipëria duhet të fillojë të prodhojë për të zëvendësuar importet. E ky është një hap shumë më pak i kushtueshëm se të eksportojmë. Dy vitet e fundit, në përmirësimin e treguesve, nuk vlerësohet të ketë ndonjë ndikim të dukshëm të rritjes së prodhimit apo të zëvendësimit të produkteve. Si importi i makinerive, edhe ai i prodhimeve ushqimore, vazhdon të ruajë të njëjtën peshë në importe, ndërsa vlerat e prodhimit agro-ushqimor nuk kanë shënuar ndonjë rritje të dukshme.
Ulja e importeve erdhi si rezultat i tkurrjes së konsumit, e vërtetuar edhe nga niveli i ulët i inflacionit (pra pamundësia e prodhuesve e tregtarëve për të rritur çmimet). Inflacioni prej 1.9% në dhjetor (sipas INSTAT) është nën nivelet e parashikuara nga Banka e Shqipërisë, ndërsa edhe publikimet e saj flasin për një tkurrje të konsumit të vërejtur nga kërkesa e ulur në treg për shpenzimet e për financime.
Sipas Institutit të Statistikave, importi i vitit të kaluar ishte 512.5 miliardë lekë, ose 3% më pak se një vit më parë. Në të njëjtën periudhë, eksportet arritën mbi 246 miliardë lekë, ose 15.6% më shumë se një vit më parë.
Tregti “e varfër”
Nëse do të na duhet të kërkojmë një hap cilësor në tregtinë tonë, duhet të “gërmojmë” deri te metalet e përpunuara, ferrokrom-gizë. Rritja e aktivitetit të uzinës së shkrirjes në Elbasan bëri të mundur rritjen e eksportit të metalit, që vlen disa herë më shumë se minerali i kromit. Sipas të dhënave të tregtisë, vitin e kaluar, eksporti i gizës dhe çelikut ishte 33.7 miliardë lekë, duke zënë rreth 8% të totalit të eksporteve. Një hap të lehtë cilësor vlerësohet të kenë bërë edhe eksportet e veshje-këpucëve, të cilat kanë shtuar ciklet e punimeve. Sipas operatorëve në këtë sektor, vlera e shtuar llogaritet të jetë rritur mesatarisht 5-7% në dy vitet e fundit, falë shtimit të proceseve, ndonëse kjo normë luhatet ndjeshëm mes vetë kompanive.
Por shifrat nuk lënë vend për optimizëm të tepërt. Ndërsa vlera e këpucëve e veshjeve u rrit lehtësisht, me ritme shumë më të larta janë rritur eksportet e produkteve të papërpunuara, burime natyrore shqiptare.
Nxjerrja dhe eksporti i lëndës djegëse (naftë bruto) ka zënë mbi 30% të totalit të eksporteve. Duke shtuar edhe eksportin e mineraleve të tjera (xeherorë të papërpunuar).
Vlera e këtyre burimeve natyrore i kalon 40% të totalit të eksportit.
Për ekonomistin Zef Preçi, tregtia shqiptare vazhdon të zhvillohet në paradoksin e eksportit të së gjithë lëndës djegëse që prodhon dhe importon të gjithë lëndën e nevojshme për konsum, ku kjo e fundit na kushton shumë më tepër meqë është prodhim i gatshëm për treg.
Edhe aty ku pritet të ketë potencial, nuk vërehet ndonjë hap cilësor. Produktet e konsumit “ushqime, pije e duhan” vazhdojnë të zënë të njëjtën peshë në eksporte 6% si një vit më parë.
E tregtia në këtë sektor është shumë më tepër deficitiare. Për shkak të strukturës së “pakorrigjueshme” të tregtisë së këtyre mallrave, duket se eksportet do të vazhdojnë të mbeten larg importit të prodhimeve të gatshme, ku të pazëvendësueshme duken cigaret, gruri, sheqeri. Për këto produkte nuk ka industri, por as mbështetje nga Ministria e Bujqësisë për t’u prodhuar në vend. Sipas të dhënave të INSTAT-it, eksporti i këtij grupi mallrash ishte rreth 14 miliardë lekë, ndërsa importi i tyre është mbi 93 miliardë lekë. Edhe pse importet janë sa gati herë eksportet tona, pesha e “ushqime, pije e duhan” në import arrin 19% duke ua kaluar edhe vlerës së importit për makineri e pajisje.
Eksporte perëndimore…
Si në fillimet e tregut të lirë, eksportuesit shqiptarë i kanë sytë drejt Perëndimit.
Gjatë vitit të fundit, eksportet tona u rritën drejt Italisë dhe Spanjës, ndërsa ranë për herë të parë që nga viti 2007 drejt tregut shqipfolës, Kosovës, e drejt partnerëve tanë jo pak të rëndësishëm, Greqi, e Turqi.
Sipas të dhënave të publikuara nga INSTAT, Italia mbetet partneri kryesor. Në vlerë absolute, eksportet vjetore drejt fqinjit përtej detit u rritën 5%, duke arritur në 114 miliardë lekë. Ndonëse pesha e Italisë ndaj totalit ka rënë në 46%, nga 51% që ishte në 2012-n, për shkak të rritjes më të shpejtë të eksporteve drejt tregjeve të tjera. Raporti me Italinë vazhdon të ruajë qëndrueshmëri edhe për produktet e eksportuara, ku kryesojnë tekstilet e këpucët. Më shumë se gjysma e eksporteve drejt Italisë ishte me këto dy produkte. Një treg i ri për Shqipërinë ka fituar peshë në eksportet tona, duke u renditur i dyti për nga eksportet. Spanja e ruan këtë vend prej tre vitesh.
Sipas INSTAT-it, shitjet drejt Spanjës u rritën me 22% vitin e kaluar, duke marrë 10% të totalit të eksporteve tona, nga 9% që ishte kjo peshë një vit më parë. Eksporti i çimentos ka bërë që grupi i mallrave “minerale, lëndë djegëse, energji”, të zërë mbi 90% të totalit. Tregu shihet interesant edhe për industrinë e tekstile-këpucëve dhe për produktet e konservuara ushqimore, për të cilat vlerësohet të ketë një numër të kufizuar kontratash.
Edhe drejt Gjermanisë, eksportet u rritën ndjeshëm (43%) por rimëkëmbja nuk i ka çuar në vend marrëdhëniet tregtare me shtetin që i rezistoi krizës europiane. Pesha e eksporteve tona mbetet e ulët në raport me vitet e kaluara, kur Gjermania ishte partneri i katërt i Shqipërisë.
E kundërta ndodhi me një tjetër partner jo pak të rëndësishëm në tregtinë e mbi 20 viteve. Vlera e mallrave drejt Turqisë u tkurr në një vit me 31%.
Ashtu si edhe drejt fqinjit grek. Rënia që nuk po ndalet e ka zhvendosur Greqinë në partnerin e tetë tregtar nga partneri i dytë pak vite më parë. Në 2013-n u shënua një rënie me bazë vjetore prej 17%, në 7.8 miliardë lekë. Eksportet u ndikuan më së shumti nga faktorë të jashtëm. Dhe një faktor i tillë negativ i shfaqur në muajt e verës, bëri që eksportet tona të bien në një treg, që në fakt pritet të shtohen prania e prodhimeve shqiptare. Drejt Kosovës, eksportet ranë 6% krahasuar me vitin 2012. Ngadalësimi vërehet tek eksporti i materialeve të ndërtimit e metalet, pas bllokadës së produkteve shqiptare nga pala e Kosovës. Këto produkte kryesojnë (52%) në totalin e eksporteve në Kosovë. Tregu shfaq interes për prodhuesit shqiptarë, pasi ka një kërkesë shumë më të lartë se në Shqipëri për ndërtime. Më parë, pengesat nga pala kosovare u shfaqën te produktet ushqimore.
Zgjerimin e tregtisë e patëm edhe me tregun e madh aziatik, pavarësisht uljes së çmimit të shitjes së mineraleve. Drejt Kinës, eksportet pothuajse u dyfishuan, duke arritur në 11 miliardë lekë.
Edhe në importe vërehen luhatje të peshës të partnerëve tanë tregtarë, me një ndryshim jo pak të dukshëm. Importet vazhdojnë të kenë një gjeografi më të gjerë, e pozicionimi i tyre duket më i qëndrueshëm, pasi nuk luhatje të theksuara të peshës së tyre, përjashtuar Greqinë. Prania e produkteve të fqinjit helen është zbehur për shkak të dobësimit të tregtisë greke, dhe humbjes së konkurrueshmërisë së saj.
Produktet e akcizës rriten në dhjetor
INSTAT: Në dhjetor 2013, importet u rritën 20% krahasuar me muajin nëntor
Shifrat e tregtisë zyrtarizojnë importin e lartë të karburantit e gjithë produkteve të akcizës gjatë muajit dhjetor. Sipas të dhënave të Institutit të Statistikave, importi në dhjetor arriti në 54 miliardë lekë, ose 20% më shumë se një muaj më parë.
Për shkak të rritjes së shpenzimeve në prag festash, në muajin dhjetor rriten importet, por rritja e këtij viti ishte e pazakontë dhe e lidhur tërësisht me rritjen e pritshme të akcizës që do të hynte në fuqi në janar.
Sipas të dhënave të tregtisë, vetëm në muajin dhjetor u importuan rreth 20 mijë tonë karburante më shumë sesa në të njëjtin muaj të një viti më parë. Sasia u zhdoganua me taksa më të ulëta për t’u hedhur në treg pas 1 janarit me çmime. Sipas ekonomistëve, në bazë të nivelit të konsumit mujor në vend, sasia e importuar vetëm në dhjetor do të vlente deri në fund të muajit shkurt, çka do të nënkuptonte, në kushtet e respektimit të rregullave, se deri në fund të shkurtit nuk do të kishte rritje çmimi për efekt taksash. Ndryshe nga ç’ndodhi realisht në treg. I njëjti fenomen vërehet tek cigaret, pijet alkoolike dhe ato energjike. Grosistët e duhanit importuan rreth 240 tonë cigare më shumë se viti i kaluar, me një rritje prej 75%. Kjo do të thotë mbi 12 milionë paketa shtesë vetëm në dhjetor, të cilat janë zhdoganuar me akcizën e vjetër prej 70 lekësh.
Përllogaritjet flasin për një shmangie taksash që arrin në 2.4 milionë dollarë, e që rritet shumë më tepër nëse vlerësohet rritja e tre muajve të fundit.
2014, optimist për eksportet
Një rimëkëmbje e lehtë e tregjeve europiane, ku drejtohet pjesa më e madhe e eksporteve tona, ka bërë optimistë tregtarët, ashtu si edhe Bankën e Shqipërisë.
Në eksporte pritet të kryesojë lënda djegëse, naftë bruto, nisur nga kanali i “suksesshëm” i tregtisë krijuar dy vitet e fundit e forcuar ndjeshëm gjatë vitit të kaluar. Sipas të dhënave të tremujorit të tretë të kompanisë, prodhimi mesatar i naftës për periudhën korrik-shtator të këtij viti ishte 8.541 fuçi naftë në ditë, ose gati 20% më shumë se e njëjta periudhë e një viti më parë.
Pesha e eksportit të lëndës djegëse pritet të ruajë nivelet e vitit të kaluar, duke zënë gati 25% të totalit të eksporteve.
Ndryshe nga një vit më parë, energjia elektrike nuk është një mbështetje për eksportet, për shkak të thatësirës, që na detyroi t’u drejtohemi importeve edhe në periudhë dimri.
Eksportuesit e prodhimeve agro-ushqimore thonë se presin të dërgojnë më shumë mallra këtë vit, në tregjet e Italisë, Gjermanisë e Spanjës. Eksportet drejt Italisë e Spanjës pritet të rriten për konservat e peshkut dhe produkte të tjera të konservuara, të cilat punojnë me lëndë të parë importi. Përfaqësuesit e Shoqatës së Eksportuesve thonë se vitin e kaluar u shtuan kontratat dhe porositë me klientët e këtyre dy tregjeve, ndaj eksportet pritet të rriten me rreth 10% krahasuar me vjet.
Tregtarët e bimëve mjekësore e eterovajore janë gjithashtu optimistë për tregun europian. Me një fokus të veçantë në Gjermani, drejtuesit e shoqatës EPCA thonë se pritet të ketë një rritje me 5% të eksportit të bimëve mjekësore dhe rreth 15% për esencat vajore. Sipas Xhavit Hysenajt, kryetar i Shoqatës së Përpunuesve dhe Eksportuesve të Bimëve Mjekësore, fokusi i sipërmarrjes është drejt prodhimit të esencave vajore. “Tregtia e esencave ka një vlerë të shtuar krahasuar me bimët, e mbi të gjitha kostot e transportit janë më të ulëta”, thotë Hysenaj. Ai shton se kjo rrugë po shihet me interes nga përpunuesit që kanë arritur të investojnë në makineri, pasi edhe kontaktet me klientët e interesuar janë ngritur tashmë.
Për prodhimet bujqësore të papërpunuara, shpresa mbetet rajoni i Ballkanit. Ruzhdi Koni, sipërmarrës i një prej kompanive më të mëdha eksportuese për prodhimet ushqimore, thotë se “tregtarët shqiptarë kanë ende hapësira të pashfrytëzuara në tregjet fqinje në Ballkan dhe nuk përbën interes pretendimi i tregjeve të largëta në këtë periudhë, kur edhe vlera e karburantit është e lartë”. Sipas tij, mundësitë e eksportit në Kosovë e Serbi, janë për një rritje eksportesh deri në 30% nëse prodhimi i brendshëm do të jetë i kënaqshëm.
Më larg shkojnë eksportuesit e “Divjaka 2000”. Drejtuesit e kësaj kooperative që shtrihet në fushat e Divjakës, pritet të eksportojnë perime gjatë verës edhe në tregje të Europës Qendrore. Pas disa “eksperimentesh” në Britaninë e Madhe e Norvegji vitet e fundit, pritet që këtë vit, sipërmarrësit të kenë kontrata shitje me tregtarët në Gjermani e Britani.
Xeherorët, “sukses” nëse ruajnë nivelin e vitit të kaluar
Industria minerare është ndër të paktët sektorë që e shikon me pesimizëm vitin 2014, nisur nga çmimet në rënie të metaleve.
Çmimi i bakrit ka zbritur në 1100 dollarë për ton, nga 1600 që ishte një vit më parë, ndërsa ai i metaleve të hekurit ka shënuar një rënie prej 20%. Për mineralin e kromit, çmimi luhatet tek 250 dollarë për ton, nga 280 që ishte në fillim të vitit të kaluar. Rënia e çmimeve zbehu eksportet e këtyre materialeve pothuajse të papërpunuara që në gjysmën e dytë të vitit 2013, por vështirësitë më të mëdha pritet t’i hasim këtë vit. Sipas Nazmi Kumanovës, administrator i kompanisë së nxjerrjes dhe pasurimit të bakrit “Beralb”, “kompania do të fillojë të krijojë rezerva, në pritje të një çmimi më të lartë, por problemi qëndron te hapësirat e kushtet e ruajtjes së bakrit”. Sipërmarrjet kanë rritur potencialet nxjerrëse, ndaj për rezervat u nevojiten fusha më të mëdha depozitash, ndërsa ruajtjen e bakrit e pengojnë kushtet e atmosferike për shkak të oksidimit.
BSH: Rritja në 2014-n bazohet tek eksportet
Në komunikimin e tij të parë për këtë vit me shqiptarët, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë transmetoi një mesazh pozitiv të zhvillimit të ekonomisë, bazuar pikërisht në eksportet. Gjatë javës së kaluar, Guvernatori Ardian Fullani u shpreh se “skenari bazë i Bankës së Shqipërisë parashikon një përmirësim të lehtë të ekonomisë gjatë vitit në vazhdim. Kërkesa agregate do të vazhdojë të mbështetet nga rritja e eksporteve dhe nga një ecuri më e mirë e konsumit dhe e investimeve”.
Kjo është një prirje e ndryshme nga ajo e vërejtur një vit më parë.
“Viti 2013 ishte një vit i vështirë për ekonominë shqiptare. Kërkesa agregate dhe rritja ekonomike mbetën në nivele të ulëta, inflacioni u luhat në kufijtë e poshtëm të tolerancës së Bankës së Shqipërisë. Nga ana tjetër, ambienti i jashtëm është karakterizuar nga vazhdimi i problemeve në Eurozonë, çka kufizon rritjen e eksporteve tona por edhe iu imponon tregjeve financiare ndjekjen e politikave konservatore të kreditimit ndaj vendeve në zhvillim”, thuhet në raportin e fundit të mbledhjes së Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë
Pritet të kryesojnë eksportet e naftës bruto. Xeherorët tentojnë të ruajnë nivelin e vitit të kaluar.
Rritjet e pritshme të eksporteve
10% konservat e peshkut
15% esencat vajore
30% potenciali për në rajon i fruta-perimeve
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.