Kompania e sigurimeve Eurosig ka rritur më tej pjesën e saj në kapitalin aksioner të Bankës së Bashkuar të Shqipërisë (UBA).
Këtë muaj, Eurosig finalizoi blerjen nga ortakët e vegjël sauditë të UBA-s të 2.19% të aksioneve, për një shumë prej afërsisht 270 mijë dollarësh amerikanë. Shitja është bërë kundrejt një çmimi prej 21 USD për aksion, nga 24 USD që është vlera nominale e aksioneve të paguara të UBA.
Pas kësaj blerjeje, Eurosig zotëron 18.87% të kapitalit të UBA dhe është aksioneri i dytë më i madh pas Bankës Islamike për Zhvillim, që kontrollon 72.2% të kapitalit. Pjesa e mbetur mbahen nga banka nga Bahreini Ithmaar Bank, grupi saudit Dallah Albaraka dhe nga disa aksionerë të vegjël individualë, kryesisht nga Arabia Saudite.
Eurosig hyri në UBA në gusht të vitit 2019, duke blerë 9% të aksioneve nga Banka Islamike për Zhvillim, për afërsisht një milionë dollarë amerikanë. Në maj të këtij viti, Eurosig nënshkroi pjesën dërrmuese të rritjes së kapitalit të bankës, të kërkuar nga Banka e Shqipërisë, me rreth 984 mijë dollarë të tjerë dhe duke e çuar pjesëmarrjen në 15.32%. Në gusht të këtij viti, Eurosig bleu edhe 1.36% të aksioneve, që mbaheshin nga kompania malajziane Business Focus SDN, për rreth 169 mijë dollarë amerikanë.
Së shpejti, pritet që Eurosig të mbyllë edhe blerjen e 2.15% të aksioneve që mbahen nga grupi saudit Dallah Albaraka Holding, duke e çuar pjesëmarrjen në UBA në rreth 21%.
Deri tani, Eurosig ka investuar mbi 2.4 milionë USD në UBA dhe qëllimi i kompanisë së biznesmenit Kadri Morinaj është marrja gradualisht nën kontroll e UBA. Banka Islamike për Zhvillim nuk ka ambicie të mëdha të për t’u rritur në tregun shqiptar dhe ka zgjedhur t’ia lërë gradualisht stafetën Eurosig.
Eurosig ka qenë një nga subjektet shqiptare më të interesuara për të përtituar nga epoka e shitjeve me çmime të leverdisshme në sektorin bankar. Në vitin 2018, Eurosig pati bërë ofertën më të lartë në garën e blerjes së bankës NBG Shqipëri, por më pas u tërhoq nga gara.
Eurosig hyri gjithashtu edhe në garën për blerjen e Tirana Bank, ku rezultoi fitues grupi Balfin. Pas disa përpjekjeve të pasuksesshme, objektivi i Kadri Morinajt për të hyrë në tregun bankar po realizohet te UBA. Nëse Eurosig do të arrijë në qëllimin e vet, UBA do të bëhet e pesta bankë me kapital shqiptar, pas Credins, Tirana Bank, ABI Bank (zyrtarisht klasifikohet si bankë shqiptare, megjithëse tërthorazi ka aksionerë të huaj) dhe Union Bank. Deri tani, Banka e Shqipërisë nuk e ka penguar pjesëmarrjen influencuese të Eurosig në kapitalin e bankës.
Banka e Bashkuar e Shqipërisë është një bankë e themeluar qysh në vitin 1993, por nuk ka arritur të fitojë ndonjëherë pjesë të rëndësishme në tregun bankar shqiptar. Ajo vepron mbështetur në parimet e bankingut islamik dhe në fund të shtatorit zotëronte 0.6% të tregut bankar, për një total aktivesh prej 9.6 miliardë lekësh. Për 9-mujorin 2020, UBA ka raportuar një rezultat financiar me humbje në vlerën e rreth 79 milionë lekëve./E.Shehu
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.