Euro pritet të vazhdojë të jetë në “syrin e ciklonit” dhe shëndeti e stabiliteti i saj do të varet nga një sërë faktorësh të rëndësishëm. Nëse ka një simbol domethënës për Europën sot, një simbol që të bën ta prekësh, ta ndjesh çdo ditë “në sytë dhe duart e tua” atë, kjo është padyshim monedha e saj e përbashkët, euro. Ajo është pjesë e jetës së përditshme të 330 milionë qytetarëve europianë, por dhe e dhjetëra milionë të tjerëve që janë në rrugë e sipër për t´u anëtarësuar në Eurozonë apo BE.
Në mesazhin e tij të urimit për 10-vjetorin e euros, Mario Draghi, president i BQE-së dhe mbikëqyrësi i shëndetit të euros, e cilësoi atë “si një histori suksesi, e lindur natyrshëm në rrugën e Europës dhe integrimit të saj…si një histori pa kthim”.
Kriza financiare globale dhe situata tejet e vështirë e borxheve sovrane që po kalon Eurozona duket se është shkarkuar te monedha e përbashkët si “fajtorja kryesore e kësaj situate”, si “një eksperiment monetar i dështuar, ose më e pakta jo i plotë”, “si një monedhë pa të ardhme” etj. Por, pas një viti mjaft delikat e të turbullt si 2011-a, qeveritë europiane anëtare të Eurozonës, por dhe ekspertët apo opinioni publik e kuptuan se faji nuk qëndronte tek euro si monedhë e përbashkët apo te dobësitë e Europës monetare, por te politikat ekonomiko-financiare e sociale të gabuara të vendeve anëtare, tek shkelja dhe mosrespektimi i rregullave të përbashkëta të fiksuara në “Traktatin e Maanstrihtit, te devijimet flagrante të deficiteve buxhetore, borxheve publike etj. çdo ditë e më tepër po kuptohet se sulmet ndaj euros apo euroskepticizmi i tejskajshëm është njësoj sikur të kërkosh ekzekutimin e lajmëtarit për mesazhin e keq që ai sjell, apo të thyesh termometrin me shpresën që të ulësh temperaturën e lartë. Në fakt, ajo që duhet ndryshuar është rrënja apo origjina e vërtetë e problemit. Në këtë këndvështrim, duket se Europa po del më e pjekur dhe më e qartë nga kjo krizë ekonomike, financiare e monetare. Përballja me “kapriçiot” apo dhe “kërcënimet e euros” po i bind të gjithë se çfarë ishte në të vërtetë ajo që u bë 10 vite më parë kur lindja e euros zëvendësoi të gjitha monedhat e tjera kombëtare të vendeve të Eurozonës: një instrument i integrimit financiar, ekonomik, social dhe politik që kërkonte një disiplinë të përbashkët të fortë të financave publike. Ky proces, jo vetëm që nuk pranonte shkelje apo devijime, por kërkonte rigorozitet të jashtëzakonshëm, kërkonte sanksione të qarta e të rënda për shkelësit e rregullave të përbashkëta. Të gjithë hapat e qeverive dhe liderëve europianë të muajve të fundit, veprimet e BQE për furnizimin me likuiditetin e domosdoshëm, bankat dhe tregjet financiare, detyrimet për bankat për t´u rikapitalizuar apo ndihmat publike për to, miratimi i “rregullit të artë buxhetor” dhe unifikimi i pritshëm i buxheteve nacionale të Eurozonës, etj., janë hapa të dukshëm drejt asaj që kërkohet dhe pritet në Eurozonë. Në asnjë rast, braktisja e euros në këto momente nuk vlerësohet se mund të ndikojë pozitivisht për përmirësimin e situatës së qeverive apo qytetarëve të Eurozonës, ashtu siç mendohet se nuk mund të ndikojë pozitivisht edhe për vendet që e përdorin këtë monedhë pa qenë anëtarë të Eurozonës. Megjithëse euroskeptikët janë shtuar në numër këto muajt e fundit, braktisja e euros duket se nuk ka sens dhe mundësi normale që të ndodhë. Eksperiencat në përballimin e krizave të tilla dëshmojnë se vende të ndryshme kanë dalë prej tyre, duke manovruar me politikat monetare, duke zhvleftësuar monedhat kombëtare, duke rritur përqindjet e interesit për monedhat e tyre, shtuar kostot e importeve dhe faturave energjetike, duke përmirësuar klimën për tërheqjen e investimeve të huaja, duke lehtësuar eksportet etj. Por, kundrejt kësaj, janë përballur me një element negativ tejet sensitiv: uljen drastike të fuqisë blerëse, vlerës së kursimeve e depozitave dhe fuqisë investuese të popullsisë e bizneseve të tyre.
Në këtë situatë, “suksesi” i vendeve të Eurozonës që mund të braktisin euron do të ishte thjesht dhe vetëm një “fitore si e Pirros së Epirit”. Këtë mesazh duket se e kanë kuptuar pjesa dërrmuese e popullsisë së Eurozonës, përfshirë këtu edhe grekët, spanjollët, portugezët apo italianët të cilët dëshirojnë ta ruajnë euron si monedhën e tyre të përbashkët. Këtë frymë e shpreh më së miri Georges Provopoulos, Guvernatori i Bankës Qendrore të Greqisë kur shprehet i alarmuar se “rikthimi tek dhrahmia do të ishte një ferr i vërtetë për grekët dhe Greqinë”. “Greqia varet shumë nga importet dhe për pasojë do të mbetej pa karburante, pa lëndë të para e produkte agroushqimore…kushtet ekonomiko-sociale do të bëheshin të pasuportueshme dhe niveli i jetës do të ulej shumë, sepse monedha e re do të zhvlerësohej në masën 60-70%…mund të kishte ndonjë lloj ekuilibri, por të gjitha progreset e këtyre 10 viteve të fundit do të zhdukeshin… grekët duhet të mobilizohen për t´u rikthyer sa më shpejt në rrugën e progresit ekonomik e social brenda Eurozonës”. Kësaj vështirësie drakoniane të braktisjes së euros mund t´i shtohet edhe kompleksiteti institucional e juridik që kushtëzon një periudhë trevjeçare të nevojshme për të dalë nga Eurozona, si dhe faktin se duhen ndryshuar mjaft nga traktatet bazë europiane. Viti 2012 duket se do të jetë “viti i përballimit të kërcënimeve dhe sfidave fondamentale për euron, Eurozonën dhe vetë BE-në”. Euro pritet të vazhdojë të jetë në “syrin e ciklonit” dhe shëndeti e stabiliteti i saj do të varet nga faktorë të rëndësishëm si: mundësitë e Europës për të rifinancuar nevojat e saj që janë më shumë se 1200 miliardë euro, aq më tepër në një klimë mosbesimi të investitorëve; përballimi i pasojave negative të një ulje të mundshme të vlerësimit të cilësisë së borxhit publik dhe bankave në Europë nga agjencitë ndërkombëtare vlerësuese; mundësia e Europës për të shmangur recesionin dhe për të siguruar një rritje ekonomike, qoftë dhe minimalisht pozitive për 2012-n; ecuria dhe menaxhimi i borxhit publik në SHBA i cili mund të ketë një efekt “ortek” edhe në Eurozonë; ecuria e disa prej ekonomive më të forta aziatike si Kina, India, Japonia, etj., të cilat po japin shenja të uljes së rritjes ekonomike dhe probleme me inflacionin, deficitet buxhetore, zhvlerësim monedhash, ulje të kërkesës së brendshme etj. Në këtë kontekst shumë kompleks e të mbushur me të panjohura të mëdha, është vështirë të jepet një parashikim qoftë dhe mujor apo disamujor për ecurinë e euros në tregjet e këmbimit valutor. Megjithatë, ekspertët, duke përjashtuar goditje të mëdha e ngjarje të papritura, evidentojnë një trajektore hipotetike të ecurisë së euros për 2012: euro do vazhdojë të jetë një monedhë e qëndrueshme; do të luhatet në intervalin 1.15 1.35 në raport me dollarin amerikan; në përgjigje të përpjekjeve për të nxitur rritjen ekonomike dhe eksportet, europianët mund të ndjekin politika zhvleftësuese të euros në muajt në vazhdim; euro do të reflektojë në forcën apo dobësinë e saj, vendosmërinë dhe cilësinë e liderëve europianë për të bërë reformat e domosdoshme integruese dhe disiplinës fiskale e financiare; euro do vazhdojë të preferohet në transaksionet financiare ndërkombëtare dhe depozitat e rezervave valutore të bankave qendrore, veçanërisht atyre aziatike etj.
Nga Adrian Civici
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.