Një tjetër faktor që po rrit sipërfaqet e lira të njësive të biznesit është falimentimi i Call Center. Kjo gjë sipas agjencive të pasurive të paluajtshme ka filluar të ndikojë në ofertën për mjediset me sipërfaqe të mëdha. Sipas inxhinieres Xheni Jahja, çmimet e mëparshme të këtyre mjediseve kanë qenë të larta dhe pronarët synojnë që t’i mbajnë në të njëjtin nivel qiraje. Mirëpo, kërkesa nuk përputhet me ato nivele çmimesh dhe qiradhënësit detyrohen t’i përgjigjen asaj duke ulur çmimet.
Sipas të dhënave nga Colliers International, në fund të gjashtëmujorit të parë, oferta për zyra në Tiranë ka arritur në 107,107 metër katror. Hapësira totale e lirë në qendër të qytetit është rritur me 1,322 metër katrorë krahasuar me gjashtëmujorin e dytë të 2016-s, duke reflektuar dhe rritje në hapësirat e pazëna nga 9.7% në gjashtëmujorin e dytë të 2016-s në 10.74% në të parin e 2017-s.
Sipas tyre rritja është bërë edhe nga shtimi i ofertës në këtë segment të tregut, duke qenë se hapësirave të pazëna iu shtua në treg dhe një qendër e re tregtare Qendrës së Biznesit Millenium, një godinë e klasit A për sa u përket zyrave. Qendra e Biznesit Millenium ndodhet në fillim të Rrugës së Kavajës.
Si rezultat, sipërfaqet e lira në total janë rritur me 9.82%.
Kërkesa është rritur më së shumti për shkak të zhvendosjes apo zgjerimit të atyre kompanive që përdornin për zyra mjedise për banim të përshtatura si zyra. Megjithëse çmimet kanë mbetur të qëndrueshme, tregu mbizotërohet nga qiradhënia dhe do të vazhdojë të jetë kështu deri sa oferta e re të përfshihet në treg.
Masterplani i miratuar dhe plani për ndërtimin e kullave në qendër të Tiranës do të kenë ndikim direkt në tregun e zyrave në afat të gjatë dhe të mesëm, për ofertën dhe çmimin.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.