Nga Laura Çela
Industria tekstile dhe e këpucëve ka njohur rënien më të thellë që nga fillimi i krizës katër vjet më parë. Në të dhënat e fundit të Institutit të Statistikave konfirmohet se prodhimi në tremujorin e dytë të këtij viti në ndërmarrjet tekstile ka rënë 24% krahasuar me një vit më parë, ndërsa në atë të këpucëve rënia ka qenë 18%.
Ky sektor po vazhdon të vuajë uljen e kërkesës nga partnerët ndërkombëtarë, me ritmet e rënies që janë përkeqësuar në raport me muajt e parë të vitit. Eksportet e tekstileve dhe këpucëve ranë me 5.1% me bazë vjetore, në 41.2 miliardë lekë për periudhën janar-gusht, duke humbur vendin e parë në eksportet shqiptare sipas grupmallrave.
Ky sektor është i rëndësishëm për punësimin, sidomos të familjeve me të ardhura të ulëta, teksa vlerësohet se ai punëson direkt apo indirekt rreth 100 mijë të punësuar.
Pritshmëritë e fasonistëve, sipas anketimeve të “Monitor”, janë të zymta, teksa nuk pritet ndonjë rigjallërim i kësaj industrie, – që është tepër e rëndësishme në termat e punësimit të shtresës së varfër, në pjesën e mbetur të vitit.
Të dhënat nga përfaqësuesit e sektorit konfirmojnë mbylljen e disa ndërmarrjeve të vogla, kryesisht deri në 30 punonjës, në disa rrethe të vendit. Kompanitë janë detyruar të ndalojnë aktivitetin për një periudhë të pacaktuar, në pritje të përmirësimit të situatës.
Ato që po e pësojnë më shumë janë ndërmarrjet e vogla, të cilat përgjithësisht kanë pasur partnerë të vegjël, si dhe kanë punuar si nënkontraktorë të kompanive më të mëdha të fasonit në vend.
Lindita Legisi, presidente e Dhomës Kombëtare të Prodhuesve të Veshjeve thotë se janë disa firma që tashmë kanë shkurtuar stafin, kanë ulur orët e punës dhe të tjera që kanë mbyllur përkohësisht aktivitetin.
“Ka rënie të ndjeshme, nëse e krahasojmë me një vit më parë. Porositë janë ulur dhe pritet që të ulen edhe më shumë në muajt në vazhdim. Klientët tanë po kërkojnë më pak sasi dhe më shumë larmi”, thotë Legisi.
Edhe kompanitë e transportit, që realizojnë eksportet e porosive jashtë vendit, konfirmojnë rënien e ndjeshme të sasive që çdo ditë e javë udhëtojnë nga ndërmarrjet shqiptare drejt tregjeve europiane.
“Sasia e kamionëve me tekstile apo këpucë që ne eksportojmë drejt Europës është përgjysmuar gjatë këtyre muajve”, thotë Jonadri Prodani, drejtues në agjencinë e transportit “Dyrrahsped”.
Sipas të dhënave nga Dhoma, kompanitë e prodhimit të këpucëve kanë pësuar rënie më të ndjeshme dhe krizë më të thellë sesa ndërmarrjet tekstile.
Por të mëdhatë rriten
Sipas fasonistëve, për sezonin e ardhshëm, rënia në këtë sektor mund të arrijë deri në 20% krahasuar me një vit më parë. Prandaj kompanitë kanë ulur kostot, por po kërkojnë partnerë të rinj, sidomos në Francë dhe Gjermani. Por me gjithë krizën, rënien e porosive dhe klientëve, ato që po vuajnë më pak, ose që kanë asimiluar thuajse situatën negative, janë kompanitë e mëdha të fasonit. Drejtues të disa ndërmarrjeve në disa rrethe të vendit, të pyetur nga “Monitor”, konfirmojnë se ecuria ka qenë e kënaqshme, pasi kanë mundur të gjejnë partnerë të rinj, që paguajnë në kohë dhe kërkojnë cilësi, duke e “mposhtur” krizën në “shtëpinë e tyre”.
“Do të investoj në blerjen e makinerive të reja, me qëllim që t’u përgjigjem kërkesave të klientëve, të cilat, tashmë janë më të pakta, por më të larmishme. Po kërkoj partnerë të rinj dhe po intensifikoj investimet në makineri”, thotë znj. Legisi. Shumë kompani të mëdha fasoni po kërkojnë të përfitojnë në një kohë kur industrialistët në Europë po kërkojnë sasi të pakta, larmishmëri dhe dërgesë të shpejtë, avantazh i sektorit shqiptar të regjimit të përpunimit aktiv.
Gjergj Leqejza, i cili prodhon për një nga kompanitë më të mëdha italiane të veshjeve të brendshme “Cotonella” thotë se ritmet e prodhimit janë të njëjta me një vit më parë dhe nuk kanë pësuar rënie.
“Është e vërtetë që kriza është rrotull nesh, por ne kemi mundur ta përballojmë shumë mirë. Gjatë kësaj kohe, ne jemi bërë shumë më agresivë në ofertën tonë, kemi shtuar larminë e modeleve, ngjyrave dhe koleksioneve dhe njëherësh, kemi qenë konkurrues edhe me çmimet”, thotë Leqejza.
Konfirmim pozitiv vjen edhe nga Keti Bazhdari, drejtuese e një tjetër kompanie tekstilesh në vend. Kompania “BellaConfex” ka njohur rritje gjatë kësaj periudhe, falë shtimit të porosive nga partnerët italianë.
“Është e vërtetë që kemi parë gjatë këtyre muajve ndërmarrje të vogla që kanë mbyllur aktivitetin, por në kompaninë tonë, panorama ndryshon. Ne kemi vazhduar të rritemi, falë një partneri të aftë në Itali. Firma për të cilën punojmë, gjatë krizës ka qenë shumë agresive, ka zgjeruar tregun aty ku janë mbyllur firma që ofrojnë të njëjtin produkt, duke qenë konkurrues në cilësi dhe çmime”, thotë Bazhdari.
Duket se kompanitë vendase të fasonit, të cilat kanë pasur dhe kanë partnerë të huaj strategjikë, firma të njohura dhe solide, nuk po i ndjejnë efektet e krizës.
Sipas të dhënave të industrialistëve, më së shumti e kanë pësuar kompanitë që kanë punuar me firma në Greqi dhe me kompani të vogla në Italinë e Jugut, që kryesisht kanë qenë në segmentin të ulët-të mesëm.
Paulin Radovani, i cili është menaxher i kompanisë së prodhimit dhe eksportit të këpucëve, “Adelchi-Shqipëria”, thotë se ecuria e aktivitetit ka qenë e mirë, edhe pse ky sektor është goditur më shumë nga kriza.
“Gjatë kësaj kohe kemi qenë më shumë aktivë në gjetjen e partnerëve të rinj, që garantojnë porosi dhe pagesa në kohë. Kemi ndërprerë kontratat me partnerët që na vononin pagesat dhe kemi gjetur klientë më të fuqishëm, kryesisht në Itali”, thotë z. Radovani.
Më shumë marka shqiptare
Për z. Radovani, i cili administron një nga kompanitë më të mëdha të prodhimit dhe eksportit të këpucëve, kriza është një proces i pashmangshëm për një sektor që duhet të nisë të mendojë dhe modelojë ndryshe të ardhmen. Ashtu si në shumë degë të ekonomisë, edhe fasoni duket se do të hyjë në një spirale të re zhvillimi, sipërmarrësit duhet të investojnë në teknologji dhe staf, si dhe të ofrojnë cikël të mbyllur dhe madje edhe markën e vet.
“Çdokush nga ne duhet të përgatitet që, brenda disa viteve, do të duhet të punojë si prodhues dhe tregtues i veshjeve apo këpucëve dhe jo thjesht përpunues. Tashmë kam lançuar markën time personale dhe kam hapur dy dyqane në vend, ndërkohë që kam ecuri shumë të mirë eksporti në Itali, Kroaci dhe Gjermani. Kjo më ka ndihmuar që të mos e ndiej krizën”, thotë z. Radovani.
Planet e administratorit të “Adelchi” janë për zgjerim të mëtejshëm në treg, qoftë me hapjen e dyqaneve në rrethe të tjera të vendit apo me shtim të eksporteve në shtete europiane.
Aktiv në këtë drejtim ka qenë është administratori i “Cotonella” në Shqipëri, Gjergj Leqejza, i cili tregon për “Monitor” se kompania po vijon me planet e zgjerimit të pikave të shitjes brenda vendit.
“Kemi pasur ecuri shumë të mirë me shitjet te dyqanet në disa rrethe të vendit, kjo sepse kemi sjellë një raport të mirë cilësi-çmim. Përveç dyqaneve në Tiranë dhe Korçë, po planifikojmë edhe hapjen e njësive të reja tregtuese në Elbasan dhe Berat”, thotë z. Leqejza. Sipas tij, zgjerimi në tregun vendas ka qenë një zgjedhje e zgjuar e ndërmarrë nga drejtuesit, sepse ka garantuar shtim dhe rritje të të ardhurave. Firma ka edhe dy dyqane në Prishtinë, të cilat kanë shënuar përmirësim. Strategjia me të cilën kanë operuar është hapja e njësive pranë qendrës, meqenëse veshjet që ofrohen janë të fashës së mesme dhe të lartë, e përshtatshme për konsumatorët që kanë të ardhura disi të larta.
Sipërmarrësi do të zgjerojë aktivitetin e qepjes së uniformave ushtarake, eksporti i të cilave në tregjet europiane po ecën me ritme të larta. Vitin e ardhshëm, ai planifikon realizimin e një investimi të ri në makineri dhe pajisje, për të shtuar gamën dhe sasinë e volumeve në këtë pjesë të aktivitetit.
Përshtatje sipas krizës
Edhe Keti Bazhdari ka qenë më se aktive në krijimin e markës së saj. “La Blanche” dhe “Plaetor”, dy markat e zgjedhura prej saj për disa vite janë lançuar në tregun vendas, me qëllimin përafrimin me konsumatorin vendas. Administratorja e “Bella Confex” tregon se me gjithë investimet e ndërmarra, kriza ka ndikuar negativisht në ecurinë e shitjeve.
“Ne po mbyllim tri nga dyqanet tona dhe do të mbajmë të hapur një në rrugën ‘Mine Peza’ dhe një tjetër që po përgatitemi të hapim në Qendrën Tregtare Univers (QTU). Kemi vënë re se në njësinë tonë në ‘Myslym Shyri’, që në fakt ka qenë një nga rrugët me shitje më të mëdha në Tiranë, ka rënie të ndjeshme”, thotë znj.Bazhdari.
Duket se qendrat tregtare, konkurruese në shërbim dhe çmime, si dhe tendenca për të kursyer e konsumatorëve, po orienton ndryshe blerjet. Sot, falë edhe përmirësimit të infrastrukturës në disa zona të Tiranës, konsumatorët po zgjedhin që të shpenzojnë pranë shtëpive (duke kursyer kostot e karburantit) apo në qendra tregtare, ku çmimet janë konkurruese.
“Është fakt se ne kemi më tepër shitje në zonën e ‘Mine Pezës’, sesa në rrugën e famshme të dyqaneve, ‘Myslym Shyri’”, thotë administratorja e “Bella Confex”.
Sipas operatorëve, efekt negativ po jep edhe opinioni i konsumatorëve për këtë rrugë si e shtrenjtë dhe ndoshta “e vështirë për t’u kaluar në një kohë krize”.
Administratorja e “Bella Confex” thotë se janë duke përgatitur hapjen e një dyqani të ri në QTU, ku fluksi i lëvizjeve është i shpeshtë dhe ku është operuar kryesisht me çmime të ulëta e të mesme, “joshëse” në periudhë krize.
Rusia, sfida e re
Tregu rus duket se është sfida e re e industrialistëve shqiptarë. Një grup prej katër ndërmarrjesh vendase të tekstilit kanë marrë pjesë në një panair të zhvilluar në Moskë për këtë sektor, ku është synuar lançimi në një treg të ri dhe dinamik siç është ai rus. Sot, Rusia po shndërrohet në një nga tregjet më të kërkuara nga kompani të ndryshme, për shkak të nivelit të lartë të konsumit, kostos së lartë të jetesës dhe dinamikës së rritjes.
Sipas të dhënave nga sipërmarrësit, ecuria në panair ishte pozitive, ku pati interesime për nisjen e bashkëpunimeve të reja.
“Ne kemi synim që të hyjmë në tregun rus me markat tona, sepse Rusia është një treg i ri dhe i hapur ndaj markave të ndryshme, ndërkohë që mund të operosh edhe me çmime të larta”, thotë Keti Bazhdari.
Sfida është e madhe në vendet europiane, të tipit Gjermani, ku njerëzit janë përgjithësisht të lidhur me markat dhe e kanë të vështirë të ndryshojnë zgjedhje.
Paulin Radovani
“Çdokush nga ne duhet të përgatitet që, brenda disa viteve, do të duhet të punojë si prodhues dhe tregtues i veshjeve apo këpucëve dhe jo thjesht përpunues. Tashmë kam lançuar markën time personale dhe kam hapur dy dyqane në vend, ndërkohë që kam ecuri shumë të mirë eksporti në Itali, Kroaci dhe Gjermani. Kjo më ka ndihmuar që të mos e ndiej krizën”.
Gjergj Leqejza
“Është e vërtetë që kriza është rrotull nesh, por ne kemi mundur ta përballojmë shumë mirë. Gjatë kësaj kohe, ne jemi bërë shumë më agresivë në ofertën tonë, kemi shtuar larminë e modeleve, ngjyrave dhe koleksioneve dhe njëherësh, kemi qenë konkurrues edhe me çmimet”
Keti Bazhdari
“Ne kemi vazhduar të rritemi, falë një partneri të aftë në Itali. Firma për të cilën punojmë, gjatë krizës ka qenë shumë agresive, ka zgjeruar tregun aty ku janë mbyllur firma që ofrojnë të njëjtin produkt, duke qenë konkurruese në cilësi dhe çmime”
Lindita Legisi
“Do të investoj në blerjen e makinerive të reja, me qëllim që t’u përgjigjem kërkesave të klientëve, të cilat, tashmë janë më të pakta, por më të larmishme. Po kërkoj partnerë të rinj dhe po intensifikoj investimet në makineri. Kompani të mëdha të fasonit në vend po kërkojnë të përfitojnë në një kohë kur industrialistët në Europë po kërkojnë sasi të pakta, larmishmëri dhe dërgesë të shpejtë, një avantazh i sektorit shqiptar të regjimit të përpunimit aktiv”.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.