Nëse zbritet shuma e detyruar për t’iu rimbursuar vetëm një kompanie hidrokarburesh, ritmi i të ardhurave nga TVSH ulet me 3 pikë përqindjeje…
Të ardhurat reale nga Tatimi mbi Vlerën e Shtuar nuk janë rritur me ritmet që raporton Ministria e Financave, për shkak se, në shumën e njoftuar përfshihet edhe TVSH që duhet të rimburësohet ndaj kompanive.
Në fund të 10 mujorit, të ardhurat nga TVSH-së sipas publikimeve zyrtare të financave janë rritur me 14.5 për qind, në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Po të zbritet detyrimi si TVSH që duhet rimbursuar vetëm ndaj kompanisë së hidrokarbureve, Bankers Petrolium, që deri në fund të vitit arrin në 36 milionë dollarë, kjo rritje nuk është më shumë se, 11.5 për qind ose 3 pikë përqindje më pak se raportimet e financave.
Përqindja e rritjes se të ardhurave nga TVSH rrezikon të tkurret edhe më shumë, nëse qeveria shlyen TVSH e rimbursueshme që ka mbartur këtë vit edhe ndaj kompanive të tjera të biznesit.
Duke marrë në konsideratë vetëm detyrimin ndaj kompanisë kanadeze të nxjerrjes së naftës, të ardhurat neto nga TVSH për periudhën 11 mujore janë 110.7 miliardë lekë dhe jo 113 miliardë siç raportohet.
Sipas burimeve zyrtare nga kompania e xjerrjes së naftës, dhe më e madhja në vend sipas xhiros, Bankers Petroleum, procesi i rimbursimit të TVSH-së eci mirë në muajt e parë të vitit, por më pas ai ngeci, duke krijuar vështirësi likuiditeti për kompaninë (teksa dhe arkëtimet janë ulur si rrjedhojë e rënies së çmimit të naftës), dhe duke e detyruar atë të ulë kapacitetin e prodhimit. Bankers u fut për herë të parë këtë vit në skemën e TVSH-së, pas një vendimi të qeverisë për të hequr përjashtimin nga TVSH-ja për hidrokarburet në fazën e shfrytëzimit, ndërsa mbetet përjashtimi për fazën e shfrytëzimit. Më shumë se një qëllim për të rritur të ardhurat nga TVSH (që gjithsesi kompanive do t’u rimbursohen), kjo lëvizje u argumentua nga qeveria me rritjen e kontrollit mbi këtë sektor.
Bankers aktualisht pret rimbursimin e një shume prej 18 milionë dollarësh (që ka kaluar kontrollin e tatimeve), ndërsa për gjithë vitin, shuma e TVSH-së që duhet rimbursuar llogaritet në rreth 36 milionë dollarë. Sipas ligjit aktual, kjo shumë i duhet paguar kompanisë brenda marsit të vitit të ardhshëm. Në një letër zyrtare drejtuar autoriteteve kryesore, kompania kërkon përshpejtimin e procedurave të rimbursimit të TVSH-së.
Ministria e Financave gjatë këtij viti ka shlyer detyrimet e mbartura të TVSH deri në vitin 2013 nëpërmjet një fondi rreth 13 miliardë lekësh. Shlyerjet që nisën në mars të këtij viti shkuan për rimburësimin e borxheve të krijuara nga qeverisja e kaluar.
Në krahasim me vitet e kaluara të ardhurat nga TVSH janë rritur me ritme shumë më të larta se taksat dhe tatimet e tjera, në një kohë që qarkullimi i mallrave dhe konsumi nuk janë rritur në të njëjtën masë. TVSH ka mbajtur rreth 70% të rritjes së të ardhurave gjatë këtij viti, duke neutralizuar dhe rendimentin e dobët të tatim fitimit dhe akcizës (plani I të cilave u ul me rishikimin e buxhetit në shtator).
Ministria e Financave e shpjegon këtë fakt me rritjen e administrimit fiskal. Por opozita e ka cilësuar flluskë rritjen, duke argumentuar se, të ardhurat nga TVSH janë raportuar bruto, duke mos zbritur vlerat që duhen të rimburësohen sipas ligjeve në fuqi.
Ligji aktual i TVSH parashikon rimburësimin e TVSH –së për 30 ditë, por në raste të vecanta drejtori i DPT-sa ka të drejtë ta shtyjë për 60 ditë. Ligji I ri I TVSH –së që pritet të hyjë në fuqi me 1 janar të vitit 2015, detyron rimburësimin e tatimit me bazë rrisku.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.