Hyrja e Plaza Tirana, në tregun luksoz të hotelerisë së kryeqytetit, e ka rritur me 30% ofertën për këto shërbime, teksa kërkesa nuk ka ecur me të njëjtat ritme. Pronarët dhe menaxherët e hoteleve luksoze pohojnë se zhvillimet në sektor janë pozitive, me rritje vjetore të të ardhurave 5-10%. Gara e fortë për ndarjen e tregut 10 milionë euro dhe sinjalet për zgjerim të mëtejshëm në shërbimet me pesë yje nga kompanitë vendase
Nga Blerina Hoxha
Hotelet luksoze në Tiranë janë kthyer trendi më i fundit i manjatëve shqiptarë të ndërtimit. Tani kur mundësitë e sektorit janë drejt shterimit, një pasuri me vlerë në qendër të kryeqytetit, hotel apo qendër biznesi është një investim i mirë, sidomos për perspektivën. Shqipëria gjithnjë e më shumë po bëhet tërheqëse për të huajt, të cilët për arsye pune apo turizmi po vizitojnë Tiranën. Ata më të guximshmit po kapin çastin. Krahas markave të njohura ndërkombëtare Rogner dhe Sheraton, në Tiranë po lulëzon biznesi i hotelerisë luksoze nga kompanitë shqiptare. Hotel Tirana dhe së fundmi Plaza Tirana janë vënë denjësisht në këtë garë, teksa shumë shpejt pritet të nisë një projekt tjetër superluksoz në sheshin Skënderbej. Me hyrjen e Plaza Tirana në treg, oferta për shërbime luksi është rritur me 30%, por apo rritet me të njëjtat ritme edhe kërkesa. Menaxherët e Hotel Rogner pohojnë se ka një zgjerim të kërkesës, por jo aq e fortë sa për të nxitur investime të reja voluminoze në sektor. Tregu kryesor i këtyre hoteleve janë menaxherët e kompanive të huaja që vizitojnë për arsye pune Tiranën dhe ky treg është i lidhur me ecurinë e investimeve të huaja, shpjegojnë menaxherët e Rogner. Kërkesën në rritje për shërbime hotelerie e ka pohuar edhe pronari i Hotel Tirana International, Ramë Geci, i cili shpjegoi se të ardhurat në vite nga shërbimet e hotelerisë kanë qenë në rritje të qëndrueshme me 5%. Ai tha se përveç emrit, traditës dhe vendit në të cilin ndodhet, Hotel Tirana mbetet konkurruese veç të tjerash për organizimin e konferencave. Shërbimet luksoze të kombinuara me çmimet e ulëta dhe kapacitetet akomoduese e kanë bërë Hotel Tiranën më të pëlqyeshmin në treg. Tre hotelet e mëdha, Rogner, Sheraton nën menaxhimin e Mak Albania, dhe Hotel Tirana, patën një qarkullim vjetor prej rreth 10 milionë eurosh referuar të dhënave nga bilancet. Të ardhurat e tyre kanë shënuar rritje me rreth 5-10%. Por këtë vit, gara duket të jetë e fortë teksa Plaza Tirana është futur me shërbimet me pesë yje me infrastrukturën më të fundit të shërbimeve të këtij lloji në 190 dhomat e tij.
Menaxherët e Rogner dhe Hotel Tirana pohojnë se, biznesi i tyre nuk do të preket nga kjo konkurrencë. Burimet nga tregu pohuan se më së shumti, hotel Sheraton ka pasur një rrjedhje të klientelës për shkak të futjes në fund të vjeshtës të Plaza, pasi ofrojnë të njëjtat standarde shërbimesh me pesë yje. Menaxherët e Sheraton nuk pranuan të prononcohen por, përveç Plaza-s duket se punimet për stadiumin e ri ‘Qemal Stafa’, vetëm pak metra larg hotelit, kanë ulur kërkesën momentalisht.
Pasiguritë që po shfaq Turqia e kanë zhvendosur kërkesën për shërbime hotelerie dhe konferencash në vende të tjera të rajonit. Çmimet e lira dhe pozita gjeografike e favorizojnë turizmin e konferencave. Ramë Geci i Tirana International ka pohuar një kërkesë në rritje për konferenca rajonale këtë vit.
Fabian Qazimi, menaxher në Plaza, është i befasuar nga prenotimet për konferenca e akomodim në muajt parë të vënies në punë të hotelit. Hotel Rogner pohon të njëjtin trend, duke e konfirmuar me zgjerimin e kapaciteteve edhe me 30 dhoma e 4 salla të reja konferencash që u futën në punë për herë të parë këtë vit.
Tregu, në zgjerim të shpejtë
Ajo fillimisht u nis për të funksionuar si një qendër biznesi, por drejtimi ndryshoi rrugës kur investimi po bëhej. I pozicionuar në qendër të Tiranës, vetëm tre minuta nga Parlamenti i Shqipërisë, Galerisë Kombëtare të Arteve, The Plaza është hoteli më i ri ndërkombëtar me 5 yje. 190 dhoma dhe Suita të shpërndara në 23 katet e godinës, Hotel Plaza e ka rritur ofertën për shërbime luksi me 30%. Nga rreth 640 dhoma që kanë funksion të katër hotelet, 30% i shërben Plaza Tirana, një emër tërësisht shqiptar që synon të bëhet ofruesi i shërbimeve “Made in Albania” të hotelerisë luksoze të standardit me 5 yje.
Fabian Qazimi, një nga menaxherët e Hotel Plaza, thotë se tregu shqiptar është duke përjetuar një rritje bindëse. Kjo ndikon shumë dhe në shumëllojshmërinë e klientëve, por dhe në dëshirën e tyre për të bërë biznes në kushte europiane. Kjo padyshim ka qenë një nga pikat e forta të studimit dhe The Plaza ishte përgjigjja për këtë zhvillim pozitiv të tregut tonë, shpjegon Qazimi.
Por teksa ai pohon një sukses në rritje vetëm pak muaj pasi Plaza është hapur, vijnë sinjale për zgjerim të mëtejshëm të tregut.
Ramë Geci, pronari i vetëm i Hotel Tirana International, pohon se ka plane për t’u zgjeruar më tej në shërbimet e hotel-turizmit për të çuar më lart emrin dhe shërbimet e Hotel Tirana. Ai tha se këtë vit ka pasur shumë raste që prenotimet në Hotel Tirana kanë qenë në të gjithë kapacitetin dhe shumë kërkesa janë kthyer mbrapsht.
Burimet nga tregu pohojnë se një projekt i ri, rreth 30 kate, është në pritje të nisë ngjitur me sheshin Skënderbej. Qendra e konceptuar si shumëfunksionale, kryesisht hotel, por në katet e para të saj do të ketë dyqane të luksit, zyra biznesi dhe në katet e sipërme dhoma dhe suita hoteli dhe salla të mëdha konferencash.
Por menaxherët e tregut pohojnë se investimet në hotelerinë e luksit do të kenë mbikapacitete dhe do të shtrembërojnë konkurrencën nëse Investimet e Huaja Direkte nuk ecin me të njëjtin ritëm. Ata pohojnë se, ekonomia shqiptare nuk po përjeton një bum investimesh në atë masë që të lulëzojnë hotelet që strehojnë menaxherët. Por vërehet se ka një kërkesë në rritje për grupet e turizmit. Tirana është tashmë pjesë e tureve ballkanike të shumë agjencive globale, teksa pasiguria në Turqi po sjell një ofertë turistike në rritje, nga e cila mund të përfitojnë edhe hotelet luksoze të Tiranës.
Kalorësit e hoteleve ndajnë baras tregun
Të katër hotelet në Tiranë, Sheraton, Plaza, Rogner dhe Hotel Tirana punësojnë rreth 2000 persona direkt.
Përveç Plaza-s, tre hotelet e tjera kanë realizuar një xhiro prej 10 milionë eurosh vitin e kaluar. Hotel Sheraton ende nuk ka bërë publike të ardhurat për vitin 2015, por të dhënat nga bilancet pohojnë se kompania raportoi xhiro 750 milionë lekë në vitin 2014, me një rritje 23% në krahasim me 2013. Mbi 350 milionë lekë ishin të ardhura që u arkëtuan nga prenotimet e dhomave nga të huajt. Hotel Rogner raportoi të ardhura 594 milionë lekë, me rritje 9% krahasuar me vitin 2014. Menaxherët e Rogner pohuan se 70% e të ardhurave realizohen nga kërkesa e korporatave që nënkupton shërbime për akomodimin e menaxherëve të kompanive të huaja. Për t’iu përgjigjur kërkesës, por edhe konkurrencës në rritje, Rogner ka rritur kapacitetet e akomodimit me 20% këtë vit dhe gjithashtu ka shtuar edhe 4 salla të reja luksoze konferencash.
Ndërsa të ardhurat e kompanisë Geci ltd, ku përfshihet edhe Hotel Tirana ishin 869.8 milionë lekë, me një rritje 0.8% në krahasim me vitin 2014. Por zoti Geci, presidenti i Kompanisë Geci ltd, tha se të ardhurat e realizuara nga Hotel Tirana kanë një rritje të qëndrueshme me nga 5% në vit. Geci pohoi se vitin e kaluar, Hotel Tirana ka bërë një rikonstruksion total të ambienteve, duke rritur ndjeshëm standardin e shërbimit. Gjithashtu Geci ka plane për zgjerim të mëtejshëm në të njëjtën linjë hotelerie.
Çfarë thonë të huajt për hotelet luksoze të Tiranës
Trip Advizor, “libri” më i madh i përshtypjeve online për hotelet, flet edhe për hotelet luksoze të Tiranës. Në përgjithësi ka vlerësime pozitive, por ka vërejtje për shërbimin ushqimor në mëngjes, zhurmave në mjedis, por në përgjithësi vlerësimet janë pozitive për mikpritjen e stafit dhe vaktet e shijshme.
Duke ju referuar Trip Advisor për Hotel Tiranën, 119 ose mbi 30% e vizitorëve kanë dhënë vlerësim ekselent, 133 shumë të mirë, 66 persona kanë dhënë vlerësim mesatar, 11 kanë dhënë vlerësim jo të mirë. Gati gjysma e vizitorëve kanë qenë për qëllimi biznesi, 66 vizitorë kanë qenë çifte, të tjerët kanë udhëtuar me familjet ose shokët.
Një qytetar grek, që ka fjetur në Hotel Tirana këtë vit, për qëllime biznesi tha se pati një përvojë të bukur pas një rruge të lodhshme në Shqipëri me makinë.
Mikpritja e shkëlqyer nga stafi, dhoma shumë të rehatshme dhe një pamje pa pengesa ndaj sheshit kryesor, zveniten pak nga zhurmat e punimeve në sheshin qendror të Tiranës.
“Unë kam qenë edhe 6 vite më parë më parë dhe, edhe atëherë, sheshi qendror ka qenë në punime, por këtë herë, shpresoj që ato do të jenë përfundimtare. Hoteli kishte palestër dhe një pishinë që unë nuk e kam vizituar, por mëngjesi ishte e varfër me shije të thjeshta, njësoj si blloku i vjetër lindor. Por hoteli ka një pamje të këndshme, çka e bën atë më shumë vlerë.
Një britanik që ka udhëtuar për punë është shprehur se Tirana International Hotel & Conference Center ofron strehim elegant dhe një qendër Spa me sauna, banjë me avull, palestër dhe pishinë të brendshme. Ka Wi-Fi falas në të gjitha ambientet si dhe parkim falas. Ai është i vendosur pranë Ministrisë së Ekonomisë, Ministrisë së Drejtësisë dhe Ministrisë së Mbrojtjes, Muzeut Kombëtar, Pallatit të Operës dhe Galerisë së Arteve, të cilat janë vetëm disa metra larg hotelit.
Një tjetër vizitor që ka qenë vetëm për një natë në këtë hotel dhe me siguri do të vijë përsëri. Ka kaluar kohë të gëzueshme në hapësirën e tij të bukur dhe mbi të gjitha, nën mirësinë dhe profesionalizmin e njerëzve të cilët punojnë atje. Dhomat janë të arreduara bukur, të rehatshme dhe të mëdha. Ushqimi është i shkëlqyer – ka thënë ai për Hotel Tiranën.
Nga 256 përshtypje në Trip Advisor për Rogner, mbi 50% e tyre, ose 154 klientë, kanë dhënë vlerësim ekselent, 108 shumë mirë, 17 mirë dhe 5 dobët. Gati 60% e tyre kanë udhëtuar për qëllime biznesi, pjesa tjetër kanë udhëtuar për turizëm në çift ose me familjen e miqtë.
Një gjerman që qëndroi 15 ditë në këtë hotel tha se ishte ndier mirë. Ai ka pohuar se hoteli ishte afër një zone me restorante dhe të jepeshin shumë alternativa për të shijuar vakte të lira dhe të shijshme edhe jashtë hotelit. Nga hoteli lëvizjet bëhen shumë lehtë në çdo cep të Tiranës me taksi.
Një klient nga Vojvodina e Serbisë tha se ishte ndier shumë mirë në katër netët që kishte fjetur në hotel. Çmimi është shumë i mirë. Dhomat nuk janë deri në 5 yje, por shërbimi është. Restoranti dhe mëngjesi në të janë shumë të mirë. Ka kopsht të bukur dhe pishinë të hapur.
Një tjetër klient e ka vlerësuar ushqimin e shkëlqyer dhe dhomat të bukura. Ambienti i jashtëm është shumë i këndshëm për të kaluar kohë të lirë dhe për të ngrënë gjithashtu.
“Kam dëgjuar kaq shumë për historinë e hotelit. Personeli ishte miqësor, por hoteli në vetvete ka nevojë për më shumë facilitete për pirjen e duhanit”.
Hoteli ofron strehim modern dhe një hapësirë të madhe në natyrë, pishinë dhe shpesh pret muzikë live”, – thotë një klient tjetër.
Ekselente janë dhënë 106 përshtypje nga 250 që kanë lënë ata që kanë qëndruar në Hotel Sheraton. 107 ishin shumë mirë, 26 mesatare dhe 9 dobët, rreth 40% e vizitave ishin për qëllime biznesi dhe të tjerat udhëtime në çift ose me familjen e miqtë për turizëm.
Një klient që ishte në Sheraton Tirana këtë vit tha se shërbimi ishte fantastik dhe se hoteli është i vendosur në një vend të shkëlqyer. Dhomat kanë hapësirë dhe janë të mirëmobiluara, shtretërit janë të rehatshëm dhe shërbimi i internetit është i mirë. Unë e dashuroj sidomos vendndodhjen e tij. Ju mund të ecni në këmbë deri në qendër të qytetit për vetëm 15 minuta. Një tjetër vizitor thotë se hoteli është afër qendrës por ai tha se duhet të përmirësohej lidhja me internetin. Por një vizitor tjetër është shumë i pakënaqur. “Gjërat ishin të gjitha drejt greminës. Tualeti nuk është pastruar, dushi në të cilin është larë vizitori para meje nuk është tharë. Unë u ankova disa herë po ata nuk i morën kurrë parasysh vërejtjet e mia”.
Një vizitor turk ka qenë i kënaqur me Sheraton Tirana. Ai është me pesë yje dhe ndodhet në një zonë argëtuese komplekse në zemër të Tiranës. Ka palestër, dy pishina, një bar piano dhe një restorant, të gjitha në dispozicion të mysafirëve. Dhomat janë luksoze dhe të ajrosura, shprehet ai.
Një tjetër vizitor që qëndroi në Sheraton Tirana në një konferencë tha se ishte shumë i befasuar me stafin dhe mirësjelljen e tyre.
Plaza Tirana nuk ka më shumë se tre muaj në treg dhe ka marrë 30 përshtypje në Trip Advisor, nga të cilat 27 ishin shkëlqyeshëm. 15 nga përshtypjet kanë qenë nga vizitorët e biznesit dhe të tjerat për qëllime turistike.
Një zviceran qëndroi një natë në Plaza dhe pohoi standardin 5 yje. Dhoma është shumë moderne dhe shumë e pastër, ka lidhje të mirë WI-FI. SPA–ja është e bukur dhe me pamje të mahnitshme. Ai gjithashtu tha se mëngjesi ishte shumë i mirë, por shërbimi gjatë mëngjesit mund të përmirësohet. M’u desh dy a tre herë të kërkoj një kafe ekspres! Procedura në Check-in mund të jetë më e shpejtë, thotë vizitori zviceran.
Në përgjithësi ai tha se pati një përvojë shumë pozitive në Tiranë me standardet ndërkombëtare të hotelit.
Një tjetër vizitor vuri në dukje se stafi ishte miqësor, ambientet e pastra, pamje fantastike, mëngjesi i bollshëm, dhoma fantastike, në qendër të qytetit dhe në afërsi me ndërtesat qeveritare.
Një tjetër vizitor tha se ky hotel i ri u jep mundësi atyre që janë në kërkim për diçka të vërtetë të stilit të lartë dhe të ngrohtë.
Problem, informaliteti dhe standardizimi
Shërbimi i hotelerisë është padyshim një nga më informalët në vend. Me gjithë aksionet në terren dhe strategjitë antiinformalitet, vijon të mbetet e tillë. Tirana është plot me hotele brenda pallateve që jo vetëm që nuk janë të regjistruara, por kanë guxuar të vënë edhe yje. Për Ramë Gecin, aksioneri i vetëm i Hotel Tirana, kjo është shqetësuese. Kjo gjë prish tregun dhe krijon një emër të keq për shërbimet. Duke shfrytëzuar prenotimet online, këto struktura akomodimi joshin shumë nga klientët e huaj, të cilët pasi i provojnë, ikin të tmerruar nga Shqipëria, duke lënë një shije të hidhur pas dhe duke dëmtuar në këtë mënyrë edhe operatorët seriozë të fushës. Menaxherët e hoteleve të mëdha kërkojnë që qeveria të vendosë standardet e yjëzimit në mënyrë që klientët të jenë të qartë për ata që zgjedhin. Është absurde, sipas tyre që në mes të Tiranës, brenda një pallati, të përdoren dy-tre kate për hotel dhe të vihen tre-katër yje.
Mungon inventari kombëtar i ofertës së akomodimit
Aktualisht nuk ka të dhëna zyrtare të sakta mbi hotelet e regjistruara dhe mbi kapacitetet e shtretërve. Sipas statistikave të grumbulluara për vitin 2012 nga Zyra e Shërbimit Turistik, kapaciteti i akomodimit përbëhet nga 27.716 shtretër, në 670 hotele. Ky kapacitet duket se nuk është i saktë, sipas një vlerësimi që ka bërë Ministria e Ekonomisë në kuadër të Strategjisë Kombëtare të Turizmit.
Kapaciteti i hoteleve dominohet nga hotele të vogla. Mbi 80% e hoteleve të regjistruara kanë më pak se 20 dhoma dhe vetëm 7% kanë më shumë se 40 dhoma.
Vetëm 30 hotele janë klasifikuar zyrtarisht (kategorizimi me yje) dhe nga këto vetëm 3 hotele janë klasifikuar me 5 yje. Vetëm dy hotele në Tiranë menaxhohen nga shoqëri ndërkombëtare; Hotel Rogner dhe Hotel Sheraton. Duke iu referuar vendndodhjes së tyre, 80% e hoteleve ndodhen në zonat bregdetare dhe liqenore (Velipojë, Shëngjin, Durrës, Kavajë, Vlorë, Sarandë, Pogradec), 10% e hoteleve, në Tiranë dhe 10% në zona të tjera. Shumë struktura akomodimi, veçanërisht në zonat bregdetare, menaxhohen si biznese familjare, ku dhomat u ofrohen tregjeve të turistit vendas dhe atij të pavarur. Këto karakteristika nuk janë të favorshme për të kënaqur tregun turistik të huaj. Oferta e akomodimit në zonat rurale që u shërben turistëve të natyrës është zhvilluar në mënyrë modeste. Në zonat natyrore malore janë ngritur shumë pak hotele dhe një numër i kufizuar bujtinash. Vlerësimi për vitin 2012 ishte rreth 150 bujtina në zona si Thethi, Kelmendi, Tropoja dhe Voskopoja.
Numri i kampingjeve (të regjistruar) kohët e fundit në Shqipëri është rreth 20; veçanërisht në zonat natyrore paraqitet një mundësi e mirë për të krijuar shumëllojshmëri të produktit të akomodimit. Një numër i zgjedhur kampingjesh janë mbështetur nga projekti GIZ-ADAC (Klubi Automobilistik Gjerman) për t’u ofruar në tregun europian të kampingut.
Të gjitha llojet e strukturave të akomodimit dhe të ofertave të turizmit në natyrë, si dhe sektori i turizmit rural kanë nevojë për mbështetje të vazhdueshme për zhvillimin e produktit.
Pjesa më e madhe e ofertës së produktit të akomodimit është shumë poshtë standardeve ndërkombëtare të funksionimit dhe ofron jo mjaftueshëm cilësi të lartë krahasuar me standardet ndërkombëtare.
Nga viti 2008, klasifikimi i strukturave të akomodimit nuk është më i detyrueshëm me ligj.
Një numër hotelesh kanë vendosur vetë standardin e klasifikimit me yje, sipas vlerësimit të tyre personal.
Që prej vitit 2010, një skemë e certifikimit të cilësisë bazuar në kujdesin për klientin, të quajtur “Authentic Albania” (Shqipëria Autentike), i është ofruar hoteleve për pjesëmarrje mbi bazë vullnetare. Zbatimi i Projektit është mbështetur nga USAID, në bashkëpunim me ATA (Shoqata Shqiptare e Turizmit). Deri tani janë certifikuar 63 hotele.
——————–
Kapaciteti i akomodimit, 92% në informalitet
Sipas vlerësimeve të qeverisë, kapaciteti i shtretërve në strukturat akomoduese të ligjshme dhe të riregjistruara përfaqëson vetëm rreth 7,4% kundrejt 92,6% të kapacitetit të shtretërve që i përket kapacitetit të akomodimit informal dhe të paregjistruar.
Tregu i paregjistruar (informal) i dhomave dhe apartamenteve, të cilat jepen me qira, është një pjesë e konsiderueshme e ofertës në zonat bregdetare. Nuk ka regjistrim të dhomave dhe apartamenteve private, të cilat jepen me qira nga pronarët e banesave në destinacionet, si dhe për shtëpitë e dyta.
Gjendja e apartamenteve dhe dhomave private me qira kryesisht është e përqendruar në destinacione bregdetare, si Durrës, Shkëmbi i Kavajës, Golem, Vlorë dhe Sarandë. Kapaciteti akomodues i paregjistruar jo vetëm që përfaqëson një nivel “shumë të lartë” informaliteti në tregun e akomodimit turistik dhe shmang pagimin e taksave vendore për qeveritë vendore, por ajo përbën edhe një konkurrencë të pandershme në tregun e akomodimit.
Gjithashtu, standardet e tyre nuk kontrollohen fare. Referuar kapacitetit të shtretërve të regjistruar në zonat bregdetare dhe një numri të vlerësuar të mbërritjeve të turistëve të huaj, si dhe kërkesës së brendshme për pushime në plazh në periudhën korrik – gusht 2012, është kalkuluar se për të akomoduar këtë numër turistësh në zonën bregdetare, nevojitet një kapacitet total prej rreth 254.400 shtretërish.
——————–
Hotelet pohojnë rritje kërkese për vitin 2017
Hotelet në plazhet kryesore të vendit pohuan se ka rritje të kërkesës për të pushuar në Shqipëri verën e ardhshme. Vala e prenotimeve ka ardhur nga Çekia, Polonia dhe Sllovakia.
Zef Pemati, një nga menaxherët e Rafaelo Resort, me kapacitet akomodimi mbi 2000 persona në natë, thotë se gati gjysma e kapaciteteve të hotelit është prenotuar nga agjencitë çeke dhe sllovake. Pemati tha se verën e shkuar, resorti aplikoi paketën me të gjitha të përfshira “all inclusive” kundrejt një çmimi 35 euro në ditë. Duket se përfitimet nga produktet kanë qenë të mira për të dyja palët. Duke pasur ofertën e garantuar, fitimi ka qenë i sigurt dhe gjithashtu, përderisa prenotimet janë bërë për verën e ardhshme, vizitorët kanë mbetur të kënaqur. Pemati pohon se rritja e kërkesës për të pushuar në Shqipëri po vjen edhe për shkak të pasigurisë që po shfaq Turqia. Ai pohoi se agjencitë e Europës Lindore kanë shtuar interesin për prenotime në Shqipëri. Pas një reklame pozitive që i është bërë vendit nga mediat prestigjioze ndërkombëtare, të huajt kanë rritur preferencat për pushime në Shqipëri. Pemati tha se çmimet e ulëta e bukuritë natyrore janë ato që tërheqin dhe me të cilat Shqipëria konkurron aktualisht me rajonin. Për më tepër, ai shpjegon se tashmë resorti Rafaelo ka krijuar një traditë dhe klientelë të vazhdueshme, të cilat bëjnë prenotime vit pas viti.
Menaxheri i hotelit Dolce Vita në Durrës, një nga më të mëdhenjtë në brigjet e Adriatikut, pohoi se pothuajse i gjithë hoteli është prenotuar që javën e kaluar. Ai pohoi se prej tre-katër vitesh ka një kërkesë në rritje për të pushuar në Shqipëri, por për verën e ardhshme, kërkesa ka qenë e lartë. Ai pohoi se Çekia, Sllovakia, Polonia, madje edhe Ukraina kanë rritur prenotimet në Shqipëri. Hoteli ka një kapacitet akomodues 280 persona dhe tashmë pothuajse është zënë. Menaxherët thanë se po u përshtaten edhe kërkesave të agjencive të huaja, duke ofruar paketa të posaçme.
Të njëjtën tendencë pohuan edhe menaxherët e hotelit Fafa në zonën e Malit të Robit. Menaxheri tha se, kërkesa këtë vit nga agjencitë e huaja është më e lartë. Ndaj, për të përfituar vlera më të larta nga kërkesa në rritje, ambientet e hotelit janë restauruar totalisht, si nga brenda dhe nga jashtë. Ai tha se pjesa më e madhe e prenotimeve janë bërë nga turistët çekë dhe polakë. Menaxheri shtoi se hoteli ka nisur të ofrojë paketat all inclusive dhe ka investuar edhe në përmirësimin e shërbimit.
Edhe menaxheri i Divjaka Resort, në zonën e Divjakës, konfirmoi një rritje të kërkesës këtë vit. Ashtu si dhe menaxherët e hoteleve të tjera, ai pohoi se pjesa më e madhe e kapaciteteve është e zënë nga agjencitë çeke dhe polake. Përveç çmimeve të ulëta, Divjaka tërheq edhe dashamirësit e shpendëve.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.