Pas rënies së fortë në 2020-n, për shkak të pandemisë, sektori i industrisë është rritur ndjeshëm në vitin 2021, i nxitur nga koniunktura e favorshme e çmimeve në bursat ndërkombëtare dhe rikthimi i fortë i kërkesës.
Por, pas kësaj rritjeje, fshihen probleme të shumta, si shtrenjtimi i kostove të lëndëve të para e energjisë, mungesa e fuqisë punëtore dhe rënia e fuqisë blerëse për industritë që shesin në vend, si rrjedhojë e presionit të inflacionit në konsum dhe emigracionit të lartë.
Rënia e Euros po ul të ardhurat e eksportuesve. Në vitin 2021 u shënuan dy hyrje të reja, ndërsa shumë kompani dolën, pasi aktiviteti i tyre u zgjerua me ritme shumë më të ulëta se ai i sipërmarrjeve të tjera, si ndërtimi dhe energjia.
“Kurum”, është kompania më e madhe në Shqipëri në sektorin e industrisë, me të ardhura 41.8 miliardë lekë (rritja 76% e ndikuar nga shtrenjtimi i çmimeve dhe shtimi i kërkesës. “Bankers Petroleum”, eksportuesi më i madh i naftës bruto, shënoi rritje të të ardhurave me 50%, në 22 miliardë lekë.
Eksportuesi i kromit, “Albchrome”, pas rënies së fortë të të ardhurave me 40%, në vitin 2020, e dyfishoi aktivitetin në vitin 2021, në 13.7 miliardë lekë.
Prodhuesi i pijeve freskuese “Coca Cola” rriti të ardhurat me 20%, në 4.3 miliardë lekë, pas tkurrjes vitin e mëparshëm. Por, kompania po përballet me rritjen e kostove.
Presidenti i kompanisë më të madhe të pijeve freskuese, “Coca-Cola Bottling Shqipëri”, CCBS, Luca Busi, tha për “Monitor” se rritja e kostove të prodhimit shënon shifra rekord në 18% krahasuar me një vit më parë. “Numra vërtet të rëndësishëm, që e vendosin të gjithë sistemin në krizë.
Mund të konfirmojmë një situatë vërtet alarmante. Fatkeqësisht, ky moment po sheh rritje të vazhdueshme të kostove, në të gjitha fushat: spekulimet në lidhje me pandeminë dhe luftën kanë arritur nivele me të vërtetë shqetësuese”, – nënvizon presidenti i CCBS, Luca Busi. Ai tha se rritja nis nga “lëndët e para si sheqeri (një mall strategjik agroushqimor për sektorin tonë) dhe arrin në preformat rPET (100% plastikë e ricikluar), duke kaluar nëpër të gjitha ato materiale të dobishme për paketim.
“BERALB”, me aktivitet në fushën minerare, ka dalë nga lista e “Monitor 200”, pas rënies së të ardhurave me 38%, në 1.2 miliardë lekë. Shoqëria raporton rritje të kostove në raportin e aktivitetit dhe shtim të humbjeve të akumuluara.
“Gjatë vitit të mbyllur më 31 dhjetor 2021, Shoqëria rezultoi me humbje neto prej 214 milionë lekësh (më 31 dhjetor 2020 me fitim neto: 154 milionë lekë, duke rezultuar në humbje të akumuluar në vitin 2021 prej 5.8 miliardë lekësh (2020: 5.6 miliardë lekë).
Çmimet e mallrave janë një nga përcaktuesit kryesorë të rezultateve të operacioneve dhe gjendjes financiare të Shoqërisë, pasi çmimet e mallrave janë më të ulëta në krahasim me koston e prodhimit të Shoqërisë.
Aktualisht, drejtimi përcakton se Shoqëria mund të operojë nëse çmimet në treg pozicionohen qëndrueshëm mbi 7,000 USD për ton metal bakër, në mënyrë që Shoqëria të jetë në gjendje të gjenerojë fitime.
Bazuar në koston e vlerësuar nga drejtimi, kostoja e prodhimit të Shoqërisë arrin në vlera rreth 1020 USD për ton/koncentrat (me një variancë 990-1090 USD/ton koncentrat në varësi të lëndës së parë që shkon në proceset e pasurimit, vlerat më të ulëta të kostos janë të lidhura me rastin e riciklimit të sterileve dhe rastin e përpunimit të mineralit me cilësi më të lartë se mesatarja, siç është ai i Qafë Barit), kjo në varësi të lëndës së parë që shkon në përpunim në gjendjen aktuale të fabrikës dhe minierave të Shoqërisë.
Vlen të theksohet këtu që situata globale në tregun e energjisë mund të ketë një impakt negativ në drejtim të rritjes së kostove pavarësisht se në proceset e minierës ky zë një përqindje të vogël, por te fabrika kjo vlerë është më e madhe dhe mund të impaktojë në një rritje që mund të përllogaritet në 2-4% të kostos së produktit përfundimtar”, thuhet në raport.
“TETE ALBANIA TUNNEL & MINING” është hyrja e vetme në “Monitor 200” nga sektori i industrisë minerare, me të ardhura 2.5 miliardë lekë dhe zgjerim gati 50%. Sipas raportit të aktivitetit. Kompania është krijuar prej shumë vitesh, por ka njohur zhvillim pas 2017-s, kur si aksionerë hynë turqit e “ILBAK Holding”.
Shoqëria ka përfituar një leje shfrytëzimi nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë që në vitin 2007, për nxjerrjen dhe përpunimin e mineralit të bakrit nga miniera ekzistuese në Spaç, Mirditë. Ndërtimi i fabrikës së re përfundoi në 2018-n dhe ka filluar nxjerrjen dhe përpunimin e bakrit.
“Kombinati i Mishit” raportoi të ardhura me rreth 2.8 miliardë lekë, me rritje 12%. Por, kompania shpreh shqetësimin për rënien e fuqisë blerëse dhe rritjen e kostove që nuk mundësojnë që të kryhen investimet e nevojshme.
Sipas raportit të aktivitetit, “tipar dallues i kësaj periudhe është ulja e të ardhurave nga aktiviteti i shfrytëzimit, e cila ka ardhur nga shumë faktorë, ku më kryesori është ulja e fuqisë blerëse të konsumatorit.
Po ashtu, gjatë vitit 2021, janë ulur investimet në krijimin dhe blerjen e aktiveve afatgjata dhe në marrjen e teknologjive të përparuara që garantojnë cilësinë më të lartë të përpunimit, magazinimit dhe ruajtjes së mallrave ushqimore. Po sidoqoftë, këto investime janë vlerësuar të rëndësishme në përballimin e konkurrencës dhe në qëndrueshmërinë e treguesve financiarë”.
Grupi EHW, me aktivitet në përpunimin e mishit, prodhimin e ujit, supermarkete etj., raportoi 6.6 miliardë lekë të ardhura, me zgjerim vjetor prej 13%. Prej disa vitesh, EHW raporton bilancin si grup, përfshirë dhe ujin “Qafshtama”.
Sipas raportit vjetor, “sot EHW ushtron aktivitetin prodhues në Tiranë, në stabilimentin e ndodhur në autostradën Tiranë-Durrës, ndërsa aktiviteti tregtar shtrihet në të gjithë vendin dhe në vendet fqinje. Me kalimin e viteve, kompania EHW e ka diversifikuar aktivitetin e saj, së pari ka investuar në prodhimin e ujit ‘Qafshtama’, edhe ky një aktivitet shumë i suksesshëm.
EHW është zotëruese e 100% të aksioneve të shoqërisë ‘Qafshtama’ sh.p.k. Në vitet e fundit, EHW ka investuar në rrjetin e supermarketeve ‘Conad Albania’. Ajo zotëron 55% të aksioneve të shoqerisë ‘Conad Albania’.
Shoqëria EHW ka investuar gjatë vitit 2021 në rinovimin e teknologjisë për të rritur konkurrueshmërinë në treg. Një investim të rëndësishëm ka bërë dhe shoqëria ‘Qafshtama’, pjesë e grupit, e cila kompletoi me linjat teknologjike të prodhimit fabrikën e dytë. Gjatë vitit 2021 u investua edhe në hapjen e tre supermarketeve të rinj”.
Eksportuesi vuajnë rënien e Euros
Ndonëse industria e veshjeve të këmbëve e mori veten në vitin 2021, pas rënies që shënoi në vitin pandemik, rritja e kërkesës nga partnerët e huaj po pengohet nga dy faktorë.
Së pari, rënia e ndjeshme e Euros ka ulur të ardhurat në lekë të eksportuesve.
Së dyti, ata po hasen me probleme të mëdha në gjetjen e fuqisë punëtore, duke bërë që të mos përballojnë dot kërkesën nga porositësit.
“Fital”, “Albaco Shoes” janë prodhuesit më të mëdhenj të këpucëve në vend.
“Albaco Shoes” ka rritur lehtë të ardhurat me 2.1%, në 2.1 miliardë lekë.
“Fital” ka raportuar rritje të ardhurash me vetëm 1% në 1.7 miliardë lekë. Sipas raportit të aktivitetit, efekte negative në treguesit e vitit 2021 ka dhënë kursi i këmbimit të Euros, e cila në fillim të vitit 2020 ka qenë 123.70 lekë/euro, ndërsa në fund të vitit 2021 ka qenë 120.76 lekë/euro.
Kompania FITAL SH.P.K është një ndër eksportuesit kryesorë në tregun shqiptar, me afro 1.7 miliardë lekë eksporte për vitin 2021. Për vitin 2021 ka një numër mesatar prej 1,025 punonjësish.
“Marsi-al”, me aktivitet në prodhimin, tregtimin e artikujve të veshjeve të punës ka dalë nga “Monitor 200” pas rënies së të ardhurave me 23%, në 1.3 miliardë lekë. Ka dalë dhe “Ambra”, që në 2020-n u bë një nga përfitueset e krizës, për shkak se u përqendrua në prodhimin e maskave e veshjeve, të lidhura me pandeminë.
Në vitin 2021, eksportet e veshjeve të këmbëve u rritën me 13.6%, pas rënies me 20% me bazë vjetore në 2020-n, por sërish nuk i arritën nivelet e parakrizës. Sektori vijon të ketë varësi të lartë nga Italia, drejt së cilës shkuan 86% e shitjeve totale të këtij grupi.
Industria e miellit
Industria e përpunimit të miellit u zgjerua në vitin 2021, pas rënies në vitin e pandemisë.
“Shoqëria Anonime Mielli” (Miell Tirana) ka deklaruar rritje të të ardhurave me 12%, në 1.9 miliardë lekë, duke qenë e vetmja nga ky segment, e mbetur në listën e 200 të mëdhave. Por, kompania po haset me probleme të shumta.
Sipas raportit vjetor “në vitin 2021 jemi përballur me pasojat e pandemisë COVID-19. Me një rritje të çmimeve të lëndëve të para, materialeve ndihmëse, paketimit dhe kostos së punës. Ulje të konsumit të miellit nga emigrimi i pjesës më vitale të shoqërisë dhe për shkak të rënies së fuqisë blerëse.
Faktor për rënien e sasisë së shitur ka qenë dhe konkurrenca dhe hyrja në treg e aktorëve të rinj. Rënia e konsumit, për shkak të uljes së popullsisë nga emigrimi i të rinjve drejt vendeve perëndimore.
Për shkak të pikave të sipërpërmendura edhe konkurrenca ka qenë edhe më e ashpër dhe në 6-mujorin e dytë të vitit kemi pasur dhe një aktor të ri në treg, Miellin Mokra i cili ka operuar me çmime më të ulëta nga ne, deri në vlerën 4-5 lekë/kg”
“Bloja”, që ishte sipërmarrja më e madhe e këtij lloji në vend para dy vitesh, ka dalë nga renditja e më të mëdhave. Në vitin 2021 ka raportuar rreth 1.5 miliardë lekë qarkullim vjetor, pa ndryshime nga 2020-a.
“Atlas Millis” kishte të ardhura prej 1.3 miliardë lekësh, me rënie prej 175 me bazë vjetore.
CWI- Albania, sipërmarrja më e re në prodhim, problem rritja e energjisë
CWI- Albania (ÇOKYASAR WIRE INDUSTRY ALBANIA) është sipërmarrja më e re në fushën e industrisë, një investim dhe bashkëpronësi shqiptaro-turke. E themeluar në vitin 2019, kompania nisi prodhimin e telave të galvanizuar, që përdoren për rrjeta ose kosha.
Sipas burimeve të kompanisë, investimi është rreth 6 milionë euro dhe aktiviteti nisi në janar 2021, pas disa vonesave për shkak të pandemisë. Në vitin e parë të aktivitetit, shoqëria realizoi të ardhura prej 2.2 miliardë lekësh, duke hyrë në renditjen e “Monitor 200”.
Andi Toçi, CFO i kompanisë pohon se mbi 90% e prodhimit shkon për eksport, me destinacion kryesor Italinë. Produkti shkon pothuajse kudo në Ballkan, ndërsa ka arritur deri në tregje të largëta, si Brazili. 95% e lëndës së parë merret nga brenda vendit, nga Kurum.
Kompania ka rreth 100 të punësuar. Duke qenë në zonën e Elbasanit, Toçi thotë se nuk kanë vështirësi në gjetjen e fuqisë punëtore edhe për faktin se pagat janë ndër më të lartat në këtë segment, me rreth 60-70 mijë lekë në muaj. Problemi kryesor është lëvizshmëria e lartë e stafit, kryesisht në emigracion. “Pasi punojnë 3-4 muaj punonjësit tentojnë të largohen nëse gjejnë ndonjë mundësi për të ikur në emigracion”.
Ashtu si gjithë industria, CWI- Albania është goditur rëndë nga shtrenjtimi i energjisë, që ata e sigurojnë në tregun e lirë, pas janë të përfshirë në tensionin 35 kv, duke bërë dhe një investim rreth 700 mijë euro për një nënstacion elektrik.
“Për momentin po e blejmë energjisë në treg të lirë me 550 euro mwh, nga 70-80 euro në fillim të vitit 2021”, thotë Toçi. Shtrenjtimi i energjisë është reflektuar në çmim. Por muajt e fundit, për të ruajtur klientët, Toçi thotë se kanë qenë të detyruar të shesin nën kosto.
Rritja e industrisë mbështetëse automotive
Sektori mbështetës i industrisë automotive ka njohur zhvillimin më të vrullshëm gjatë viteve të fundit dhe është nga të paktët që po tërheq investime e gjeneron punësim.
Ky sektor kryesisht punon me sistemin e materialit të porositësit, përmes montimit të sistemeve elektrike dhe mori hov pasi shtetet e Europës Lindore, si p.sh. Çekia, kaluan në një fazë më të lartë teknologjie, duke bërë që proceset më të thjeshta të zhvendoseshin në vende që kanë ende kosto të lira të fuqisë punëtore.
Në Shqipëri, prej vitesh, janë vendosur fabrika që përpunojnë tela, kabllo, gomina apo pjesë të thjeshta për kompani ndërkombëtare si Mercedez Benz, KIA, Hyundai, Peugot, Renault, Fiat Group apo të tjera si Sumitomo Electric Industries.
Kompanitë aktive që i përkasin industrisë automotive në vend janë Forschner Albania, Delmon Group Albania, PSZ Albania, Yura Corporation dhe SEWS Cabind Albania, ku secila prodhon për kompani të huaja, duke përshtatur ritmin me kërkesën që përditësohet herë pas here.
Zhvillimi i këtyre fabrikave ka sjellë rritje të shpejtë të eksporteve grupit të “makinerive, pajisjeve e pjesëve të këmbimit”. Sipas INSTAT, eksportet e këtij grupi pothuajse u trefishuan në krahasim me vitin 2016, kur filloi rritja e vrullshme, duke arritur në gati 29 miliardë lekë në vitin 2021. Pesha e makinerive e pajisjeve në totalin e eksporteve u rrit në 8% në vitin 2021, nga 4.5% në 2016.
Kompanitë, nga ana e tyre, kanë parë një rritje të shpejtë të të ardhurave.
“Yura Corporation Albania” sh.p.k., më e madhja në industrinë mbështetëse të automjeteve, ka katërfishuar të ardhurat në 4 miliardë lekë, duke hyrë te më të mëdhatë në vitin e dytë të aktivitetit në Shqipëri.
“SEWS Cabind Albania” hyri në Shqipëri në vitin 2019. Në vitin 2021, në vitin e parë të plotë të aktivitetit, të ardhurat ishin rreth 1 miliard lekë. Mario Scarfalloto, menaxher i “SEWS Cabind Albania” ka pohuar për “Monitor” se kompania e ka zgjeruar vazhdimisht aktivitetin.
“Nga janari 2022, ia kemi dalë me sukses që të hapim disa linja të reja prodhimi në fabrikën tonë të dytë, e cila sot ka sipërfaqe operative prodhimi prej 70%. Ne parashikojmë që ta kompletojmë të gjithën në fund të vitit fiskal 2022 (mars 2023).
Zgjerimi është kryesisht i lidhur me parashikimin e planit të plotë të biznesit të projektit të SEWS CA dhe gjithashtu me angazhimin e përmbushjes së kërkesave të klientit tonë, që vijojnë të jenë sfiduese, për shkak të volumit të porosive, më shumë sesa për shkak të mungesës së komponentëve.
Ne po përgatisim të gjitha linjat për të qenë gati kur kërkesa të jetë sërish në nivelet e mëparshme, që parashikohet të zërë vend kryesisht në pjesën e dytë të vitit fiskal.
Dua të shtoj se zgjerimi e bëri të nevojshëm punësimin e më shumë njerëzve në fabrikë, duke arritur mbi 1 mijë”. Por ai shton se problem është gjetja e fuqisë punëtore. “Kjo është tani një nga çështjet më shqetësuese për momentin.
Po shohim që, me hapjen e kufijve, heqjen e kufizimeve të COVID, shumë njerëz po largohen nga Shqipëria për në Itali, Gjermani dhe vendet e tjera të Europës. Kjo krijon mungesë të forcës punëtore në kompani që kanë vendosur të zgjerojnë biznesin në Shqipëri dhe brenda Shqipërisë”.
“PSZ Albania” raportoi të ardhura prej rreth 450 milionë lekësh.
LEXONI EDHE:
200 VIP-at e vitit 2021. Rreziqet pas rimëkëmbjes së shpejtë
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.