Kur flitet për energjinë alternative, për të cilën po punohet aq shumë sot në botë, doemos që mendja na shkon tek energjia e erës dhe ajo diellore. Në vendin tonë, energjia diellore ka disa vite që po përdoret gjerësisht në shumë familje shqiptare e sidomos te ndërtimet e reja në formë vilash. Ndërsa energjia e erës ende nuk ka nisur të praktikohet.
Prodhimi i energjisë së erës apo eolike kërkon një vend ku era të fryjë në pjesën më të madhe të vitit. Kjo energji e ka marrë emrin Eolike për shkak të Eolit, Perëndisë së Erërave në mitologjinë e Greqisë së lashtë. Eoli jetonte në një ishull, diku në Detin Mesdhe. Ai, së bashku me pjesëtarët e tjerë të familjes, qëndronte rreth një tryeze të shtruar përjetësisht me haje dhe pije të bollshme. Ndoshta simbolika e këtij miti ka qenë se, nëse studiojmë dhe shfrytëzojmë si duhet erërat, do të kemi tryezën gjithmonë plot.
Po t´i hedhim një sy lëvizjes së erërave në Fushën e Korçës, mendoj se do të gjendeshim në vendin e përshtatshëm për të prodhuar energji të bollshme eolike.
Sheqerasi, vendtakimi i erërave
Sheqerasi është një fshat i themeluar në fillim të viteve ‘60, kohë kur mbaroi plotësisht së thari këneta e Maliqit. Kjo ishte një kënetë miliona vjeçare e krijuar prej prurjeve të lumit Devoll, që ka krijuar të gjithë Fushën e Korçës (për këtë shkak Gjon Muzaka në “Memoriet” e tij, fushën e krahinës së sotme të Devollit e quan “Devolli i vogël”, ndërsa Fushën e Korçës e emërton “Devolli i madh”). Punimet për tharjen e kënetës së Maliqit zgjatën për gati dhjetë vite. Nga tharja e saj u përftua një tokë e pasur bujqësore, ndërkohë që sipas disa specialistëve, u dëmtua mjaft ekosistemi i zonës, gjë që deri më sot nuk është vërtetuar.
Ish-këneta e Maliqit përfshin një pjesë të madhe të Fushës së Korçës, ajo kap një sipërfaqe prej mbi 6 mijë hektarësh (ha) apo mbi 60 kilometra katrorë. Fshati në fjalë u ngrit në mes të ish-kënetës fillimisht me njerëz që kishin punuar në tharjen e saj dhe nuk donin të ktheheshin në vendlindje. Ish-këneta për gjeografët përbën një “trekëndësh simpatik”. Me këtë emër quhen ato zona që kanë karakteristika shumë të veçanta. Trekëndëshi formohet në veri nga shpatet e Malit të Thatë (maja më e lartë 2260 metra mbi nivelin e detit), në jugperëndim nga shpatet e malit të Moravës (1600 metra) dhe brinja bazë, që janë kodrat e Sovianit dhe mali i Kozelit (afro 1000 metra), kujtojmë se fusha shtrihet në 800 metra mbi nivelin e detit. “Trekëndëshi simpatik”, për të cilin po flasim, i ka kulmet në tre gryka malesh: gryka e çërravës, që ndodhet në kufijtë e rretheve Korçë-Pogradec, Qafa e Qarit, në kufijtë Korçë-Kolonjë dhe Gryka e Cangonjit në kufijtë Korçë-Devoll. Nëse heqim nga një mesore nga tre këto brinjë, pika e rëndesës së trekëndëshit do të na bjerë pikërisht në fshatin e Sheqerasit.
“Gjatë gjithë jetës sime 62-vjeçare nuk mbaj mend asnjë ditë, madje asnjë orë, që të mos ketë pasur erë”, pohon mësuesi i matematikës, Servet Mustafa, lindur, rritur dhe banues në këtë fshat. Dhe vërtet, këtu erërat hyjnë nga tre drejtime: erërat që formohen në shpatin verior të Malit të Thatë, depërtojnë nëpërmjet grykës së çërravës; erërat e formuara nga lartësitë e pllajës së Kolonjës, depërtojnë nëpërmjet qafës së Qarrit; por më kryesore është era që depërton nga Gryka e Cangonjit, e cila në të folmen vendase quhet “Cangonjarja”. Kjo është një erë e fuqishme dhe e ftohtë.
Sipas gjeografëve me shumë përvojë në studimet e gjeografisë së Qarkut të Korçës, Fidan Broko dhe Nevrus Ibrahimllari, erërat e Cangonjares formohen shumë larg prej këtej. Origjina e tyre janë malet Ballkan, në kufijtë Bullgari-Turqi (2600 metra) dhe në malet Rodope. Duke u formuar në një vend me presion të ulët ato “rendin” drejt vendeve me presion më të lartë. Duke u zhvendosur, erërat kalojnë vendet e buta të Greqisë Veriore dhe Maqedonisë Jugore. Me energjinë e marrë gjatë këtyre qindra e qindra kilometrave, ato arrijnë Luginën e Devollit, ku përplasen fort, për të gjetur rrugëdalje, me shpatet e Moravës Perëndimore dhe shpatet e malit Ivan (2100 metra), i cili ndodhet përkundrejt Moravës në anën veriore të lumit Devoll (për ta pasur më të qartë gjeografikisht duhet t´iu drejtohemi “Google Earth” ose “Google Map”). Rrugëdalja e vetme është Gryka e Cangonjit, te fshati me të njëjtin emër, në kufijtë Korçë-Devoll. Gjithë kjo masë ajrore, me energji të jashtëzakonshme, duhet të hyjë në një vend që nuk e kalon gjerësinë e 400-500 metrave.
Siç u përmend më sipër, për shkakun që Sheqerasi ndodhet në pikën e rëndesës së “trekëndëshit simpatik”, Cangonjarja përplas aty gjithë energjinë e saj, shkon në brinjën bazë në malin e Kozelit dhe kthehet prapë me ashpërsi në Sheqeras. Po sipas gjeografëve të mësipërm, në periudhën e dimrit Cangonjarja ka pasur raste që ka arritur shpejtësinë deri në 250 kilometra në orë dhe kjo në raste shumë të veçanta, ndërsa e zakonshme gjatë gjithë periudhës së dimrit, shpejtësia e erës qëndron në kufijtë 80 deri në 120 kilometra në orë. Në rastet kur Cangonjarja nuk vepron, në fushë zhvendosen dy erërat e tjera, ajo e grykës së çërravës apo era e qafës së Qarit.
Si konkluzion mund të themi se, fusha e ish-kënetës së Maliqit, e pushtuar 24 orë nga masa të shpejta dhe shumë të shpejta ajrore, është plotësisht e përshtatshme për prodhimin e energjisë eolike.
Energjia e erës, fatura më të ulëta për qytetarët
Dr. në shkencat ekonomike, Hysen Kobellari, ka në duar një studim me titull: “Zhvillimi i integruar perspektiv ekonomiko- social i Fushës së Korçës”. Në këtë studim trajtohet edhe prodhimi i energjisë elektrike me anë të erës. Dr. Kobellari ka arritur në përfundimin se kjo energji ka kosto prodhim- shpërndarje sa gjysma e energjisë ujore që përdorin qytetarët sot. Nëse një familje mesatare korçare me energjinë e sotme, paguan një faturë nga 2500-3500 lekë në muaj, me energjinë eolike do të kursejë gjysmën e parave dhe dihet se sa për zemër i kanë korçarët kursimet.
Në disa faqe interneti mund të gjenden lehtë turbina që prodhojnë energjinë eolike. Ato janë jo shumë të shtrenjta dhe lehtësisht të manovrueshme. Kështu kemi tipin “Wisper 100”, i cili nuk kushton më tepër se 2 mijë dollarë dhe mund të transportohet fare lehtë me një fugon 3 tonësh. Ky “Wisper”, i vendosur në një vend me shpejtësi ere prej 12 miljesh në orë, (kujtojmë se një milje ka afro 1.7 kilometra), mund të prodhojë energji në masën 100 kw orë në muaj dhe nuk zë një sipërfaqe më tepër se 5-6 metra katrorë. Nëse fusha e ish-kënetës, me sipërfaqe mbi 60 kilometra katrorë, do të “mbillej” me “Wisper”-a të masës që përmendëm, atëherë do të krijohej një energji e konsiderueshme, e cila do t´iu shërbente qytetit të Korçës dhe rrethinave, jo vetëm në periudhën e pikut të energjisë, që janë muajt e dimrit, por edhe gjatë pjesës tjetër të vitit. Një familje mesatare korçare nuk shpenzon më tepër se 300-350 kw orë në muaj. Avantazhet shtohen kur dihet që energjia eolike, nuk kërkon linja të veçanta furnizimi, ajo mund të integrohet natyrshëm me rrjetin shpërndarës ekzistues. Dhe avantazhi më i madh është se prodhimi i energjisë së mësipërme në Korçë është gjithmonë i shlyer, pasi qytetarët korçarë në gati 100% të tyre, paraqiten rregullisht çdo muaj, para sporteleve, për të shlyer faturat e energjisë elektrike.
Zbatimi…
Kjo mendoj është pika më e dobët e vënies në punë të energjisë së erës sepse, përveç studimit që përmenda më sipër të Dr. Kobellarit, askush nga ata që do të bënin të mundur prodhimin e energjisë eolike nuk e kanë idenë se si ta prodhojnë dhe përdorin këtë energji. Por besoj se, me promovimin e informacionit, të gjithë do të bëheshin të ndërgjegjshëm për dobinë e përdorimit të Eolit të lashtë.
Nga Erget Cenolli
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.