Situata që po kalojmë është e paprecedentë dhe efektet sociale te mos-ndërhyrjes në të njëjtën mënyrë do të mund të jenë po ashtu të paprecedentë. Nga të gjitha analizat e faktorëve në vend dhe të situatës së ekonomisë, që Qeveria ka në tavolinë, një rritje e borxhit publik sot, duket si zgjidhja e vetme për të nxitur ekonominë dhe për të shpëtuar të ardhmen e saj!
EDITORIAL-E gjithë bota, që këto ditë është përfshirë në këtë luftën me CoVid-19, po ndërmerr masa të jashtëzakonshme për të administruar në një mënyrë sa më të mirë situatën e një pandemie, e cila nëse do të lihej te vepronte në liri të plotë, do të çonte sistemet e shëndetit publik në kolaps të sigurtë dhe në këtë mënyrë do të mund të shkaktonte viktima në shifra të frikshme.
Tashmë është bërë e qartë se e vetmja mënyrë për të vënë në kontroll epideminë virale, është kufizimi i kontakteve njerëzore në jetën e përditshme, ndërsa sistemi shëndetësor trajton rastet, që kanë nevojë për trajtim spitalor.
Ky kufizim i domosdoshem, kërkon edhe ndërprerje të aktiviteteve ekonomike që gjykohen si jo-kritike për ekonominë e vendit, apo që janë nga ato aktivitete ku kontakti social është edhe më i madh, e për këtë do të duhet të evitohen, ashtu siç kërkon edhe një angazhim të domosdoshëm të atyre sektorëve të ekonomisë që janë kritike dhe për ekonominë e vendit dhe për mbijetesën, gjatë kësaj krize të paprecedentë për disa gjenerata!
Kufizimi i aktivitetit ekonomik ka qartazi një ndikim në evitimin e kontakteve sociale, por nga ana tjetër përbën një ndërhyrje të ashpër e të papritur në jetën ekonomike të një numri gjigand te punonjësve apo edhe ndërmarrjeve në ekonominë e të gjithë vendeve, ku kjo po ndodh.
Praktikisht, me mijëra subjekte tregtare dhe dhjetëra e qindra mijëra punonjës (në rastin e Shqipërisë) janë të detyruar të ndërpresin aktivitetin e tyre në funksion të një çështjeje, që gjykohet më e rëndesishme e më e madhe se sa aktiviteti ekonomik, ku këta punonjës, apo subjekte, janë të përfshira në zinxhirin e ekonomisë së vendit.
Kjo është diçka e dhimbshme për këdo që ndodhet në këto situata, por është gjykuar e domosdoshme për një gjë më madhore, e që është shëndeti publik!
Në këto kushte, qeveritë anë e mbanë globit, janë angazhuar si në frontin e përforcimit të sistemit shëndetësor për përballimin te sfidës që e pret, por njëkohësisht edhe në një përpjekje të paprecedentë për zbutjen e efekteve ekonomike të ndalimit të dhunshëm të ekonomisë së vendit, që është zgjedhur si terapi për zgjidhjen e këtij problemi madhor, të lidhur me shëndetin publik.
Për vetë shkallën e efekteve, që ka në ekonomi ky ndalim i një numri kaq të madh aktivitetesh, edhe ndërhyrja është realisht e paprecedentë!
Dy janë aktorët kryesorë në këtë përpjekje institucionale, që ndikojnë në zbutjen e ndikimit të frenimit të ekonomisë.
Së pari, Qeveria.
Paketat e Qeverive synojnë në radhë të parë që të minimizojë koston sociale të nxjerrjes së papritur nga puna të miliona njerëzve dhe të mbrojtjes së atij vendi pune, me shpresën që në rikthimin e “normalitetit” pas heqjes së kufizimeve, ai vend pune të jetë përsëri i vlefshëm dhe punësimi të vijojë. Këto masa parashikojnë subvencion direkt për përballimin e pagës së punonjësve deri në 70-80% të pagës mesatare, me kushtin që punëdhënësi të kontribuojë për pjesën tjetër të pagës. Kjo masë, krahas efektit social të menjëhershëm, ka qëllim që të ruajë maredhënien e punës, me synimin e një rifillimi sa më të shpejtë të ngritjes, pas kalimit të emergjencës.
Së dyti, ka një seri instrumentash, që shkojnë në drejtim të mbështetjes së sipërmarrjes, në mënyrë që kjo të ketë hapësirë financiare për të përballuar situatën aktuale dhe për të mbijetuar në këtë krizë të paprecedentë dhe në kushtet e ndalimit të sforcuar, për këtë kauzë publike. Këto instrumente fillojnë me subvencione për mbajtjen e aktivitetit hapur, garanci sovrane për financime likuiditeti, apo heqje taksash.
Se treti, kanë një element të politikës sociale të shtetit në ruajtje të grupeve më të brishta të shoqërisë, me grante apo subvencione direkte apo heqje/shtyrje detyrimesh, për të zgjidhur problematikën e secilit prej këtyre grupeve, në kushtet e veçanta të kësaj krize.
Paketat mbështetëse arrijnë në shumë raste në rreth 10% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) për disa shtete, si në rastin e Gjermanisë, teksa të gjitha vendet e BE-së kanë marrë bekimin e Komisionit Europian që të pezullojnë “Paktin e Stabilitetit”, duke mundësuar rritjen e deficitit përtej kufirit prej 3% të PBB-së, për të bërë “çfarëdo që është e nevojshme” – “whatever it takes” në përballimin e kësaj situate të jashtëzakonshme.
Së dyti, Bankat Qendrore.
Këto janë angazhuar kryesisht në funksion të politikës monetare të tyre në ndihmë të ekonomise dhe të mirëfunksionimit të sektorit financiar të ekonomisë.
Në kushtet kur interesat janë në nivele të ulëta është vështirë që Bankat qendrore të bëjnë më shumë në aspektin e reduktimeve të mëtejshme të tyre.
Kështu që aksioni kryesor është në programe lehtësimi sasior- QE (shkurtim i Quantitative Easing) ose ndryshe të injektimit monetar në ekonomi, kundrejt blerjes së titujve nga Bankat e sistemit duke iu krijuar këtyre likuiditet, që të kanalizohet në ekonominë reale. Në disa vende, kjo parashikon edhe blerje direkte të Bondeve të emërtuar nga Qeveritë në këtë fazë kur iu duhet të financojnë programet në mbështetje të ekonomisë.
Një diçka tjetër e rëndësishme është një lehtësim i përkohshëm në aspektin e kërkesave të provigjonimit të kreditit ndaj klientelës nga ana e Bankave të sistemit, në mënyrë që të lejojë për një periudhë të përkohshme që të ketë një zbutje të kushteve të Bankave ndaj këtyre klientëve, që gjenden në vështirësi për arsye të kufizimit apo të ndërprerjes së papritur të aktivitetit të tyre ekonomik.
Po në Shqipëri, ç’po ndodh?
Qeveria shqiptare ka publikuar disa masa paraprake për mbështetjen e ekonomisë, që arrijnë në total në rreth 1.6% të PBB-së (dy masat kryesore janë mbështetje për biznesin e vogël prej 65 milionë dollarë, dhe një fond garancie prej 100 milionë dollarësh për mbështetje me likuiditet për operimin ndaj bizneseve të mesme e të mëdha si dhe falje të kamatëvonesave për energjinë dhe rritje të shpenzimeve për shëndetësinë).
Nëse kjo do të jetë konceptuar si një paketë e parë për ndikimin e menjëhershëm të krizës, ndoshta do të mund të ishte një diçka, që do të lehtësonte efektin e ndalimit fillestar të ekonomisë, por nevoja për mbështetje financiare për të zbutur pasojat sociale të humbjes së qindra mijëra vendeve të punës, apo të mijëra ndërmarrjeve, që kanë ndalur punën, do të jetë shumë, shumë më e madhe.
Kështu që me shumë gjasë kjo paketë e parë do të duhet të ndiqet nga një paketë e dytë, e cila do të duhet të jetë më e madhe, shumë më e madhe nga kjo e para. Ndoshta nuk do të mund të jenë sa Gjermania, ku mbështetja e parashikuar arrin në 10% të PBB-së, por edhe sikur t’i afrohej këtij raporti, nuk do të ishte as çudi e as e gabim, por në asnjë rast nuk mund të jetë thjesht 1.6% e GDP, në një kohë kur ndërprerja e marrëdhënieve ekonomike përfshin jo më pak se rreth 50% të ekonomisë së vendit.
Banka e Shqipërisë.
Ndërhyrja në normën e interesit. Banka e Shqipërisë me shumë gjasë, në mbledhjen e radhës do të bëjë hapin e saj në ulje të interesit bazë, duke e dërguar këtë në nivelin më të ulët historik që Leku ka përjetuar ndonjëherë në këto 30 vjet të ekonomisë së tregut.
Lehtësimi i përkohshëm i politikës së provigjonimit nga Bankat tregtare. Banka e Shqipërisë, gjithashtu që javen që kaloi, e bëri një lehtësim të parë në lidhje me provigjonimet për pozicionet kreditore të subjekteve të goditura nga kriza, gjë që i lejon Bankat të marrin në këtë periudhë tranzitore një pozicion më tolerant me klientët e tyre. Kjo i lejon këta klientë që të përdorin paratë, të parashikuara për shlyerje e kësteve të kredisë, në likuiditet për të mbështetur efektet e menjëhershme të situatës. Qartazi, këtë veprim e bëri me kujdesin e natyrshëm që të mbrojë bankat tregtare në këtë periudhë, që këto të mund të jenë aktore të fuqishme në fazën e ngritjes së ekonomisë pas mbarimit të emergjencës shëndetësore.
Blerja e titujve të Qeverisë në treg. Banka e Shqipërisë e ka patur më të vështirë financimin direkt të Qeverisë, përveç transferimit vjetor të rezultatit, por ndoshta është rasti për një ndërhyrje me aktive në mbështetje të plotësimit të kërkesës së Qeverisë në programin e saj të emetimeve të Obligacioneve apo Bonove te Thesarit në këtë periudhë. Në skenarin kur Qeverisë do t’i duhet të rrisë realisht shumë nivelin e emetimeve, me siguri do të duhet një ndërhyrje e tillë, që të mundësojë plotësimin e nevojave të saj në këtë situatë.
Por, ku mund të gjenden paratë?
Qeveria e ka bërë një përpjekje të parë për të financuar ndërhyrjen e saj të parë në ekonomi, duke bërë rishikim e buxhetit. Është e qartë se vetëm me rishikimin e buxhetit nuk do të arrijë të mbështetet ekonomia. Jo vetëm që rishikimi duket jo realist e me shumë gjasë të ardhurat e parashikuara pritet të rezultojnë shumë më të ulëta sesa në buxhetin e rishikuar, por edhe shpenzimet, si në funksion të administrimit në kushtet e krizës, por edhe sidomos ato të mbështetjes së ekonomisë do të jenë shumë, shumë më të mëdha.
Në këto kushte, qeveria nuk ka pse i shmanget apo druhet një Rritjeje të Borxhit Publik!
Aktet që Qeveriaka ndërmarrë për ndërprerjen e funksionimit normal të ekonomisë dhe uljes së kontaktit social janë masa ekstreme të detyruara, në funksion të ruajtjes së shëndetit publik!
Kjo duket të jetë e vetmja mënyrë që do të lejonte një administrim të krizës, duke mbajtur gjallë zinxhirin e ekonomisë tani e në këto kushte, që të mund të rikthehet shpejt në eficiencë dhe të rritet, pas mbarimit të kësaj situate.
Pra borxh publik, qoftë edhe me kontribut të Bankës së Shqipërisë për blerjen e obligacioneve, me qëllim që të mundësojë financimin e pagave e konsumit gjatë bllokimit të ekonomisë.
Një rritje e Borxhit mbi 70% nuk do të ishte e panjohur për Shqipërinë, që ka parë nivele dhe në 74% të PBB-së, në kohën kur bënte investime të mëdha, apo planifikonte shlyerjen e detyrimeve të prapambetura.
Situata që po kalojmë është e paprecedentë dhe efektet sociale te mos-ndërhyrjes në të njëjtën mënyrë do të mund të jenë po ashtu të paprecedentë.
Nga të gjitha analizat e faktorëve në vend dhe të situatës së ekonomisë, që Qeveria ka në tavolinë, një rritje e borxhit publik sot, duket si zgjidhja e vetme për të nxitur ekonominë dhe për të shpëtuar të ardhmen e saj!
Nuk ka pse të ketë kompleks për ta bërë këtë, pasi po e bën për një nje mision që askush nuk po e vë në dyshim, atë të mbrojtjes së shëndetit publik!
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.