Fluturimet në Rinas “pezull”, Komiteti i Mbrojtjes Civile vendos zëvendësimin e kontrollorëve

08/04/2021 10:45 AM 0 komente

Në faqen e Aeroportit Ndërkombëtar të Tiranës fluturimet mbeten pezull.

Statusi i nisjeve të parashikuara nga Rinasi për në disa vende është “i anuluar” për të paktën katër prej tyre ndërkohë që për Bergamon ku nisja parashikohet në 12:00 statusi është ai i “check in”.

Fluturimi drejt Dortmundit është riskeduluar kurse ai për në Dubai në 14:30 është shtyrë. Pjesa tjetër e fluturimeve prej nëntë në total mbeten me status pezull. Situata me ndalimin e fluturimeve nuk lidhet me TIA por me mbylljen e navigimit të hapësirës ajrore në vend pas refuzimit të kontrollorëve të Albcontrol për të vijuar punën. Një ditë më parë Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi pas marrjes në kontroll të godinave të Albcontol nga Forcat e Armatosura nën argumentin se ishte cenuar siguria kombëtare mblodhi Komitetit të Mbrojtjes Civile.

Në këtë komitet u shqyrtuan variantet e mundshme të zgjidhjes së situatës ku së pari zgjidhja e emergjencës së fluturimeve dhe kthimi në normalitet i navigimit të trafikut ajror. Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë i është kërkuar që të marrë masa për të rikthyer në punë kontrollorët ose për t’i zëvendësuar ata qoftë me të huaj, qoftë me vendas. Po kështu është diskutuar për të përcaktuar kriteret e licencimit për të rinisur fluturimet sa më pare.

Zhvillimet me Albcontol

Një ditë më parë kontrollorët e Albcontol deklaruan paaftësi për punë për shkak të stresit duke paralizuar kështu fluturimet në hapësirën ajrore shqiptare. Përshkallëzimi i situatës erdhi pas disa kohësh negociata mes sindikatës dhe qeverisë ku kontrollorët argumentuan se kishin disa kërkesa të lidhura me kthimin e 5 kolegëve të tyre të larguar nga puna në detyrë, rrëzimin e vendimit të Bordit dhe rikthimin e kontratave kolektive në gjendjen e mëparshme si dhe transparencë për shpenzimet e vitit 2020.

Në dy dalje për mediat Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku u shpreh se shkak për këtë situatë është bërë kërkesa e kontrollorëve për t’u rikthyer në nivelin e pagave të para pandemisë kur trafiku ajror ishte në normalitet. Ulja e pagave të kontrollorëve nga 4400 USD në 2490 USD sipas Ballukut është bërë në kuadër të situatës së vështirë në transportin ajror ku fluturimet të paktën për Shqipërinë kanë rënë me 57 për qind.

Në daljet e Ballukut nuk munguan edhe akuzat se ky ishte një grusht shteti dhe i organizuar politikisht për të ndaluar ardhjen e vaksinave Pfizer të cilat ishin programuar për ditën e djeshme (datë 7 prill). Ajo i bëri thirrje kontrollorëve që të ktheheshin në vendin e punës teksa për të tjerë do të merreshin masa ligjore.

Në vijim të kësaj pas marrjes nën kontroll të godinës së Albcontol nga Ushtria, më vonë Policia e Shtetit ka bërë shoqërimin e 26 kontrollorëve pas nisjes së hetimeve nga Prokuroria e Tiranës.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of