Këto masa përfshijnë uljen e taksës së karburantit dhe përcaktimin e një ҫmimi prej 9 euro për biletat mujore të transportit publik. Ato janë planifikuar të zgjasin për vetëm tre muaj.
Qeveria e koalicionit në Gjermani është dakordësuar për një sërë masash të përkohshme që do të ndihmojnë njerëzit në Gjermani të përballojnë kostot e larta të energjisë, të cilat janë përkeqësuar si pasojë e pushtimit të Ukrainës nga Rusia.
Masat përfshijnë një pagesë prej 300 € për lehtësimin e taksës së energjisë, uljen e taksës mbi karburantin për tre muaj dhe reduktimin e kostos së biletave mujore për transportin publik, po ashtu për tre muajt e ardhshëm.
Nëpërmjet këtyre masave, qeveria shpreson të lehtësojë barrën financiare të njerëzve, të cilët po përballen jo vetëm me çmimet e larta të energjisë, por edhe me rritjen e inflacionit.
Reagimi i koalicionit ndaj krizës energjetike
Bonusi prej 300 euro do t’u paguhet njerëzve përmes pagave të tyre, ndërsa personat që marrin përfitime sociale do të kenë gjithashtu edhe një shtesë prej 100 euro. Familjet që marrin përfitime për mbështetjen e fëmijëve do të kenë gjithashtu edhe një pagesë të vetme prej 100 € për fëmijë.
Propozimi i një prej anëtarëve të koalicionit – partia Demokratët e Lirë (FDP), e cila mbështet bizneset – për të subvencionuar karburantin për konsumatorët kur ata furnizojnë automjetet e tyre në pikat e karburantit, u refuzua nga partnerët e tjerë të koalicionit, Social Demokratët (SPD) dhe të Gjelbrit.
Propozimet e dakordësuara, të cilat u shpallën të enjten, ishin rezultat i bisedimeve që vazhduan deri në orët e vona të natës të ditës së mërkurë.
Ministri i Financave Christian Lindner, nga partia FDP, tha se këto masa kishin për qëllim arritjen e pavarësisë dhe të efikasitetit energjetik, si dhe mbështetjen e qytetarëve që përballen me efektet e luftës së Rusisë në Ukrainë.
“Kjo duhet t’u tregojë njerëzve të këtij vendi se mund të na besojnë për të marrë masat në këtë krizë,” tha ai.
Mbështetje për makinat private dhe transportin publik
Taksa e karburantit për automjetet do të ulet me 30 cent për litër për benzinën dhe me 14 cent për litër për naftën.
“Ne nuk duam t’i braktisim ata që kanë nevojë të përdorin makinat e tyre: njerëzit që e përdorin makinën për të shkuar në punë, familjet dhe tregtarët. Nuk mund t’i lëmë ata të përballen vetë me çmimet në rritje të karburantit,” tha Lindner.
Qeveria do të sigurojë gjithashtu fondet për organizatat rajonale të transportit publik, “në mënyrë që shtetet të mund të organizojnë” subvencionet për biletat mujore, tha bashkëkryetarja e partisë së Gjelbër, Ricarda Lang.
Ajo nënvizoi nevojën për investimeve “masive në transportin publik” për ta bërë atë “më të lirë” se kurrë më parë, qoftë edhe vetëm si një masë të përkohshme./ DW