Shoqata Kombëtare e Punëdhënësve “PROEKSPORT ALBANIA”, në një deklaratë për shtyp pohon se në mënyrë të përsëritur, iu është drejtuar autoriteteve përgjegjëse shtetërore, për të mundësuar plotësimin e detyrimit ligjor të tyre për rimbursimin e menjëhershëm dhe pa kushte të Tatimit mbi Vlerën e Shtuar (TVSH) të parapaguar nga bizneset e rregjimit të përpunimit aktiv (RPA).
Kompanitë shqiptare të fasonit, në kushtet kur kontratat e mëparshme me porositësit janë ngadalësuar apo në disa raste ndërprerë, kanë filluar të përshtatin tipologjinë e prodhimit me situatën aktuale, për ta orientuar prodhimin drejt veshjeve dhe këpucëve për mjekësinë, policinë, ushtrinë etj., për të minimizuar humbjet që vijnë nga situata e pandemisë së COVID-19.
Kompanitë shqiptare të “PROEKSPORT ALBANIA”, pavarësisht nga mungesa e mbështetjes së drejtpërdrejtë të Qeverisë Shqiptare nga Paketa Nr 2, kanë vijuar t’i mbajnë në punë punonjësit e tyre dhe për këtë janë përjashtuar nga ndihma e drejpërdrejtë ekonomike për punonjësit e mbjtur në rregjistrat e tyre të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore.
Por në këto kushte, kur nuk shihet asnjë mundësi ndihme, kompanitë po ndodhen në vështirësitë e krijuara nga DPT, e cila nga 205 kërkesa ligjore në tremujorin e parë, ka rimbursuar vetëm 17 për qind prej tyre.
Në e kuptojmë vështirësinë e buxhetit dhe të administrimit të tij, por kjo neglizhencë në zbatimin e detyrimit ligjor të tyre për kompanitë 100 përqind eksportuese (për 30 ditë duhet të rimbursohet TVSH-ja), po krijon penalitete të tjera, sepse subjektet tona nuk lejohen, sipas ligjit, as të aplikojnë për të nxjerrë në pagesë papunësie punonjësit e tyre për shkaqet e mësipërme.
Shoqata Kombëtare e Punëdhënësve “PROEKSPORT ALBANIA (PEA) dëshiron të ofrojë këto zgjidhje për autoritetet e Ministrisë së Financave dhe të Ekonomisë:
- Këstet e Tatim Fitimit të parapaguara për vitin 2019, kur kompanitë kanë dalë me humbje, të vërtetuar në deklaratën vjetore, të kalojnë në shlyerjen e menjëhershme të pagesës për kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore.
- Shuma e TVSH-së së parimbursuar për muajt Janar-Shkurt-Mars, (Teprica e TVSH –së kreditore) të përdoret nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve dhe Drejtoritë Rajonale Tatimore për të mbyllur shlyerjen e detyrimeve të kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore.
Dy zgjidhjet e ofruara i japin fund pritjes së kompanive tona për të marrë paratë e tyre, që janë TVSH e parimbursuar.
Kujtojmë se pavarësisht deklarimeve zyrtare të autoriteteve të Ministrisë së Financave dhe të Ekonomisë si dhe të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve për shlyerjen e plotë të TVSH së parimbursuar, shoqata është e gatshme të ofrojë dokumentacionin zyrtar se ka kompani akoma me detyrimeve të papaguara edhe prej vitit 2013.
Shoqata Kombëtare e Punëdhënësve “PROEKSPORT ALBANIA“ kërkon në mënyrë zyrtare që të merren në konsideratë propozimet e këtij grupimi të biznesit, peshën dhe rëndësinë e të cilit në punësim dhe të ardhura në valutë nga eksporti, autoritetet e qeverisë e njohin mirë, përfundon deklarata.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.