Nuk është vetëm Shqipëria që po përballet me çmime të ulëta dhe rrezikun e deflacionit. Pjesa më e madhe e vendeve të rajonit po përjetojnë norma të ulëta inflacioni dhe disa prej tyre kanë kaluar tashmë në territor negativ të ndryshimit të Indeksit të Çmimeve të Konsumit.
Të dhënat nga institutet statistikore të vendeve të rajonit, tregojnë se Kroacia, Bullgaria, Maqedonia, Mali i Zi, Bullgaria, Rumania ishin në deflacion në muajin prill 2016, ndërsa Serbia dhe Shqipëria kishin një rritje minimale çmimesh, përkatësisht 0.4 dhe 0.3% (shiko grafikët në fund).
Në Maqedoni, Indeksi i Çmimeve të Konsumit (CPI) në prill 2016 regjistroi një rënie prej 0.7% në raport me prillin 2015, ndërsa indeksi i Çmimeve të Pakicës u ul me 0.6%, sipas të dhënave nga Zyra Shtetërore e Statistikave.
Inflacioni në Bosnjë dhe Hercegovinë ishte -1.60% në prill 2016.
Çmimet e konsumit në Mal të Zi u ulën 0.9 për qind nga viti në vit në mars të vitit 2016, pas një rritjeje 0.1 për qind muajin e kaluar. Norma e inflacionit u bë negative për herë të parë në pesëmbëdhjetë muaj, duke arritur vlerën më të ulët që nga gushti i vitit 2014.
Çmimet e konsumit në Kroaci ranë 1.7 për qind me bazë vjetore në prill 2016, të njëjtin ritëm si në muajin e kaluar, duke shënuar muajin e dhjetë radhazi të deflacionit, si ku rënien më të lartë e shënuan kosto e transportit (-6,4 për qind), strehim dhe shërbimet komunale (-3 për qind), ushqim dhe pije jo-alkoolike (-1.5 për qind). Në të kundërt, presion në rritje është shënuar për veshje dhe këpucë (1,8 për qind), shëndetësi (1,3 për qind) dhe restorante dhe hotele (+1.2 përqind).
Indeksi i çmimeve të konsumit i Bullgarisë (CPI) u tkurr me 2.2 përqind nga viti në vit në prill, më e larta që nga deflacioni prej 2.3 i regjistruar në mars të vitit 2014, sipas të dhënave të publikuara nga Instituti Kombëtar i Statistikave (NSI) më 13 maj.
Çmimet e konsumit në Rumani ranë me 3.3 përqind nga viti në vit-në prill të vitit 2016, pas një rënie prej 3.0 për qind në mars, duke shënuar të 11-n muaj radhazi me rënie. Banka Qendrore e Rumanisë ka përgjysmuar parashikimin e inflacionit, duke bërë që Guvernatori i Bankës Qëndrore Mugur Isaresku të thotë që mund të shtyhen ndryshimet e pritshme në politikën monetare. Inflacioni tani parashikohet të arrijë në 0.6 për qind në fund të vitit 2016, nga një vlerësim paraprak 1.4 për qind, si rrjedhojë e rënies së çmimeve të energjisë, një klimë të çmimeve të ulëta në Evropë dhe rritjes potenciale më të ulët ekonomike.
Në Shqipëri inflacioni ishte 0.3% në prill, duke shënuar të tretin muaj radhazi, kur ky tregues është afër zeros.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.