Java e fundit e nëntorit ishte shumë e ngarkuar për Entin Rregullator të Energjisë (ERE), pasi për herë të parë ballafaqoi në publik kërkesat e tri kompanive, CEZ, KESH dhe OST, me grupet e interesit. Për Entin situata komplikohet edhe më shumë në raport me situatën e dobët financiare të KESH-it dhe planit për investime të OST, në rast se ERE dëshiron të mos miratojë rritjen e çmimit me 4.5 për qind të CEZ Shpërndarje.
Në momentet e fundit, duket se zgjidhja jepet nga vetë kompania çeke. “Ne kemi dy propozime. Propozimi i parë, shteti të na kthejë borxhin e faturave të papaguara, duke rënë dakord që CEZ të mos kërkojë rritje çmimi, në të kundërt, propozimi i dytë, të merret në konsideratë aplikimi ynë”, deklaron Josef Hejsek. Shefi i CEZ paralajmëron se, nëse situata nuk ndryshon apo nuk merr zgjidhje, duke mos pranuar asnjë nga propozimet, atëherë investimet nuk do të realizohen, duke rrezikuar furnizimin me drita dhe shërbim të dobët. “Kemi investuar 2.2 miliardë lekë, nga 4.9 miliardë që është plani i 2011-s, pra më pak se gjysma, dhe kjo si rrjedhojë e mungesës së garancisë nga ERE për tarifat apo mosnjohjen e borxhit të keq”, i përgjigjet “Monitorit”, drejtori i Përgjithshëm i Shpërndarjes.
Duket se pikërisht te borxhi ka mbetur ngërçi i zgjidhjes së dilemës nëse shqiptarët do të paguajnë ose jo fatura më të shtrenjta pas datës 1 janar 2012. Ky borxh, të cilin CEZ nuk e ka deklaruar ende zyrtarisht sesa është, llogaritet në dhjetëra miliona euro, pra detyrime që shteti ka ndaj kompanisë për faturat e papaguara të energjisë. Por një raport konfidencial i ERE-s bën me dije se në dy vitet e fundit, borxhi i shtetit ndaj kompanisë çeke është rritur me rreth 150 milionë euro! Një tjetër raport, i hartuar nga “Deloitte&Touch” thotë se borxhi i keq, pra ai detyron që CEZ nuk ka mundësi më ta vjelë, llogaritet për vitet 2008-2010, në rreth 200 milionë euro, ku shteti nuk zë as 30 për qind të pjesës. Pra, kontradikta me shifrat e kanë thelluar misterin me borxhin që kërkon CEZ t´i shlyhet në këmbim të mosrritjes së çmimit. Sakaq, mësohet se në Ministrinë e Financave kanë nisur negociatat për gjetjen e mënyrës së pagesës, pasi parimisht, bashkë me Kryeministrin është rënë dakord për njohjen dhe pagesën e detyrimeve.
Fatura të rënda për mbi 300 kW/h
Ashtu si në dy vitet e kaluara, aplikimi i CEZ në muajin shtator pranë ERE synon rritjen e çmimit, sidomos për atë kategori që konsumon mbi 300 kilovatë në muaj. Aktualisht tarifa për këtë masë konsumatorësh është 13.5 lekë dhe propozohet të bëhet pas janarit në 14.16 lekë/kilovati, ose 4.7 për qind më shumë. Për shtresën normale, e cila zë gati 70 për qind të familjeve (sipas ERE-s) dhe që konsumojnë deri në 300 kilovatë, tarifa rritet me 4.5 për qind, pra bëhet nga 7.7 lekë, në 8.06 lekë për kilovat. Mesatarisht CEZ kërkon rritje të çmimit me 4.5 lekë, nga 12 për qind që aplikoi vitin e kaluar, të cilën e ERE e rrëzoi, duke e balancuar me uljen e çmimit të energjisë që KESH ia shet kompanisë çeke. “Inflacioni, në nivel 3.6%; rritja e çmimit të energjisë elektrike që importohet si dhe kostot që burojnë nga ndryshimet e fundit ligjore (matjet e sahateve, 2% kosto shtesë)”, janë faktorët që nxisin CEZ të kërkojë rritje të faturës.
KESH-OST, edhe “shteti” kërkon rritje
Nuk është vetëm kompania private CEZ ajo që kërkon rritje të çmimit, me synim realizimin e investimeve dhe arritjen e shërbimeve cilësore, pasi në ERE kanë paraqitur shtrenjtim të faturës dhe dy kompanitë shtetërore, KESH dhe OST, madje me diferenca edhe më të kripura sa vetë Shpërndarja.
Korporata, e gjendur në situatë kritike për shkak të thatësirës, rritjes së importeve dhe mbi të gjitha nga ulja e çmimit që iu bë vitin e kaluar, kësaj here kërkon rritje të tarifës për energjinë që ia shet CEZ-it në masën 240 për qind, ose nga 1.48 lekë, në 5.03 lekë/kilovati. Mjafton që ERE të plotësojë këtë kërkesë, pa miratuar aplikimin e CEZ dhe direkt kostoja e faturës për familjet rritet me rreth 3.5 lekë, pra me gati 30 për qind. “KESH ndodhet në situatë kritike, si me borxhet, nevojës për furnizim, ashtu dhe me planin e investimeve”, thotë drejtori, Engjëll Zeqo.
Sa i takon OST-së, tarifa e kërkuar nga Transmetimi është 0.73 lekë/kilovati nga 0.60 lekë, me rritje gati 18 për qind. Ky ndryshim, nëse ndodh, i jep kompanisë të ardhura rreth 4 miliardë lekë. Argumenti i operatorit për rritjen lidhet me dyfishimin e kapacitetit që duhet të transmetojë OST.
VEC
Borxhi
Në Ministrinë e Financave kanë nisur negociatat për gjetjen e mënyrës së pagesës, pasi parimisht, bashkë me Kryeministrin është rënë dakord për njohjen dhe pagesën e detyrimeve
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.