Intervistë me Anduena Aliaj, Drejtore e Përgjithshme e Omnifactor
Lehtësimi i kërkesave rregullatore mund të ndihmojë kompanitë e faktoringut të kenë më shumë fokus në zhvillimin e biznesit. Anduena Aliaj, drejtore e përgjithshme e Omnifactor,
thotë se këto institucione kanë kapitale shumë të vogla krahasuar me bankat dhe kërkesat e shumta rregullatore përkthehen në kosto të konsiderueshme dhe janë faktorë që e frenojnë rritjen.
Në çfarë stadi është zhvillimi i tregut të faktoringut? Cilat janë tiparet dhe problematikat kryesore të tregut?
Megjithëse ka kaluar një kohë relativisht e gjatë që kur sektori financiar hodhi hapat e parë me këtë produkt, mendoj se zhvillimi i tij ende nuk ka arritur një stad domethënës. Në radhë të parë, sepse edukimi financiar është ende i ulët. Së dyti, ende sistemi financiar nuk është shumë i zhvilluar në produktet që dalin jashtë portofolave klasike. Bankat janë më komode të ofrojnë produktet standarde dhe që nga klientët njihen më mirë, kryesisht kreditë.
Faktoringu është një produkt financiar që aktualisht në Shqipëri nuk njihet dhe nuk ka arritur nivel të konsiderueshëm vlerësimi nga tregu. Ky është një produkt që iu ofrohet kryesisht bizneseve dhe do të ishte një alternativë e mirë për zhvillimin ekonomik. Ai plotëson disa boshllëqe që mund të ketë në huadhënie. Sot ka disa institucione financiare jo banka të licencuara për faktoring, përveçse edhe pjesës më të madhe të bankave tregtare.
Sidoqoftë, nga bankat nuk ka shumë interes për ta ofruar dhe ato parapëlqejnë t’i orientojnë klientët te shërbimet e tjera. Në këtë fazë, pjesë e rëndësishme e punës sonë është informimi i tregut dhe bizneseve lidhur me ato që mund të jenë avantazhet dhe përfitimet e përdorimit të faktoringut.
Faktoringu është një nga produktet financiare me më shumë fleksibilitet dhe më të shpejtë. Për më tepër, faktoringu është një produkt që biznesi mund ta përfitojë atëherë kur ka më shumë nevojë, ndërsa me kredinë, një gjë e tillë shpesh nuk është e mundur. Ne jemi një nga kompanitë që në vitet e fundit jemi rritur dhe së shpejti synojmë të dyfishojmë kapitalin, për të rritur më tej aktivitetin tonë.
Mendojmë se tregu ka nevojë për mbështetje, ndoshta duke lehtësuar disi barrën e kërkesave rregullatore. Institucionet tona kanë kapitale shumë të vogla krahasuar me bankat dhe kërkesat e shumta rregullatore përkthehen në kosto të konsiderueshme dhe janë faktorë që e frenojnë zhvillimin e biznesit. Ne po zhvillojmë një produkt financiar që mbështet aktivitetin e biznesit dhe zhvillimin ekonomik, ndaj gjykoj se duhet më shumë mbështetje ndaj nesh.
Si e vlerësoni ecurinë e tregut të faktoringut dhe sa u ndikua nga pandemia?
Është e qartë se sektori financiar jobankar i ndjeu më shumë pasojat e pandemisë, sepse nuk kishte ato kapacitete dhe atë mbështetje me likuiditet nga Banka e Shqipërisë që patën bankat tregtare. Institucionet financiare kanë kosto të larta operative dhe kosto të lartë të sigurimit të fondeve.
Megjithatë, ne jemi treguar mjaft përzgjedhës në financimet tona dhe falë kësaj nuk patëm shumë probleme, madje nuk u paraqit as nevoja për të shfrytëzuar shtyrjen e pagesave që vendosi Banka e Shqipërisë. Të paktën në këtë fazë, politika jonë është që të financojmë kryesisht kompani me eksperiencë dhe qëndrueshmëri të provuar në treg, që mund të përballojnë edhe ngjarje të papritura, siç ishte pandemia. Nëse do të ishim ekspozuar dhe te kompani më të reja apo më të brishta, sigurisht që pasojat mund të kishin qenë më të mëdha.
Cilët sektorë e përdorin më shumë faktoringun sot?
Janë sektorë si tregtia me pakicë, kompanitë e komunikimit, të energjisë, kompanitë e sektorit farmaceutik, fasoneritë. Objektivi ynë është të sigurojmë një shpërndarje sektoriale të portofolit, për të diversifikuar rrezikun dhe për të siguruar një përfitim të kënaqshëm për objektivat e aksionerëve.
Cilat janë llojet kryesore të faktoringut që përdoren sot në tregun shqiptar?
Ligji përcakton se lëshuesi dhe pranuesi i faturës janë njëkohësisht përgjegjës për shlyerjen e detyrimit para kompanisë së faktoringut, deri në mbylljen e procesit. Garancitë e përdorura varen nga shumat dhe natyrat e bizneseve, por kryesisht produkti ofrohet pa kolateral. Ne kemi përdorur faktoringun klasik, por në disa raste edhe faktoringun e anasjelltë, që ka funksionuar, edhe falë cilësisë së mirë të klientëve. Ndërkohë, faktoringu ndërkombëtar është i vështirë, për shkak të kostove dhe rreziqeve shtesë që shtron.
A mund të jetë faktoringu konkurrues në çmim me kredinë bankare?
Për ne është e vështirë të konkurrojmë në çmim me bankat tregtare. Megjithatë, duhet thënë se normat e aplikueshme të faktoringut kanë pësuar rënie të ndjeshme krahasuar me disa vite më parë. Sot, ne e ofrojmë produktin me një çmim të pranueshëm nga tregu dhe më afër normave të interesit që ofron sektori bankar. Mendoj se është më e rëndësishme të vendosësh ura bashkëpunimi afatgjatë me klientët, sesa të maksimalizosh fitimet afatshkurtra.
Si i siguroni burimet e financimit?
Për momentin, ne e kemi financuar aktivitetin nga kapitali i kompanisë. Megjithatë, me rritjen e kompanisë po shqyrtojmë alternative të tjera të huamarrjes, qoftë brenda apo jashtë Shqipërisë.
Cilat janë perspektivat e rritjes së tregut në të ardhmen e afërt?
Faktoringu ngelet një produkt i zhvilluar nën potencialet e veta. Mendoj se ka hapësira të favorshme për të rritur këtë aktivitet, duke shërbyer gjithnjë e më shumë si një alternativë për bizneset dhe si një mbështetje shtesë për zhvillimin e ekonomisë së vendit.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.