Edhe klubet u gëzohen rritjes së fitimeve nga Kampionati Botëror i Futbollit 2018. FIFA bëri të ditur sot se u ka shpërndarë 416 klubeve, të 63 federatave të ndryshme, për pjesëmarrjen e lojtarëve në Kampionatin Botëror të Futbollit që u zhvillua në Rusi në total 209 milionë dollarë.
Klubet e UEFA-s kanë përfituar pjesën më të madhe të të ardhurave, 78%, ose ndryshe 157,8 milionë dollarë.
Ndër Federatat kombëtare dominon ajo e Anglisë, me 37,4 milionë dollarë. Pas saj është Spanja (22,5 milionë), Gjermania (18,9 milionë), Italia (17,4 milionë) dhe Franca (15,3 milionë).
Pa dyshim, dhjetë klubet që kishin më shumë lojtarë në ekipet përfaqësuese të Kupës së Botës dhe që do të marrin edhe pjesën më të madhe të fitimeve janë klube të mëdha europiane. Manchester City renditet i pari, me 5 milionë dollarë. Klasifikimi vijon me: Real Madrid CF, Tottenham Hotspur FC, FC Barcelona, Paris Saint-Germain FC, Chelsea FC, Manchester United FC, Club Atlético de Madrid, Juventus FC dhe AS Monaco.
Ndër të tjera, klubet e mëposhtme do të marrin më shumë se 1 milion dollarë: Al Ahly (Egjipt), Al-Ahli FC (Arabi Saudite), CF Pachuca (Meksikë), CA Boca Juniors (Argjentinë), FC Copenaghen (Danimarkë), Celtic FC (Skoci), RSC Anderlecht (Belgjikë), AFC Ajax dhe Feyenoord Rotterdam (Holandë).
“Kupa e Botës është kompeticioni më i rëndësishëm i futbollit në botë, e cila gjeneron pasion dhe emocion nga çdo lojtar dhe tifoz në çdo cep i botës. Jam shumë i kënaqur që skuadra të cilat vijnë nga vende kaq të ndryshme përfitojnë nga ky program, që do të ndihmojë në zhvillimin e mëtejshëm të futbollit në të gjithë botën” – deklaroi presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino.
Raporti i plotë: https://resources.fifa.com/image/upload/2018-world-cup-club-benefits-programme-overview.pdf?cloudid=jggfghtmrieyeayavqqw