Për të vlerësuar gjendjen financiare të familjeve dhe të bizneseve, Banka e Shqipërisë kryen një vrojtim të posaçëm i cili zhvillohet çdo gjashtë muaj. Vrojtimi i fundit u krye në fund të vitit 2013, duke pasur në fokus zhvillimet në gjysmën e dytë të tij, ndërkohë që vlerësimet për pritshmëritë i referohen gjysmës së parë të vitit 2014.
Vrojtimi mbi situatën financiare dhe huamarrjen e individëve
Për të analizuar gjendjen financiare dhe të huamarrjes së individëve, është vrojtuar një zgjedhje prej 1210 familjesh, të shpërndara në 17 rrethe të ndryshme të vendit, ku janë përgjigjur 96% e familjeve të intervistuara
Huamarrja
Numri total i familjeve që deklarojnë se kanë një ose më shumë hua për të paguar në momentin e intervistimit, pavarësisht nga lloji, burimi apo vlera, ka rezultuar 333 familje ose 29% e të anketuarve (rreth 28% e zgjedhjes në total). Kjo përbën rritje vetëm me 12 familje krahasuar me gjashtëmujorin e kaluar, por rënie me rreth 5 pikë përqindjeje (ose 68 familje), krahasuar me mesataren e deritanishme. Rreth 61% e familjeve huamarrëse i përkasin grupit me të ardhura mujore në kufijtë “17-50 mijë lekë”. Kjo peshë është rritur krahasuar me gjashtëmujorin e kaluar, dhe me mesataren e deritanishme. Në rreth 45% të rasteve të huamarrjes, familjet u janë drejtuar burimeve formale (si banka dhe institucione financiare jobankare) dhe në 55% të rasteve u janë drejtuar burimeve jo-formale (persona fizikë dhe huamarrje nga dyqanet). Dy qëllimet kryesore të huamarrjes së familjeve vazhdojnë të jenë “blerja/riparimi i një prone” në 34% të rasteve, dhe “konsumi” në 37% të rasteve. Të dy këta zëra kanë shënuar rritje respektivisht me 2 pikë përqindjeje, krahasuar me gjashtëmujorin e kaluar.
Aftësia paguese e familjeve
Balanca neto e përgjigjeve mbi aftësinë paguese të familjeve ka rezultuar -18%, çka tregon për një përkeqësim të aftësisë paguese të familjeve me ritme të njëjta si gjashtë muaj më parë. Familjet që kanë deklaruar “rënie të aftësisë paguese”, në 55% të rasteve cilësojnë si arsye kryesore “rënien e të ardhurave familjare” dhe në 23% të rasteve “rritjen e shpenzimeve të jetesës”. Në lidhje me pritjet mbi aftësinë paguese në gjashtë muajt e ardhshëm, balanca neto shënon vlerën -1%, çka do të thotë një prirje në përkeqësim, por me ritme të ngadalësuara.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.