Burime të ndryshme pranë Google bënë të ditur se kompania e Mountain View do të prezantojë brenda fundit të vitit dy smartphone të rinj dhe një Chromebook revolucionar. Por lajmi që bën bujë janë kufjet e reja smart.
Bëhet fjalë për kufje inteligjente, të cilat do të prezantohen gjatë eventit që do të zhvillohet në vjeshtë, që do të kenë të integruar teknologjinë që e kemi hasur tek Google Home. Në praktikë, do të ishte sikur të kishit në vesh, në çdo çast, një asistent personal.
Sipas ekspertëve, kufjet janë menduar për Pixel e rinj, që mendohet se nuk do ta kenë jack audio prej 3,5 mm. Kufjet inteligjente të Google do të lidhen me pajisjet nëpërmjet Blootooth.
Përveç cilësisë audio, risi do të jetë mundësia për të përdorur inteligjencën artificiale me një komandë zanore. Me shumë mundësi do të mbetet “Ok, Google” klasik, një komandë e përdorur më parë te smartphone-t dhe tek altoparlantët për shtëpitë inteligjente të Google.
Si do të jenë kufjet e Google
Suksesi i këtyre kufjeve do të varet shumë nga kompatibiliteti i tyre. Sipas informacioneve të para, kufjet do të kushtojnë më pak se altoparlanti aktual i Google Home, që për momentin kushton rreth 129 dollarë.
Sipas disa ekspertëve, Google ka në plan që në fund të vitit 2017, apo në fillim të 2018-s, të prezantojë një version të ri, por mini, të Home Assistant. Edhe kjo pajisje, që nuk është gjë tjetër veçse Google Home klasik, por me dimensione më të vogla, do të kushtojë më pak se pajisja për shtëpi inteligjente nga kompania e Mountain View.
Chromebook Pixel
Për eventin që do të zhvillohet në vjeshtë, Google do të prezantojë edhe Chromebook e ri, që do të quhet Pixel dhe do të ketë ekran 12,3 inç. Memoria do të jetë 32 ose 128 GB. Por mund të dalë edhe një version i tretë i ndërmjetëm. Ndërsa memoria Ram do të jetë mes 8 dhe 16 GB. Sigurisht ai do të ketë edhe modalitetin Tablet.
Laptopi mendohet se do të ketë një sistem të veçantë Android, jo Andromeda. Nuk ka informacione rreth çmimit, por Chromebook nuk do të kushtojë më pak se 800 dollarë.