Qeveria shqiptare do të financojë rreth 90 miliardë lekë borxh në tregun e brendshëm financiar gjatë tremujorit të dytë të këtij viti.
Sipas kalendarit të huamarrjes të Ministrisë së Financave, gjatë tremujorit të dytë volumi total i huamarrjes së brendshme pritet të ulet me rreth 7% krahasuar me tremujorin e parë të vitit.
Shuma e huamarrjes paraqitet gjithashtu më e ulët edhe në krahasim me tremujorin e dytë të vitit 2020, kur qeveria pati financiar në tregun e brendshëm borxh rreth 111 miliardë lekë. Ndryshimi krahasuar me tremuorin II 2020 përcaktohet sidomos nga obligacioni dyvjeçar prej 120 milionë eurosh që u emetua në tregun e brendshëm financiar në Prill 2020.
Shpërthimi i pandemisë solli nevojën për ndryshim të buxhetit me rritje të deficitit, duke sjellë si pasojë edhe një huamarrje më të lartë. Megjithatë, shtesa e huamarrjes u mbulua në pjesën dërrmuese me huamarrje të jashtme, pa ushtruar presione të mëdha mbi tregun e brendshëm financiar. Mes të tjerash, kjo ndihmoi në uljen e mëtejshme të yield-eve mesatare, që në fund të vitit 2020 prekën minimumet e reja historike.
Ulja e huamarrjes së qeverisë në tregun e brendshëm përbën premisë për një ecuri të qëndrueshme të yield-eve të instrumenteve të borxhit në tregun primar. Gjatë tremujorit të parë të këtij viti, u regjistrua një rritje e lehtë për shumicën e këtyre instrumenteve, që erdhi sidomos për shkak të rritjes së kërkesës së qeverisë për financim krahasuar me dy tremujorët e mëparshëm.
Në pjesën më të madhe, huamarrja e brendshme konsiston në rifinancimin e instrumenteve të maturuara. Deficiti i ri që do të financohet në tregun e brendshëm këtë vit parashikohet të jetë rreth 50 miliardë lekë. Historikisht, qeveritë në Shqipëri e rrisin deficitin sidomos në tremujorin e fundit të vitit, veprim ky i kritikuar shpesh nga Banka e Shqipërisë, që sugjeron një shpërndarje më uniforme të shpenzimeve gjatë vitit buxhetor. Për shembull, gjatë vitit buxhetor 2020 rreth 46% e deficitit vjetor u krijua në tremujorin e fundit.
Ndërsa shpenzimi i deficitit bëhet sidomos gjatë tremujorit të fundit, huamarrja për të mbuluar deficitin e parashikuar nuk ecën domosdoshmërisht me të njëjtin ritëm. Shpesh, huamarrja e nevojshme për të mbuluar deficitin e parashikuar kryhet më shpejt, duke krijuar tepricë likuiditeti në llogaritë e qeverisë. Kjo tendencë ishte veçanërisht e theksuar vitin e kaluar, kur pjesë më e madhe e deficitit të 6-mujorit të dytë u mbulua me fondet e eurobondit të siguruar qysh në muajin Qershor.
Një praktikë e tillë bëhet edhe për të shmangur përqendrim të huamarrjes në pjesën e fundit të vitit, çka do të çbalanconte tregun e brendshëm financiar, me rrezikun e rritjes së yield-eve dhe mossigurimin e huamarrjes së nevojshme. Megjithatë, për këtë sjellje është Kontrolli i Lartë i Shtetit që ka shprehur shpesh rezerva, me argumentin se huamarrja e parakohshme sjell kosto të panevojshme në formën e shpenzimeve për interesa. / E.Shehu
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.