Vlerësimet paraprake të Prodhimit të Brendshëm Bruto për tremujorin e fundit 2011 në Britaninë e Madhe kanë zbritur me 0,2%. Në harkun vjetor, prodhimi shënoi një rritje prej 0,9%. Pritshmëritë ishin për rënie më të fortë mujore dhe një rritje vjetore lehtësisht më të dukshme. Zyra Britanike e Statistikave nënvizon se protestat në sektorin publik për pensionet në fund të muajit nëntor kanë dhënë ndikim në Prodhimin e Brendshëm Bruto të këtij tremujori. Në të gjithë vitin e kaluar, PBB britanike u rrit 0,9% krahasuar me 2,1% që u rrit në 2010. Sipas statistikave, muajt e fundit të 2011-s u mbyllën me rënie të prodhimit industrial në 1.2%. Sektori i prodhimit pësoi rënien më të madhe prej më shumë se dy vitesh. Ndërtimet ranë me 0.5% ndërsa sektori i shërbimeve, që përbën tre të katërtat e Prodhimit të Brendshëm Bruto, rezulton në stanjacion.
Një raport i dytë i Zyrës Kombëtare të Statistikave tregon se industria britanike e shërbimeve ka regjistruar rritje mujore prej 0,6% në nëntor dhe rritje tremujore vetëm 0,1%.
Zhgënjyese, por jo e papritur. Kështu e ka komentuar kancelari George Osborne tkurrjen e PBB-së britanike në tremujorin e fundit 2011. Në një komunikatë, ai shpjegon se “Britania e Madhe ka probleme të mëdha ekonomike, një borxh të akumuluar në harkun e dhjetë viteve, por e vërteta është se situata e krijuar në Eurozonë e ka bërë më të vështirë administrimin e këtyre problemeve”.