Ministria e Financave shpalli fitues kompaninë “MC Networking” sh.p.k, Përfaqësues Ligjor i Bashkimit të Shoqërive “Admiral Sportwetten” GmbH & “ATSI” spolka akcyjna & “MC Networking” sh.p.k. për dhënien me koncesion të monitorimit të online të lojërave të fatit.
Ministria e Financave njoftoi se kanë qenë pjesëmarrës në procedurën konkurruese “Për përzgjedhjen e operatorit që do të ndërtojë Sistemin Qendror të Monitorimit online (SQMO), të industrisë së lojërave të fatit në Republikën e Shqipërisë”, bashkimi i Përkohshëm i Shoqërive “Admiral Sportwetten” GmbH & “ATSI Spolka Akcyjna” & “MC Networking” sh.p.k. dhe bashkimi i Përkohshëm i Shoqërive “Qualysoft” GmbH & “Comtrade” d.o.o & “Starsat international” sh.p.k & “Communication Progress” sh.p.k.
Ministria e Financave, në rolin e Autoritetit Përgjegjës për procedurën konkurruese ka njoftuar se oferta e paraqitur më datë 23.01.2017 për procedurën konkurruese “Admiral Sportwetten” GmbH & “ATSI Spolka Akcyjna” & “MC Networking” sh.p.k., përfaqësuar nga “MC Networking” sh.p.k., përfaqësues ligjor i bashkimit të shoqërive është pranuar.
Ndërkohë që Ministria e Financave e ka negociuar dhe shpallur kontratën por pa treguar termat financiarë se do të funksionojë ky koncesion dhe çfarë pritet të fitojë ose të humbasë arka e shtetit.
Nëpërmjet një procedure konkurruese, Ministria e Financave, në datën 12 janar të vitit 2017 do të zhvillojë garën për përzgjedhjen e kompanisë që do ndërtojë dhe operojnë një sistem për monitorimin online të bizneseve të lojërave të fatit.
Sipas shpalljes që ka bërë Ministria e Financave mësohet se investimi për ngritjen e sistemit do të bëhet nga kompania fituese e cila do të menaxhojë për një periudhë 30-vjeçare monitorimin e biznesit të bixhozit. Sistemi Qendror i Monitorimit On-Line (SQMO) për industrinë e Lojërave të Fatit do të ketë shtrirje në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë.
Teksa qeveria i ka nisur procedurat për të dhënë me koncesion monitorimin e lojërave të fatit, dy projektligje si nismë e deputetëve janë depozituar në kuvend për të shtyrë afatet e zbatimit të ligjit të ri të lojërave të fatit.
Në janar të vitit 2017, sipas ligjit aktual, bizneset e sektorit të bixhozit duhet të zhvendosnin aktivitetet në periferi dhe të ruanin një distancë jo më të afërt se 200 metra me njëra-tjetrën. Ndërsa ligji i ri për lojërat e fatit kaloi një periudhë dyvjeçare nga miratimi në qeveri deri sa hyri në fuqi. Por edhe pas botimit në QPZ në shkurt të këtij viti, Ministria e Financave dhe Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve nuk lëshoi asnjë udhëzim për zbatimin e ligjit duke e bërë atë praktikisht të pavlefshëm.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.