Holanda ka vijuar të jetë investitori më i madh i huaj në Shqipëri edhe në tremujorin e parë të 2023.
Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se investimet holandeze në periudhën janar-mars 2023 arritën vlerën e 62 milionë eurove, ose 20% të fluksit total të investimeve të huaja.
Investimet e kompanive me aksionerë holandezë u dyfishuan krahasuar me të njëjtën periudhë një vit më parë. Holanda ngelet investitori me ecurinë më të qëndrueshme mes investitorëve të huaj në ekonominë shqiptare vitet e fundit. Stoku i investimeve holandeze ka arritur në rreth 1.94 miliardë euro, në fund të tremujorit të parë 2023.
Kryesimi i investimeve holandeze në vitet e fundit lidhet shumë me faktin se Holanda është një nga vendet e preferuara në Europë për të regjistruar kompani holding, me qëllim kontrollin e investimeve ndërkombëtare të grupeve të ndryshme të biznesit.
Sipas ekspertëve, Holanda është një juridiksion i preferuar për regjistrimin e shoqërive holding, sepse ajo ka një rrjet të gjerë të marrëveshjeve me vende të tjera të Botës për shmangien e tatimit të dyfishtë.
Kjo i ndihmon kompanitë për të shmangur ndërlikimet tatimore në momentin e shpërndarjes dhe transferimit të dividendëve të fituara nga investimet e kryera në vende të tjera.
Gjithashtu, Holanda është një vend i preferuar për regjistrimin e kompanive është sepse legjislacioni i atjeshëm garanton një shkallë të lartë konfidencialiteti lidhur me pronësinë e aksioneve mbi një kompani. Edhe për këtë arsye, disa prej kompanive që kanë fituar kontrata koncesionare në Shqipëri rezultojnë të regjistruara në Holandë.
Ndërsa Holanda renditet si shteti i vetëm më i madh për investimet e huaja direkte, investitori më i madh raportohet nga Banka e Shqipërisë si “Të tjera për arsye konfidencialiteti”, me 66 milionë euro, me rënie prej 22% në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Italia vijon të renditet pas Holandës, me 43 milionë euro investime të huaja, me rritje 43% me bazë vjetore në periudhën janar-mars 2023. Investimet italiane janë të shpërndara nga këndvështrimi sektorial, por orientohen sidomos në aktivitetet e shërbimeve. Stoku i investimeve italiane ka arritur tashmë në 1.25 miliardë euro.
Turqia ka kaluar në investitorin e tretë më të madh me 35 milionë euro dhe rritje 9.4%.
Gjermania, e cila në vitin 2022 ishte investitori i tretë më i madh pas Holandës dhe Italisë ka shënuar një rënie të ndjeshme me 77% të fluksit të investimeve, duke sjellë vetëm 9 milionë euro në tre muajt e parë të vitit. Situata ekonomike u vlerësua në përkeqësim këtë vit nga bizneset gjermane që kanë aktivitet në vendin tonë.
Kështu, 45 për qind e tyre e cilësojnë këtë situatë keq, ku ka një rritje me 3 pikë përqindje në raport me një vit më pare, sipas Vrojtimit të 14-të Ekonomik të DIHA-s.
Bizneset austriake kanë sjellë 23 milionë euro investimeve në fillimin e 2023-t, ato të Francës dhe Kosovës secila me nga 11 milionë euro.
Stepen të huajt, bie ritmi i investimeve të huaja në pasuri të paluajtshme në T I 2023
Burimi: BSH
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.
Hollandezet as nuk kane njohuri mbi Shqiperine, jo me te investojne ketu. Nuk di cilat jane keto kompani nderkombetare hollandeze qe paskan ardhur ne Shqiperi (pervec Shell-it qe eshte ne faze kerkimore, asgje me shume) Keto jane leket e te gjatit me shoke.