Kina mund të hyjë në tregjet europiane nëpërmjet Serbisë dhe është pikërisht një gjë e tillë që Brukseli do të dëshironte ta ndalonte.
Sipas Frank Sieren të Deutsche Welle, vizita e presidentit serb në Kinë është një kujtim i dhimbshëm.
Serbia nuk është ndër opsionet e para që të vijnë në kujtesë kur mendon në lidhje me shtetet me të cilat Kina është duke u përpjekur që të forcojë dhe përmirësojë marrëdhëniet e saj.
Megjithatë, për të kuptuar qasjen e Kinës në tregjet europiane, duhet parë më nga afër marrëdhënia kinezo-serbe.
Në krahasim me fqinjët e saj, Rumaninë, Hungarinë dhe Bullgarinë, Serbisë nuk i duhet t’i përmbahet rregullave ekonomike dhe kufizimeve të BE-së. Prandaj, kjo ka qenë një ndër arsyet kryesore se përse ajo i ka intensifikuar lidhjet e saj gjatë viteve të fundit me Kinën, pa pasur ndërhyrjen e BE-së.
Tapet i kuq për presidentin
Ish-presidenti serb (paraardhës i Vuçiç) Nikoliç bëri pak kohë më parë një vizitë dyditore në Pekin. Fakti që qeveria shtroi tapetin e kuq për Nikoliçin, të cilin e pritën homologu i tij, presidenti Xi Jinping, kryeministri Li Keqiang dhe kryetari i Kongresit Zhang Dejiang, është një tregues i lartë i rëndësisë së kësaj vizite.
Nikoliç u dekorua edhe Qytetar Nderi i Pekinit. Gjatë vizitës së tij, ai takoi edhe përfaqësues të disa prej kompanive kineze më të rëndësishme në vend, duke përfshirë këtu gjigantin e IT-së dhe komunikacionit, Huawei, menaxherët e të cilit ia kanë vënë syrin tregut serb.
Kina është shumë e interesuar për të ndihmuar në zhvillimin e infrastrukturës së Serbisë. Në shkurt, një kompani kineze ka nisur punën në ndërtimin e autostradës E763 ndërmjet Surcinit dhe Obrenovacit, menjëherë pas vizitës së Presidenti Xi në Serbi për nënshkrimin e marrëveshjes gjatë verës së kaluar.
Në fillim të marsit u njoftua se Serbia ishte shumë pranë nënshkrimit të një marrëveshjeje për shitjen e minierës së bakrit dhe shkrirjes RTB Bor tek një kompani minierash kineze. CRBC kineze (China Road and Bridge Corporation) ka nisur punën për ndërtimin e një parku industrial, shkruan Frank Sieren për Deutsche Welle.
Vetëm pak ditë më parë, investitorët kinezë premtuan rreth 200 milionë euro (214 milionë dollarë) për ndërtimin e një autostrade rreth kryeqytetit të Beogradit. Megjithatë, ende nuk është e qartë nëse do të jenë sipërmarrësit kinezë ata që do të ndërtojnë hekurudhën e planifikuar nga Beogradi në Budapest.
Korporatës Ndërkombëtare së Hekurudhave në Kinë iu dha fillimisht ky projekt, por BE-ja aktualisht është duke parë nëse Hungaria mund të ketë thyer rregullat e BE-së mbi tenderët publikë, pasi askush tjetër nuk është interesuar për këtë projekt.
Lëvizje e lirë
Projektet trans-europiane janë zona e vetme ku Brukseli mund të thotë fjalën e tij. Në përgjithësi, Serbia po luan jashtë strukturës së lejuar të BE-së, sepse në të kundërt, Brukseli do të kishte reaguar menjëherë kundër lehtësive në heqjen e vizave, marrëveshje në të cilën ranë dakord vitin e kaluar, Kina dhe Serbia. Pas kësaj marrëveshjeje, qytetarët e secilit prej këtyre dy shteteve mund të udhëtojnë lirisht, pa pasur nevojën e nxjerrjes së vizave, për një periudhë 30-ditore. Shumë gjermanë do ta adhuronin një gjë të tillë.
Serbia shpreson të përfitojë nga një bum i vogël turistik. Për herë të parë gjatë shkurtit të këtij viti, Kina mori pjesë në panairin vjetor të turizmit në Serbi. Edhe pse Serbia është shumë larg të qenët si destinacioni më i preferuar nga kinezët, situata është duke ndryshuar, sidomos gjatë viteve të fundit. Viti i kaluar shënoi një rritje me 29% në numrin e vizitorëve kinezë në Serbi. Rreth 43.000 turistë nuk është se përbëjnë ndonjë ndryshim të madh në ekonominë serbe, por gjithsesi një shifër me 12,000 turistë më shumë krahasuar me atë të vitit 2011, është një fillim i mbarë.
Qeveria serbe është duke i vendosur të gjitha shpresat e tij në një fluturim direkt mes Pekinit dhe Beogradit. Në një prej broshurave gjatë panairit të turizmit promovohej lëvizja e lirë në Ballkanin pa kufij. Për disa, kjo mund të tingëllojë si një periudhë pushimesh të qeta, por për BE-në një lëvizje e tillë e Kinës është një përpjekje për të fituar terren në Ballkan.
Serbia kërkon ndihmën e Kinës
Duke qenë se serbët sa vjen e po bëhen gjithnjë e më shumë skeptikë ndaj përfitimeve të anëtarësimit në BE dhe në NATO, Beogradi po mundohet që t’i forcojë lidhjet me Kinën. Pekini, nga ana e tij, ka nevojë për një Serbi të fortë, si porta lidhëse me Europën për realizimin e projekteve të saj.
Gjatë vizitës së presidentit kinez, Xi Jinping, në Beograd, në qershor 2016, të dy vendet nënshkruan një marrëveshjeve në fushën e bashkëpunimit ekonomik, dhe ekspertët besojnë se edhe më shumë marrëveshje të tilla do të mund të nënshkruhen gjatë vizitës së këtij viti të presidentit serb në Pekin.
Kina është duke inkurajuar proceset integruese që po ndodhin në botë, sepse ajo synon që të forcojë mbështetjen në Euroazi, dhe madje edhe vendet e vogla dhe financiarisht të parëndësishme si Serbia shihen nga Pekini, si një element potencial në realizimin e projekteve të saj ekonomike, u shpreh Alexander Larin, një ekspert në Institutin e Lindjes së Largët në Moskë.
Në vitin 2015, Kina dhe Serbia nënshkruan një memorandum mbi ndërtimin e përbashkët të një rruge tokësore dhe detare Silk Road.
Ndërkohë, plani ambicioz i presidentit Xi për modernizimin infrastrukturor në zemër të Europës si pjesë e projektit të New Silk Road është duke hasur pengesa. Autostrada e shumëpërfolur nga Beogradi në Budapest po pengohet nga kërkesat dhe kërkimet e BE-së në lidhje me marifete të tenderëve publikë.
Në vitin 2013, Kina, Serbia dhe Hungaria nënshkruan një marrëveshje për të ndërtuar një autostradë afërsisht deri në 350 kilometra që do të kalonte nga Beogradi në Budapest, ku faza e parë e projektit do të lidhë Kinën me Portin e Pireut në Greqi dhe në zemër të Europës.
Georgy Engelgard, një ekspert në Institutin e Studimeve Sllave në Moskë, beson se çështja do të diskutohet gjatë bisedimeve të Pekinit. “Investimet kineze do të luajnë rol të rëndësishëm në jetën ekonomike të Serbisë dhe shteteve të tjera të Ballkanit. Brukseli po bën çdo përpjekje për të kontrolluar zgjerimin ekonomik të Kinës dhe është duke ushtruar presion të fortë, si një formë kontrolli nga ana e saj në Beograd”, tha Sputnik.
Ai shtoi se Kina po shihet gjithnjë e më shumë nëpërmjet perspektivës kundër-SHBA dhe kundër-NATO, si një mik të fuqishëm dhe si një lloj kundërpeshe ndaj dominimit të BE-së.
Të dy vendet nuk kanë probleme politike, ekonomike dhe të sigurisë dhe Kina ndan plotësisht qëndrimin e Beogradit për Kosovën dhe çështje të tjera”, tha Ren.