Pas viteve 1990, Shqipëria ishte e dominuar nga rrjedhat e migrantëve, të cilat mund të konsiderohen si intensive, të parregullta dhe në zhvillim, për shkak të veprimit të kombinuar të faktorëve të shtytjes ekonomike dhe politike.
Informaliteti ka qenë një fenomen shumë i pranishëm në migracionin shqiptar, me një numër të madh të migrantëve pa dokumente shqiptare, numri i të cilëve nuk mund të vlerësohet sipas Bankës së Shqipërisë. Sipas të dhënave të Kombeve të Bashkuara, Shqipëria kishte 3.2 milionë banorë, rreth 1 milion banorë të saj i ka në emigracion.
Numri i emigrantëve shqiptarë, që aktualisht jetojnë dhe punojnë jashtë vendit, është vlerësuar në 1.15 milionë. Rreth 90% e emigrantëve shqiptarë jetojnë në Europë, pjesa tjetër në SHBA. Më shumë se 99% (1.142.748 individë) janë të vendosur në rajone më të zhvilluara dhe vetëm 0.5% (5.396 individë) në rajonet më pak të zhvilluara. Rreth 93% e emigrantëve janë të vendosur në vendet me të ardhura të larta dhe vetëm 6.8% (78.441 individë) në vende me të ardhura të mesme dhe një përqindje mjaft të ulët, në vendet me të ardhura nën mesatare.
Shqiptarët kanë migruar kryesisht në vendet fqinje, Itali (455,468 ose 40% e emigrantëve) dhe Greqi (429,428 ose 37%). Afërsia gjeografike, ngjashmëritë në kulturën dhe mënyrën e jetesës dhe krijimi i rrjeteve të emigrantëve e bëjnë Greqinë dhe Italinë dy destinacionet më të preferuara për të punuar dhe për të jetuar jashtë vendit, teksa një trend i ri migrimi po shkon në vende të tjera të Europës, si Gjermani, Francë dhe Britani. Greqia ishte vendi me numrin më të madh të emigrantëve shqiptarë, deri në vitin 2010.
Aktualisht, Italia ka numrin më të lartë të përgjithshëm të emigrantëve shqiptarë. SHBA janë një destinacion tjetër i preferuar ndërkombëtar, jashtë Europës, për emigrantët shqiptarë. Në vitet 1990, migrimi ishte një fenomen i zakonshëm, kryesisht në mesin e meshkujve, megjithatë, duke iu referuar të dhënave më të fundit të vitit 2017, mospërputhja gjinore ka rënë, duke qëndruar pothuajse në nivele të barabarta (580,344 meshkuj dhe 567,800 femra). Emigrimi i femrave është rritur si rezultat i bashkimit familjar dhe mundësive më të mira jashtë vendit. Femrat janë dominante në raport me meshkujt në SHBA dhe në Turqi.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.