Gjatë këtyre ditëve të para të panairit është vënë re një fluksi tejet i madh i vizitorësh, shumica të moshave të reja. Në ndryshim nga panairet e tjera të këtij lloji, ky panair nuk ka shërbyer si një vizitë rutinë në stendat e institucioneve, por është shoqëruar me dhjetra e qindra aplikime për punëkërkues të papunë dhe po kaq kanë qënë ofertat e kompanive private të biznesit, nga më elitaret, që ishin pjesë e këtij panairi.
Risi ishte marrja pjesë dhe ofertimi që bënë universitetet kryesore private në vend si dhe një numër i konsiderueshëm shkollash teknike e profesionale parauniversitare, duke shpalosur një mori profesionesh e degësh mjaft interesante për të rinjtë që mbarojnë shkollat 9-vjeçare apo të mesme dhe që kanë të bëjnë sidomos me kërkesat imediate që ka tregu aktual i punës.
Në ditën e dytë të panairit, në sallën e Konferencave të Pallatit të Kongreseve u zhvillua edhe Konferenca Kombëtare me të njëjtin titull, me pjesëmarrjen e Ministrisë së Punës, Çështjeve Sociale e Shanseve të Barabarta, Ministrisë së Arsimit dhe të Shkencës, Shërbimit Kombëtar të Punësimit, drejtuesve të Universiteteve publikë e private, të shkollave të mesme teknike, të përfaqësuesve kryesorë të biznesit, të agjencive private të punësimit dhe të ftuarëve të tjerë.
Konferenca vuri theksin tek politikat shtetërore të punësimit e nevoja për përmirësimin e tyre në raport me tregun real të punës dhe kërkesat e tij në kushtet e krizës, te përmirësimi i klimës së biznesit dhe nxitja për rritjen e investimeve private e publike, tek ngritja e kapaciteteve të formimit e riformimit profesional, te politikat e arsimit dhe të zhvillimit të karrierës etj, etj.
Ministri i Punës, Çështjeve Sociale e Shanseve të Barabarta, z. Spiro Ksera tha në konferencën kombëtare se Qeveria e z. Berisha ka realizuar premtimet e programit të saj të qeverisjes lidhur me punësimin. Ulja e përqindjes së të papunëve të rregjistruar e tregon këtë, tha ministri, duke shtuar se rreth 59 mijë punëkërkues të papunë tashmë janë të sistemuar në punë. Z. Ksera shtoi se ka një klimë më të mirë për biznesin që sjell investime në rritje dhe vende të reja pune edhe në kushtet e vështirësive që vijnë nga kriza globale.
Nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës, znj. Nora Malaj, zëvendësministre, e vuri theksin tek të drejtat e të rinjve për punë. Ajo vlerësoi politikat e ndjekura dhe i cilësoi ato reale, të shoqëruara edhe me platforma konkrete realizimi nga dikasteri ku bën pjesë.
Zonja Malaj foli më pas për paketën e të drejtave të punësimit të të rinjve dhe cilësoi se ka një orientim për të shkuar drejt arsimit profesional. Ajo e quajti arsimin parauniversitar një sfidë për shoqërinë shqiptare dhe vlerësoi sipërmarrjen vendase që është bërë “mjaft miqësore” me shkollën profesionale, siç tha ajo.
Z. Luan Bregasi, President i BiznesAlbania, vlerësoi panairin e punës dhe tha se biznesi ka tashmë një treg të organizuar pune dhe një klime reale punësimi. “Sipërmarrja shqiptare e përballoi krizën, jo duke reduktuar numrin e vendeve të punës, sikurse ndodhi në shumicën e vendeve të përfshira nga kriza globale, por duke hapur vende të reja pune”, – tha z. Bregasi. Ai përmendi sidomos memorandumin që BiznesAlbania ka nënshkruar me Universitetin e Tiranës për stimulimin e studentëve për të studiuar në degë e fusha për të cilat ka nevoja tregu aktual i punës dhe i kërkoi Ministrisë së Arsimit dhe të Shkencës të shikojë mundësinë e nënshkrimit të një marrveshjeje apo memorandumi me të gjitha universitetet publike e private për të rritur interesin për punë të studentëve dhe për të ofruar pranë shkollave të larta kërkesat reale të biznesit për punë e punësim.
Z. Henri Cili i Universitetit Europian të Tiranës u ndal në mënyrë konkrete te disa nga çështjet që janë më shqetësuese për tregun e punës dhe atë të shkollimit të lartë. Ai tha se shoqëria e sotme është një shoqëri që shkon drejt teknologjizimit dhe tregu i punës do të bëhet gjithnjë e më i vështirë. Z. Cili kërkoi të ndihmohet tregu me cilësinë e ofertës formuese në arsimin universitar dhe parauniversitar, administrata publike si një punësues i stërmadh të rekrutojë të punësuar të rinj nëpërmjet procedurave standarde dhe konkurrim të drejtë dhe të zgjerohet lista e profesioneve të rregulluara, duke e standartizuar atë dhe duke e bërë më të besueshme.
Avenir Kika, nënkryetar i Këshillit Kombëtar të Punës dhe President i Shoqatës së ndërtuesve të Tiranës tha se puna vërtet është një mall që blihet e shitet, por ajo ka edhe karakterin e saj social ekonomik. Z. Kika kërkoj të luftohej disproporcionaliteti në gjeografinë e tregut të punës dhe e quajti të dëmshëm moszhvillimin e tregut të punës në zonat rurale. Zyrat e punësimit ishin një tjetër cështje që ngriti z. Kika, duke kërkuar që ato të jenë më afër subjekteve që punësojnë më shumë se 100 të punësuar. Z. Kika tha se është mjaft i rëndësishëm roli i teknikut të mesëm dhe kërkoi, si edhe diskutantë të tjerë, hartimin e përshkrimit të vendeve të punës dhe të përshkrimit të kapaciteteve për punë, si standard që i kërkon koha, më së pari për administratën publike, por edhe për atë private.
Përfaqësues të tjerë nga biznesi, universitetet private dhe shkollat teknike ngritën problem të mirëfunksionimit të tregut të punës, të nevojës për ndërhyrje fiskale nga ana e qeverisë për të stimuluar punësimin, për një aleancë më të fortë të shtetit me biznesin, si punësuesi kryesor i tregut dhe për përshpejtimin e programeve digjitale të punësimit etj.
Në fund të konferencës, z. Thoma Miço, Drejtor i Përgjithshëm i Shërbimit Kombëtar të Punësimit, që moderoi edhe konferencën, bëri një përshkrimt ë shkurtër të historikut të këtij shërbimi që është bërë pjesë e administratës publike qysh 14 vjet më parë si dhe tregoi disa nga perspektivat e këtij institucioni që lidhen me programe të tilla që përbëjnë risi si ai për punësimin e grave kryefamiljare të papuna, për personat që iu mbaron pagesa e papunësisë, për ndihmën ndaj listës së të papunëve si dhe për përfitimet që do të vijnë nga të ardhurat nga prishja e njëanshme e kontratave të punës e kështu me rradhë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.