Kompania “Edil Energy” ka filluar për herë të parë në Shqipëri prodhimin e energjisë elektrike nga burimet diellore, duke i bërë përdoruesit të pavarur nga rrjeti elektrik.
Duke shfrytëzuar një marrëveshje ndërmjet qeverisë shqiptare dhe asaj italiane të nënshkruar para dy viteve, “Për instalimin e impianteve të energjisë diellore në Shqipëri dhe Itali, që çdo shqiptar mund të ndërtojë në territorin italian impiante të madhësive të ndryshme e anasjelltas, çdo italian në territorin shqiptar, e ku të dyja palët, duke përfituar nga linja e interkonjeksionit Shqipëri-Itali, kanë të drejta të barabarta pagese për energjinë e prodhuar, si në Itali, ashtu edhe në Shqipëri, në bazë të ‘conto energia’, si dhe liberalizimit të merkatos së energjisë”, specialistët shqiptarë të kësaj kompanie, mbas një eksperience në Itali, kanë filluar zbatimin e projekteve të prodhimit të energjisë elektrike nga burime diellore edhe në Shqipëri.
Sipas drejtuesve të kësaj kompanie, krahas impianteve të energjisë diellore, (fotovoltaike), ajo u ofron konsumatorëve dhe alternativa të tjera të pavarura nga rrjeti elektrik publik dhe burime të tjera të energjisë natyrore, siç janë energjia e erës (eolike), energjia hidrike, ajo gjeotermike dhe bio-energjia.
Këto impiante të prodhimit të energjisë nga burime diellore kanë edhe të veçantën e tyre, se sigurojnë edhe një depozitim të energjisë në rast të mungesës së rrezeve diellore.
Mundësitë e përhapjes së këtyre sistemeve në Shqipëri janë të shumta për vetë natyrën e pasur me diell gjatë gjithë vitit. Inxhinierët e kompanisë theksojnë se gjithnjë e më tepër, zonat malore, kodrinore e detare, fshatrat turistike po bëhen tërheqëse për zhvillimin e turizmit, por lidhja e rrjetit elektrik shpesh në këto zona ka çmime të larta, është i vështirë për t’u vendosur dhe me impiante të tilla ekonomike të prodhimit të energjisë nga burimet diellore apo burime të tjera alternative natyrore të pavarura nga rrjeti kombëtar elektrik, këto pengesa kapërcehen, duke i rritur vlerat edhe pronës ku objektet ekzistuese janë ndërtuar, apo ato që do të ndërtohen të reja.
Një përdorim të gjerë këto impiante kanë filluar të zënë në Itali dhe në disa shtete të tjera të zhvilluara. Në Shqipëri, prodhimi i energjisë elektrike nga burimet diellore mund të përdoret gjerësisht edhe në objektet industriale apo fermat bujqësore (sera) dhe komplekse blegtorale, që kërkojnë një furnizim të pandërprerë me energji elektrike.
Specialistët e kompanisë vendosën këto ditë impiantet e para në disa objekte shkollore në Berat dhe synojnë shtrirjen e tyre në të gjithë vendin.
Sipas tyre, një impiant me fuqi 2-3 kw është i mjaftueshëm për një shtëpi me konsum normal të energjisë elektrike dhe prodhimi vjetor i një impianti të tillë me këtë fuqi është rreth 2400-3600 kwh, duke përballuar ndriçimin dhe krejt pajisjet elektroshtëpiake. Gjithashtu për një vilë të përmasave më të mëdha me një impiant prej 4-6 kw, prodhimi vjetor arin në 4800-7200 kwh, ndërsa në ferma dhe komplekse blegtorale apo industriale, rezidenca turistike etj., fuqia e instaluar varion nga 21-50 kw, duke prodhuar deri në 25200-60000 kwh në vit.
– E ardhmja e energjisë elektrike, nga Dielli –
Sipas ekspertëve të energjisë, brenda dy dhjetëvjeçarëve të ardhshëm, modeli ri energjetik duhet të ndryshojë për shkak, së pari, nga rritja e konsumit, si rrjedhojë e rritjes së popullsisë në vende si Kina apo India, të cilat janë duke e kaluar nivelin e ndotjes maksimale. Së dyti, shumë shqetësues për të gjithë ne: kur gjysma e rezervave të jetë konsumuar në tym, çmimet e naftës do të fillojnë të luajnë në mënyrë drastike. Së treti, si pasojë e ndotjes së atmosferës nga djegia e naftës dhe karbonit: rritja e efektit serrë, duke krijuar siç po ndodh edhe aktualisht, probleme dhe anomali të klimës në Tokë.
Sipas të dhënave zyrtare të Agjencisë Ndërkombëtare Energjetike, në rast se nuk zgjerohen burimet alternative të energjisë, siç është edhe ajo nga Dielli, në vitin 2030 parashikohet një rritje e anhidritit karbonik në atmosferë në masën 70%. Disa vende janë duke bërë shumë hapa përpara në adoptimin e sistemeve të reja alternative për prodhimin e energjisë, një mënyrë kjo shumë e mirë edhe për të rritur ekonominë e vendit. Përparimet më të mëdha në garën e energjisë të shekullit XXI janë duke i bërë disa vende si Japonia, Kina dhe Gjermania. Në vitin 1997, “Tojota” bëri një hap përpara në merkaton e makinave. Motori hibrid i kësaj makine bëri gati një revolucion të vërtetë në botën e makinave, por gjithsesi politika të ndryshme kanë bërë që këto risi të mos kenë suksesin e merituar. Gjithsesi, modeli i shtëpive japoneze filloi të përhapej edhe në Amerikë, duke u përqendruar më shumë në Kaliforni. Sot e kësaj dite në Amerikë, në më pak se 40 minuta përfitohet më shumë energji nga rrezet e Diellit se sa do të përfitohej duke djegur lëndët djegëse.
Mjaft krahina dhe qytete të Kinës po bëjnë përpjekje aktive për shfrytëzimin e energjisë së erës, energjisë diellore, energjisë gjeotermike dhe energjive të tjera, me qëllim që të ndryshojnë gjendjen ekzistuese të mbështetjes në energjitë tradicionale, siç janë energjia e qymyrgurit, energjia e naftës dhe energjia e gazit natyror. Një prej këtyre krahinave dhe qyteteve është edhe qyteti Baoding i provincës Hwbei të Kinës Veriore. Pjesa më e madhe e qyteteve të Kinës përdorin rrymë të alternuar elektrike për llambat e semaforëve sinjalizues. Ndërsa në qytetin Baoding në majën e secilës shtyllë të semaforëve sinjalizues është instaluar një aparat i veçantë me emërtimin “paneli i baterive të energjisë diellore”. Me anë të këtij aparati, energjia e rrezeve të diellit kthehet në energji elektrike, që shfrytëzohet për funksionimin normal të semaforëve sinjalizues. Sasia e energjisë diellore të akumuluar brenda një dite mjafton për një javë.
Nga Artan Gjata
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.