Flet Këshilltari i Presidentit të SOCAR, Murad Heydarov
Shqipëria është një treg i pazhvilluar dhe gazi nuk është shumë përfaqësues në kombinimin e burimeve të energjisë. Shanset që nuk duhen humbur…
Nga Nertila Maho
Shqipëria duhet të jetë aktive në lobimin e saj pranë institucioneve financiare ndërkombëtare për t’i afruar ato rreth projektit të gazifikimit. Kjo do t’i siguronte asaj mundësinë që masterplani në letër të konkretizohej. Për Këshilltarin e Presidentit të SOCAR (kompania shtetërore e naftës dhe gazit në Azerbajxhan), njëkohësisht CEO i SOCAR Balkans dhe anëtar bordi në projektin e gazsjellësit TAP, Murad Haydarov, zgjidhja është te mbështetja e jashtme. Sipas tij, afrimi i palëve të tjera të interesuara si Banka Botërore, qeveritë europiane përfshi edhe atë të Azerbajxhanit, mund të ishin zgjidhja për financimin e një projekti si gazifikimi.
“Asnjë vend nuk mund të mbështetej vetëm te burimet e veta për të zbatuar një projekt si ky. Edhe vendet e zhvilluara s’mund ta bëjnë këtë. Ajo që do të na pëlqente dhe që po shohim si mundësi është ngritja e një grupi investitorësh që përfaqësojnë grupe interesi të ndryshme, që të ndihmojnë qeverinë shqiptare të zbatojë projektin. Këto mund të jenë Komuniteti i Energjisë, Bashkimi Europian, mund të jetë Banka Botërore, qeveri të ndryshme europiane përfshirë edhe qeverinë e Azerbajxhanit, por ideja është të kesh një grup të plotë investitorësh që do të koordinonin asistencën ndaj Shqipërisë për të zbatuar projektin”, tha Haydarov në një intervistë për Monitor. Ai shprehet se SOCAR do të dëshironte të zgjeronte më shumë projektet e saj në rajonin e Ballkanit Perëndimor, ku përfshihet edhe Shqipëria, por legjislacioni i Bashkimit Europian ka disa limitime që duhet të respektohen.
Shqipëria ka shprehur ambicien e gazifikimit dhe ka avancuar deri në hartimin e një masterplani. Ju si e shihni këtë objektiv? Sa gjasa ka të realizohet apo rrezikon të mbetet thjesht një ëndërr në sirtar?
Ne kemi qenë në negociata me qeverinë shqiptare për projektin që lidhet me gazifikimin e vendit tuaj dhe janë disa marrëveshje të bazuara në një memorandum të vitit 2014, kur Shqipëria kërkoi asistencën tonë teknike për të ndihmuar në ngritjen e një tregu gazi. Mendojmë që ky është një projekt realist dhe Shqipëria e meriton që të jetë pjesë e korridoreve të gazit për dy arsye: Shqipëria është një pjesëmarrëse direkte në Korridorin e Jugut duke ofruar territorin e saj për Gazsjellësin Trans Adriatik dhe sigurisht nëse vendi bashkëpunon me investitorët dhe klientët në garantimin që gazi të transmetohet në treg, duke përdorur territorin e vendit sigurisht, që është logjike që të kuptohet dhe ambicia e qeverisë për të marrë nga ky gaz.
Së dyti, Shqipëria lokalizohet në një rajon që ne e quajmë Ballkani Perëndimor, një rajon që vuan më shumë nga mungesa e burimeve të gazit dhe nga varësia tek një burim energjie. Në rastin e Shqipërisë, kemi një vend me një treg të pazhvilluar dhe gazi nuk është shumë përfaqësues në kombinimin e burimeve të energjisë. Në të kaluarën, ky vend ishte prodhues gazi por burimet janë mbaruar. Ndaj ky është një prioritet për Bashkimin Europian dhe Komunitetin e Energjisë, si dhe për Azerbajxhanin që të ndihmojë këto vende të Ballkanit Perëndimor për të siguruar gaz në mënyrë të përballueshme, të mjaftueshme dhe në mënyrë të rregullt për të rritur sigurinë energjetike të tyre dhe të ofrojnë një opsion më konkurrues energjetik për industrinë dhe popullsinë.
Cilat janë disa nga përfitimet që mund të ketë ekonomia nga plani i gazifikimit?
Së pari është një produkt që ofron energji të pastër, në të njëjtën kohë gazi është shumë më konkurrues sesa burimet e tjera të energjisë, ndoshta me një përjashtim të hidrikut, por duhet të kuptojmë se pjesa e energjisë nga burimet hidrike ka një pasiguri të madhe që e shoqëron. Për shembull, di që kjo verë ishte shumë e thatë dhe kjo preku sigurinë energjetike të vendit. Është e vërtetë se Shqipëria ka burime të pasura ujore por kjo nuk është e mjaftueshme për të garantuar siguri të mjaftueshme energjetike. Ndaj përveçse të qenët një mall shumë konkurrues, gazi është edhe një garantues i sigurisë energjetike. Edhe nëse ky vend nuk varet tërësisht tek gazi dhe ka disa burime të tjera, sërish duhet një kombinim i burimeve të qëndrueshme, duke siguruar që vendi dhe popullsia të marrë energji në çdo kohë, në çdo stinë dhe me sasinë që kërkohet për të mbajtur një situatë normale ekonomike.
Cilët janë disa nga sektorët që mund të përfitojnë të parët nga gazi?
Mendoj se e para nga të gjitha, industria. Dhe përmes zhvillimit të energjisë termale shtesë (termocentralet) nga gazi, kjo do të sjellë shumë përfitim edhe për popullsinë. Si hap i dytë, fokusi duhet të jetë te qytetet e mëdha apo komunitetet e mëdha që mund të gëzojnë furnizimin alternativ me energji, por idealja sikurse e thashë është të nisni me industrinë.
Për të zbatuar një projekt si ky i gazifikimit, padyshim që do një mbështetje shumë të madhe financiare. Shqipëria nuk ka në dispozicion një shumë të tillë që mund të kalojë miliarda euro. Cila është rruga më e mirë për të siguruar këtë mbështetje financiare në këndvështrimin tuaj?
Me siguri, Shqipëria nuk i ka këto para që duhen për një projekt si ky dhe ajo s’mund ta bëjë e vetme këtë pjesë. Por duke marrë parasysh zhvillimin e shpejtë ekonomik të Shqipërisë dhe krahasuar me atë çfarë ishte vendi katër apo pesë vite më parë, ajo që vë re është një rritje e shpejtë. Së dyti, asnjë vend nuk mund të mbështetet vetëm te burimet e veta për të zbatuar një projekt si ky. Edhe vendet e zhvilluara s’mund ta bëjnë këtë. Ajo që do të na pëlqente dhe që po shohim si mundësi është ngritja e një grupi investitorësh që përfaqësojnë grupe interesi të ndryshme, që të ndihmojnë qeverinë shqiptare të zbatojë projektin. Këto mund të jenë Komuniteti i Energjisë, Bashkimi Europian, mund të jetë Banka Botërore, qeveri të ndryshme europiane, përfshirë edhe qeverinë e Azerbajxhanit, por ideja është të kesh një grup të plotë investitorësh që do të koordinonin asistencën ndaj Shqipërisë për të zbatuar projektin.
SOCAR është një nga kompanitë më të mëdha që operon në sektorin e gazit në nivel ndërkombëtar, por edhe një aksionere me 20% të aksioneve në projektin TAP. A po shihni mundësi të tjera për investime në Shqipëri, ose angazhimin me projekte të reja qoftë dhe gazifikimi?
Po marrim në vlerësim disa mundësi për projekte biznesi në rajon në përgjithësi, jo vetëm në Shqipëri, por duhet të kemi parasysh që ka kufizime nga Bashkimi Europian për pjesëmarrjen tonë sipas legjislacionit. Ne kishim plane të mëdha, si fillim për blerjen e DESFA-s (kompania shtetërore greke e transmetimit të gazit) por për fat të keq nuk mund të mbyllnim një marrëveshje për shkak të limitimeve që imponon legjislacioni europian për gazin. Ndaj, ndërsa do të shohim mundësi të reja biznesi për këtë rajon, do të na duhet të marrim parasysh edhe limitimet që ekzistojnë dhe sfida të tjera ligjore. Por ne po vazhdojmë ta shohim këtë rajon si një treg potencial për gazin tonë në një fazë të dytë të Korridorit Jugor të gazit, që është kontraktuar për të transmetuar fillimisht 10 miliardë metër/kub gaz në Europë duke nisur nga 2020.
Projekti po avancon sipas planit dhe gazi do të jetë gati për tregun europian. Tani po shohim për fazën e dytë dhe çfarë mund të bëjmë dhe këtu përfshihen edhe rajonet potenciale. Strategjia e marketingut është e orientuar tek Europa Juglindore, Ballkani Perëndimor, ndoshta ato vende që janë me një rrjet gazi si Bullgaria apo Greqia. Ndaj nga kjo perspektivë ne kemi plane të mëdha, por po i shohim me kujdes këto plane, po informohemi sesi prezenca jonë mund të garantohet në këtë rajon si dhe po zgjerojmë konsulencën tonë teknike duke e parë veten si një burim gazi dhe jo si investitor dhe e gjitha kjo për shkak të limitimeve të legjislacionit për energjinë në BE.
A ka SOCAR një interes direkt te projekti tjetër i gazsjellësit IAP (Jonian-Adriatik)?
E shohim IAP-in si një zgjatim logjik të Korridorit të Jugut, ndaj mendojmë që IAP mund të bëhet një pjesë integrale e këtij korridori. Sigurisht që para është një rrugë e gjatë dhe duhet që të kalojmë disa faza, por jemi të lumtur të bashkëpunojmë me promovuesit e projektit, do të japim asistencën tonë teknike, do të koordinojmë edhe pjesën e lobimit të jashtëm për IAP dhe komunitetin e tij. Ndaj në këtë fazë, plani është që të ngrihet kompania e projektit për t’i çelur rrugë hapave të tjerë. Sapo të ngrihet kjo kompani, ne do të vendosim se cilët do të jenë fazat e tjera.
Çfarë mund të bëjë qeveria për të përmirësuar klimën e biznesit dhe për të tërhequr investitorë të rinj në këtë fushë, pra tek gazi?
Mendoj se qeveria e re do të ketë vullnetin për ta përmirësuar dhe sigurisht, e para është përmes amendimeve të legjislacionit sipas kërkesave që imponon Komuniteti i Energjisë apo Bashkimi Europian. Sërish ne kuptojmë që Shqipëria ka shanse shumë të mira për të përmbyllur procesin e integrimit në BE, ndoshta në këtë drejtim, disa nga masat që do të merren, do t’i shërbejnë dy çështjeve, së pari liberalizimit të mëtejshëm të ekonomisë dhe kjo të jetë më pas në shërbim të integrimit. Deri më tani, qeveria ka punuar mirë, të paktën në raport me atë që ne shohim mbi projektet tona, nuk kemi pasur asnjë problem me asnjë prej qeverive sa i përket Projektit Trans Adriatik në territorin shqiptar.
Kjo qeveri ka përdorur në shumë raste pjesën e partneriteteve publike-private për shërbime apo projekte. Nuk përjashtohet që edhe pjesa e gazifikimit të ketë një përvojë të tillë? Ju si e shihni këtë opsion?
Nëse kjo do të garantonte një zbatim të planit të gazifikimit, pse jo. Për masterplanin e gazit duhet të ketë shumë palë të interesuara dhe përfshirja publike dhe private njëkohësisht mund të jetë një hap i mirë.
Vitin e kaluar pati një rishikim të marrëveshjes mes TAP dhe Shqipërisë, ku u fol për një rritje të përfitimeve. Çfarë e ndryshoi mendjen e aksionerëve që të bëheshin këto lëshime?
Dua të saktësoj diçka. Nuk ka ndryshuar asnjë në marrëveshjen mes TAP dhe Shqipërisë. Por kjo marrëveshje kalon në disa faza. Është ajo fillestare ku bihet dakord mbi disa pika dhe kur çështja ka avancuar dhe palët kanë arritur objektivat, ka një fazë të re negocimi më të detajuar. Koncepti origjinal nuk ka ndryshuar ndërkohë që ishte parashikuar një fazë negociatash sepse vetë TAP është angazhuar që në fillim për të ndihmuar qeverinë me masterplanin e gazit, në termat e përfitimeve sociale për popullsinë, për të marrë përsipër ndërtimin e kapaciteteve për institucionet e gazit. Kjo ishte marrëveshja fillestare. Ajo që ndodhi që negociatat u finalizuan, marrëveshja e etapës së re, u finalizua dhe tani është faza e re ajo e zbatimit që ka filluar.
TAP është parë si një zgjidhje për situatën në Europë lidhur me sigurinë energjetike. A besoni që kjo është vërtet një fazë e re për kontinentin dhe Ballkanin?
Po vërtet mendoj se po hyjmë në një fazë shumë interesante të industrisë së gazit që është integrimi i gjithë Europës në një treg energjie. Ne si prodhues kemi një interes të madh dhe mendojmë që mund të kontribuojmë pozitivisht në këtë fazë. Sapo të kemi një treg të madh europian të integruar me përfshirjen e disa vendeve që nuk kanë pasur industri gazi apo janë varur shumë në një burim, është një mjedis legal dhe i përshtatshëm tregtar për ne që të kontribuojmë dhe të jemi prezentë. Nga kjo perspektivë, ne besojmë se Korridori Jugor i Gazit mund të shërbejë në interesin e gjithë vendeve të Europës për të rritur sigurinë energjetike të tyre.
Në anën tjetër, zgjerimi i mundësive të tregut për prodhuesit e gazit është gjithashtu një kontribut për sigurinë tonë si industri. Pra është një përfitim i përbashkët dhe ndoshta është hera e parë në dekadën e fundit që në treg kemi konkurrencë reale. Konsumatori i fundit mund të përfitojë nga kjo dhe gjithashtu edhe investitorët apo prodhuesit e tjerë të gazit. Mendoj se për të gjithë prodhuesit e gazit krijohen mundësi të barabarta. Kjo është një konkurrencë reale, që nuk synon që të jemi në luftë ndaj njëri-tjetrit, por që të plotësojmë njëri-tjetrin për të sjellë energji në ato tregje që varen nga vetëm një burim. Në këtë cikël parashikimi është që të përfitojnë të gjithë. Me shumë mundësi, në dekadën tjetër që fillon në vitin 2020, do të hyjmë me një zgjidhje inovative për të siguruar energjinë në vendet e Europës.
————-
Masterplani i gazit, vetëm 85 njësi vendore mund të gëzojnë frytet
Prej disa vitesh qeveria lakon gazifikimin si një zgjidhje për sigurinë energjetike të vendit. Masterplani konsiderohet si faza e dytë drejt këtij objektivi në kushtet kur i pari nuk është në dorën e qeverisë por është kusht i domosdoshëm dhe kjo lidhet me përfundimin e gazsjellësit TAP.
Gjithsesi gazifikimi nuk do të thotë që do të vendosim tubacione nga Konsipoli në Vermosh dhe çdo familje do të ketë akses në rrjet. Një sipërmarrje e tillë do të kërkonte miliarda euro investime por mbi të gjitha do të kërkonte disa dekada për t’u zbatuar e në fund kjo do të rezultonte jofizibël, pra investimi rrezikon të mos kthehet kurrë.
Ndaj në masterplan janë përfshirë vetëm disa njësi vendore që supozohet se përmbushin kriterin e fizibilitetit i lidhur me dendësinë e popullsisë dhe shpërndarjen e saj, nivelin e urbanizimit, llojin e banesës dhe praninë e konsumatorëve.
Bazuar në kriteret e mësipërme, nga 376 njësi administrative vendore janë përzgjedhur 85 prej tyre që kanë potencial të mjaftueshëm për zhvillimin e rrjetit të shpërndarjes të gazit. Kërkesa nga këto 85 njësi vendore përbën rreth 77% të totalit të parashikuar për Shqipërinë për vitin 2020 dhe 82% të totalit për vitin 2040. Masterplani thekson se për të gjetur pjesën e kërkesës së mundshme në këto 85 njësi vendore, e cila mund të shpërndahet në mënyrë ekonomike, është kryer një analizë teknike dhe financiare.
Analiza teknike për llogaritjen e investimeve kapitale të nevojshme për çdo fushë të shpërndarjes është bazuar në katër njësi administrative referenciale: Tiranë, Kamëz, Gjirokastër dhe Zall-Herr. Ky proces u shoqërua edhe me një vlerësim të tarifave që rikuperojnë plotësisht kostot dhe që sipas analizës këto tarifa janë të mundshme në Fier, Pogradec, Tiranë, Shijak, Durrës, Elbasan dhe Fushë-Krujë (nën 0.10 euro/km).
———————-
Pesë degë të propozuara për transmetimin
- Dega Veriore, duke filluar nga pika e lidhjes me TAP-in (pranë Fierit) në drejtim të Shkodrës dhe pikës së kalimit kufitar me Malin e Zi;
- Dega e Elbasanit, që fillon nga pika e lidhjes me TAP-in (pranë Fierit), kalon nëpërmjet Lushnjës dhe Dumresë dhe mbaron në Elbasan;
- Dega Jugore që furnizon zonat e Fierit, Vlorës, Ballshit, Tepelenës dhe Gjirokastrës;
- Dega Lindore që fillon nga pika e lidhjes me TAP-in (pranë Korçës) drejt Pogradecit, Përrenjasit dhe drejt ish Republikës Jugosllave të Maqedonisë;
- Dega e Kosovës, që fillon nga Miloti dhe përfundon në pikën kufitare të Morinës, në afërsi të Kukësit.
———————-
Fabrikë për plehrat kimike në Fier
Industria kimike ka qenë dikur një shtyllë e rëndësishme, por sot nga ajo e kaluar nuk ka mbetur pothuajse asgjë. Ministria e Energjisë dhe Industrisë gjithsesi ka publikuar një dokument me një plan për rrjetëzimi e kësaj industrie kjo edhe nën ethet e gazifikimit. Sipas këtij dokumenti parashikohet mundësia e ndërtimit të një fabrike për plehrat kimike në zonën e Fierit që mund të kapë një vlerë maksimale investimi deri në 650 milionë euro.
“Fabrika e mundshme e prodhimit të plehrave kimike në Shqipëri duhet të lokalizohet në Fier. Ajo duhet të furnizohet me gaz natyror nga burimet e brendshme dhe duhet të jetë njëkohësisht e lidhur me rrjetin ndërkombëtar të transmetimit të gazit natyror në Shqipëri.
Kapaciteti i kësaj fabrike mund të variojë nga 420 mijë tonë/vit nëse do të mbulojë nevojat e Shqipërisë dhe Kosovës, në 180 mijë tonë/vit nëse do të mbulojë edhe nevojat e Malit të Zi, Maqedonisë dhe pjesërisht Bosnjë-Hercegovinës. Në varësi të këtyre kapaciteteve fabrika mund të kushtojë nga 260 milionë euro deri në 650 milionë euro. Në varësi të kapacitetit, konsumi i gazit në këtë fabrikë mund të variojë nga 280 mmk/vit (milion metër kub) deri në 580 mmk/vit.
Vendndodhja e fabrikës pranë Fierit në afërsi të TAP dhe IAP nuk do të ndikojë në madhësinë, formën apo kapacitetin e rrjetit kombëtar të gazit dhe për rrjedhojë nuk ka ndikim në Master Planin e Gazit Natyror për Shqipërinë.
Konsulenti ka vërejtur se ka pasur 8 fabrika të prodhimit të plehrave kimike në rajon dy prej të cilave janë çmontuar kohëve të fundit ose janë konvertuar në fabrika për përdorime të tjera kimike. Konsulenti gjykon se kjo ka ndodhur për shkak të mungesës së fitimeve e cila mund të ketë ardhur nga mungesa e ekuilibrit midis kërkesës dhe ofertës në rajon.
Për këtë arsye konsulenti rekomandon që të bëhet një analizë e plotë e tregut dhe një plan biznesi para se të merret çdo vendim në lidhje me investimin për një fabrikë të plehrave kimike në Shqipëri”
———————-
Projekti 618 milionë euro i gazsjellësit IAP
Gazsjellësi Jonian-Adriatik mblodhi Tiranë mblodhi javën e kaluar palët e përfshira direkt në këtë projekt siç janë vendet që do të ndërlidhë si dhe ambasadorë dhe donatorë. Në fjalën e tij Ministri i Energjisë dhe Industrisë Damian Gjiknuri ka vënë theksin tek gazifikimi dhe rritja e sigurisë energjetike të vendit.
Në takim morën fjalën edhe ambasadorët Donald Lu i Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Romana Vlahutin e Delegacionit të BE në Tiranë, të cilët vlerësuan ecurinë e deritanishme të projektit TAP si dhe projektet e gazifikimit për të cilat Shqipëria ka shprehur ambicie.
Në fjalën e tij, Ministri i Energjisë dhe Industrisë z.Damian Gjiknuri deklaroi se Shqipëria ka përfunduar hartimin e Masterplanit të Gazit dhe ka ndërtuar një bashkëpunim të frytshëm edhe me Malin e Zi, Bosnje Hercegovinën, Kroacinë dhe Komunitetin e Energjisë për realizimin e projektit IAP, krahas atij TAP i cili është në fazën e ndërtimit. Ai shprehu besimin se ky projekt do të mbështetet edhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian.
“Në vitet e fundit, arkitektura e sigurisë Rajonale dhe Europiane është vënë nën presion si rezultat i një sërë faktorëve si: kriza ekonomike, demografia dhe trysnia e migracionit, identiteti dhe ekstremizmi fetar, ndryshimi i klimës, shtimi i presionit mbi burimet natyrore, pasiguria dhe konfliktet. Në këtë kontekst, siguria energjetike në rajon dhe në Europë ka marrë një rëndësi jetike për arkitekturën e sigurisë rajonale dhe europiane”, u shpreh Gjiknuri.
Duke e parë dhe vlerësuar futjen e gazit natyror në tregun shqiptar të energjisë, Qeveria shqiptare vlerëson jo vetëm rëndësinë që ka diversifikimi i burimeve të furnizimit me energji, si dhe rritja e sigurisë së furnizimit, por njëkohësisht konsideron si shumë të rëndësishëm kontributin që gazi natyror do të japë si një produkt energjetik miqësor me mjedisin.
“Natyrisht, projekti TAP është realisht shtylla kryesore për mbështetjen e zhvillimit të sektorit të gazit në Shqipëri, por gjithsesi, në gazifikimin e vendit një rol parësor do të ketë edhe projekti i gazsjellësit IAP, i cili nuk është vetëm një zgjatim i natyrshëm i TAP, por gjithashtu siguron një zgjidhje realiste të sigurisë së energjisë në rajonin tonë, i cili sjell progres ekonomik për vendet ku kalon por edhe rrit stabilitetin politik”, nënvizoi ministri Gjiknuri.
Më tej, ai sqaroi se projekti IAP do të ketë rol dhe kontribut thelbësor për gazifikimin jo vetëm të Shqipërisë, por edhe të Malit të Zi dhe të Kosovës, nëpërmjet projektit të gazsjellësit ALKOGAP, që sikurse dihet janë tre vendet e vetme në Europë që nuk janë lidhur me rrjetet e gazit dhe nuk kanë zhvilluar sektorin dhe infrastrukturën e gazit.
———————-
Projekti IAP
Projekti i gazsjellësit Jonian-Adriatik(Projekti IAP), synon të lidhë sistemin ekzistues të transmetimit të gazit të Republikës së Kroacisë, nëpërmjet Bosnjë Hercegovinës (në det), Malit të Zi dhe Shqipërisë me sistemin e gazsjellësit Trans Adriatic (Projekti TAP).
Sipas Studimit të Fizibilitetit traseja përfundimtare e projektit IAP ka një gjatësi prej 511 km dhe shpenzimet totale të investimit për zhvillimin e projektit IAP parashikohen në shumën 618 mil. EUR. Po sipas studimit, gjatësia e pjesës së projektit IAP në Shqipëri dhe Malin e Zi është rreth 162 km, ndërsa investimi në total llogaritet në rreth 288 milionë Euro.
Ndërtimi i këtij gazsjellësi transmetimi do të beje te mundur gazifikimin e Shqipërisë dhe Malit të Zi, si dhe zgjerimin e sektorit të gazit në Kroacinë jugore dhe Bosnjë e Hercegovina, duke siguruar një furnizim të larmishëm dhe të besueshëm të gazit natyror.
Ky projekt transmetimi për furnizim me gaz natyror parashikohet që të ketë një kapacitet vjetor në rreth 5 miliardë m3 gaz (ose 5 bcm). Llogaritet për 1bcm për Shqipërinë, 0,5 bcm për Malin e Zi, 1 bcm për Bosnje dhe Hercegovinën dhe 2,5 bcm për Kroacinë.
Nga Fieri, Shqipëri, tubacioni shkon në drejtim të veriut duke arritur Tiranën, duke vazhduar me tej në drejtim të kufirit me Malin e Zi afër Shkodrës. Në kufi, tubacioni kalon lumin Buna dhe shkon në drejtim të Tivarit (Bar). Së fundi, nga Plloçe në Kroaci, rruga vazhdon në drejtim të veri-perëndimit, duke arritur Dugopolje pranë qytetit të Splitit(Kroaci).
Ministria e Ekonomisë e Malit të Zi dhe Ministria e Energjisë dhe Industrisë e Shqipërisë, në bashkërendim edhe me DG ENERGY, kanë përgatitur dhe kanë paraqitur një propozim të përbashkët për financim nga WBIF (Raundi 15) për projektet kryesore teknike të pjesës Shqipëri dhe Mali i Zi të projektit IAP.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.