Ministrja e Zhvillimit Urban dhe Turizmit Znj. Eglantina Gjermeni zhvilloi një takim me Drejtuesit e Entit Kombëtar të Banesave, ku diskutoi për cështjen e strehimit, problematikat dhe gjetjen e rrugëve alternative për adresimin e tyre.
Gjatë fjalës së saj, Ministrja Gjermeni ndaloi tek Programi i Kreditimit të Lehtësuar dhe theksoi se “nuk është ndërprerë në asnjë moment për: familjet e punonjësve të rendit të rënë në detyrë, familjet qiramarrëse të cilat do të lirojnë banesat e pronarëve, mbështetur në aktin normativ, të cilët përfitojnë kredi me interes 0%. Programi nuk është pezulluar as për personat që janë miratuar nga organet e qeverisjes vendore për përfitim të kredive me interes 3 %, të cilët kanë hyrë në marrëdhenie kontraktuale me shitësit e banesave dhe rrezikojnë të humbasin paratë”.
Borxhi i gjetur në këtë sektor ka qenë rreth 3 miliardë lekë (të vjetra) dhe Ministria e Zhvillimit Urban dhe Turizmit ka planifikuar financimin e subvencionit të kredisë në përputhje me fondet buxhetore.
Drejtoresha e Entit Kombëtar të Banesave, Znj. Doris Andoni tha: “Procesi i kontrollit të dosjeve të qytetarëve ka filluar në muajin Prill dhe deri tani ka përfunduar në 8 bashki dhe është në proces në bashkitë e tjera. Në bashkinë e Tiranës nuk jemi lejuar të hyjmë. Janë verifikuar me metodën e përzgjedhjes rastësore rreth 250 dosje. Shkeljet kryesore të evidentuara kanë të bëjnë me mangësi në dokumentacion”.
Ministrja e Zhvillimit Urban dhe Turizmit Znj. Eglantina Gjermeni foli për Strategjinë e Strehimit, e cila synon jo vetëm të identifikojë nevojat për strehim por do t’i adresojë pranë NJQV-ve.
Gjatë takimit mes Ministres së Zhvillimit Urban dhe Turizmit dhe drejtuesve të Entit Kombëtar të Banesave u fol për realizimin e projekteve për komunitetin rom, në zonat ku ky komunitet është më i përqendruar; në Bashkinë Lushnjë, në vlerë 30 milionë lekë dhe në (komunën Otllak të rrethit të Beratit) në vlerë 15 milionë lekë, si dhe masat e marra për rritjen e eficiencës së energjisë në banesa, të cilat sjellin fatura më të përballueshme energjie.
Drejtoresha e Entit Kombëtar të Banesave, Znj. Doris Andoni raportoi mbi projektet e banesave me kosto të ulët dhe me parametra të eficiencës së energjisë që Enti po zbaton në disa bashki të vendit, në bazë të marrëveshjeve të nënshkruara me kryetarët e bashkive të Fierit, Beratit, Korcës dhe Lushnjës si dhe për projektin e adaptimit të një godine jo funksionale në godinë banimi në bashkëpunim, me bashkinë Burrel.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.