Albin Kurti tashmë është ngjitur në fron. Qytetarët e Kosovës e kthyen shpresën te “ikona” e demonstratave, i cili që nga koha studentore nuk i ndali protestat, duke dalë kundër çdo pushtetari. Kurti u bë simbol i shpresës për ndryshim në Kosovë. Kurti tani ka mbi vete postin e shefit të qeverisë, falë marrëveshjes për bashkëqeverisje të bërë me LDK-në e Isa Mustafës.
Nga Prishtina, Fatos Shala
Nga lider i studentëve, i burgosur në Serbi e disa herë në Kosovë, opozitari që hodhi gaz lotsjellës në Parlament u ngjit në maj të pushtetit, Albin Kurti është tashmë kryeministri i shtatë i Kosovës që nga mbarimi i luftës.
Pas një rrugëtimi 23-vjeçar, fillimisht si aktivist politik e më pas edhe si kryetar i subjektit opozitar, Lëvizja Vetëvendosje, Albin Kurti ka marrë edhe zyrtarisht postin e kryeministrit të Kosovës.
Si lider i Vetëvendosjes, e cila i fitoi zgjedhjet parlamentare të 6 tetorit 2019, Kurti u nominua dhe më pas u zgjodh kryeministër i Kosovës, me mbështetjen e partisë partnere në koalicionin qeverisës, Lidhjes Demokratike të Kosovës. Albin Kurti, të martën e 4 shkurtit, në hyrje të ndërtesës së Qeverisë së Kosovës është pritur nga Garda Ceremoniale e Forcës së Sigurisë, ku është intonuar himni i Kosovës.
Kurti po këtë ditë ka mbajtur edhe mbledhjen e parë të qeverisë së tij, duke iu drejtuar ministrave me porosinë se “sytë e popullit janë të drejtuar te ky kabinet qeverisës”. Ai u kërkoi ministrave që të mos udhëheqin nga karriget, por të dalin në terren dhe të ndikojnë në ndryshimet e nevojshme që kërkohen.
“Njëqind ditët e para do të jenë ditë të zëna me angazhim e përkushtim maksimal. Karriget i kemi, por jam i bindur që më shumë do të rrimë në këmbë për shkak të punëve të shumta që na presin. Programi ynë qeverisës është ambicioz, aq sa janë edhe pritshmëritë e qytetarëve”.
Kurti drejton qeverinë e koalicionit me Lidhjen Demokratike të Kosovës. Qeveria “Kurti” ka 15 ministri, prej të cilave nga gjashtë (6) ministri udhëhiqen nga Vetëvendosje dhe LDK-ja, kurse tri (3) ministri nga komunitetet pakicë. Kurti tha se në qeveri nuk ka Vetëvendosje e LDK, por ka vetëm Qeveri të Republikës së Kosovës. “Kurse në Kuvend, – tha ai, – ka parti politike që flasin në emër të subjekteve që përfaqësojnë”.
Në programin e përbashkët qeverisës të VV-së dhe LDK-së thuhet: “Qeveria e re do të udhëheqë me përkushtimin e mbrojtjes së interesit kombëtar, shtetëror e shoqëror, në mbrojtje të sovranitetit e integritetit të Republikës së Kosovës”.
Në këtë program nuk mungon edhe çështja e dialogut me Serbinë, e cila konsiderohet si një nga temat më “pikante” në skenë politike, duke pasur parasysh se është thënë shumë herë që brenda këtij viti të përmbyllet procesi i negociatave me Serbinë.
Partnerët e koalicionit janë pajtuar që procesi i dialogut të udhëhiqet nga kryeministri Albin Kurti.
“Dialogu me Serbinë udhëhiqet nga kryeministri mbi bazën e mandatit kushtetues. Dialogu zhvillohet për çështjet e raporteve bilaterale dhe të fqinjësisë së mirë, përfshirë këtu çështjen e të pagjeturve, reparacioneve të luftës e okupimit, suksesionit të ish-Federatës Jugosllave, në të cilën Kosova ishte element konstitutiv, si dhe për njohje të ndërsjellë midis dy shteteve”, thuhet në marrëveshjen për bashkëqeverisje të VV-LDK. Më tej, në këtë marrëveshje thuhet se në Kuvendin e Kosovës për dialog duhet të miratohet një rezolutë/platformë me 2/3 e votave, e cila do të përfshijë parimet në bazë të të cilave duhet të zhvillohet dialogu.
Po ashtu, VV-LDK kanë paraparë që temë e dialogut nuk mund të jenë çështjet që lidhen me integritetin territorial dhe sovranitetin e vendit. “Temë e dialogut nuk mund të jenë çështjet që lidhen me integritetin territorial, sovranitetin e vendit, rregullimin dhe funksionalitetin e brendshëm të vendit, karakterin unitar apo krijimin e pushtetit të tretë për vendbanime me popullsi serbe. Kryeministri raporton në Kuvend në baza të rregullta për procesin e dialogut”, thuhet në marrëveshjen për programin qeverisës.
Më tej, në marrëveshje thuhet se do të bëhet një rishikim i plotë i marrëveshjeve të arritura deri më tani, për të parë nivelin e zbatimit të tyre nga ana e Serbisë dhe në bashkëpunim me BE-në do të ngrihen këto çështje në tavolinën e dialogut.
Ekonomia në qeverinë re: Krijimi i Fondit Sovran, mbyllja e AKP….
Krijimi i Fondit Sovran dhe atij Zhvillimor, programi “8 orë punë”, shuarja e Agjencisë së Privatizimit dhe departizimi i plotë i bordeve të ndërmarrjeve publike, janë disa nga pikat që qeverisë “Kurti” për ekonominë.
“Në fillim të mandatit, qeveria dhe Kuvendi do të rishikojnë performancën e ndërmarrjeve publike dhe do të marrin vendimet e nevojshme për ato ndërmarrje që kanë pasur performancë jo të kënaqshme dhe negative. Ky vlerësim do të bazohet në raportet vjetore të ndërmarrjeve publike, në planet strategjike të ndërmarrjeve publike nga vitet e mëparshme dhe në raportet e Auditorit të Përgjithshëm”.
Në dokument tregohet se partnerët e koalicionit janë pajtuar të mbështesin zhvillimin e ndërmarrësisë dhe të industrisë prodhuese. “Ne i shohim ndërmarrësit si parter kyçë në hapjen e vendeve të reja të punës dhe në zhvillim ekonomik. Ndërmarrësit që duan të ngrenë kapacitetet dhe të rrisin punësimin do të mbështeten nga Fondi Zhvillimor. Në këtë bashkërendim të qeverisë tonë me ndërmarrësit, prodhuesit vendorë do të mbështeten veçanërisht në ngritjen e cilësisë, duke shtuar mundësitë për gjetjen e tregut dhe rritur eksportet”.
Njëra nga pikat e kësaj marrëveshjeje është mbyllja e Agjencisë Kosovare të Privatizimit dhe shndërrimi i saj në një agjenci brenda qeverisë. Krijimi i Fondit Sovran dhe atij Zhvillimor dhe fuqizimi i Fondit Garantues të Kredive, janë dy pikat kyçe të programit për ekonomi të marrëveshjes së kësaj qeverie.
“Fondi Sovran do t’i marrë në pronësi asetet strategjike të Republikës së Kosovës, për t’i valorizuar ato, për të mundësuar investime të jashtme dhe qasje në tregjet e huaja të kapitalit. Do të themelojmë Fondin Zhvillimor, bazë e të cilit janë mjetet financiare të privatizimit dhe burime të tjera. Fondi do të synojë mbështetjen financiare të ideve inovative në vend. Do të fuqizojmë Fondin e Kosovës për Garanci Kreditore. Qëllimi i këtij Fondi është garantimi i kredisë, duke ulur kështu nevojën për kolateral për bizneset vendore”, thuhet në marrëveshje. Qeveria e re në aspektin fiskal parashikon ndryshime në Ligjin për të Ardhurat Personale dhe mbledhjen e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar brenda territorit të vendit.
“Partnerët e koalicionit dakordohen për ndryshime në Ligjin për të Ardhurat Personale, në mënyrë që pragu i të ardhurave personale të patatueshme të rritet në mënyrë të konsiderueshme. Nëpërmjet bashkimit të ATK-së dhe Doganave në agjenci të vetme, Agjencinë e të Hyrave të Kosovës, do të kalojmë mbledhjen e TVSH-së nga kufiri në brendi të territorit”. Po ashtu, në marrëveshje tregohet se do të rritet numri inspektorëve të punës me qëllim që të zbatohet programi “8 orë punë”.
Në kuadër të marrëveshjes LVV-LDK, që është nënshkruar nga dy këto subjekte, ato do të udhëheqin me nga gjashtë ministri, nga të cilat katër do të jenë për sektorët e ekonomisë. Lëvizja Vetëvendosje ka emëruar ministër të Financave dhe Transfereve, Besnik Bislimin; ministër të Ekonomisë, Tregtisë dhe Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Investimeve Strategjike, Rozeta Hajdarin. Në anën tjetër, Lidhja Demokratike, ministër të Infrastrukturës dhe Ambientit ka propozuar Lumir Abdixhikun, kurse ministër të Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Besian Mustafën.
Kërkesat e para për qeverinë e Albin Kurtit
Oda Ekonomike e Kosovës ka mirëpritur konstituimin e institucioneve të vendit. Kryetari i këtij institucioni, Berat Rukiçi, ka thënë se qeveria e re duhet ta kompensojë kohën e humbur prej fushatës zgjedhore deri tani, duke treguar edhe se çfarë duhet të jetë prioritet për të në aspektin ekonomik.
“Prioritetet e politikave ekonomike duhet të jenë të qarta dhe të matshme sidomos sa i përket:Hendekut të shkathtësive dhe “ikjes të trurit”;
- Rritjes së eksportit dhe investimeve të huaja direkte;
- Sigurisë juridike për bizneset;
- Qasjes në financa;
- Sektorit të energjisë;
- Luftimit të informalitetit”.
“Oda Ekonomike e Kosovës kërkon nga qeveria e re, që të kompensojë kohën e humbur nga periudha parazgjedhore dhe paszgjedhore, me një dinamikë të shtuar në reformat prioritare ekonomike që synim kryesor duhet të kenë rritjen e sektorit privat në Kosovë, bazuar në parime të qarta të ekonomisë së tregut. Oda Ekonomike e Kosovës do të jetë partner serioz dhe profesional në adresimin e të gjitha temave dhe çështjeve që kanë ndikim në rritjen e sektorit privat në vend dhe njëherësh ofron ekspertizën profesionale në adresimin e tyre”.
Kurse, Klubi i Prodhuesve të Kosovës kërkon që qeveria e re të ketë prioritet zhvillimin ekonomik dhe fuqizimin e sektorit të prodhimit. Klubi me anë të një mesazhi publik kërkon që kjo qeveri të vazhdojë reformën ligjore që të avancojë edhe më tutje sektorin e prodhimit dhe do të mundësojë hapjen e rrugëve të reja për inovacion dhe ekonomi të qëndrueshme.
“Prioritetet e qeverisë në këtë mandat duhet të jenë: sundimi i rendit dhe i ligjit, përmirësimi infrastrukturës, përmirësimi i furnizimit me energji elektrike, adresimi i hendekut të fuqisë punëtore, financimi dhe përkrahja e eksportit, si dhe përkrahja e kompanive kosovare që të bëhen më konkurruese me vendet e rajonit. Klubi i Prodhuesve do të vazhdojë edhe më tej të jetë një urë lidhëse në mes të prodhuesve dhe institucioneve shtetërore dhe do të vazhdojë të kontribuojë në fuqizimin e sektorit të prodhimit dhe zhvillimin e përgjithshëm ekonomik”.
Amerika kërkon heqje të taksës, qeveria do reciprocitet të plotë
Emisari i presidentit amerikan, Donald Trump, për ndërmjetësim në dialogun Kosovë – Serbi, Richard Grenell, ka kërkuar nga qeveria e re e Kosovës, që të heqë sa më shpejt tarifën ndaj produkteve serbe.
Grenell, i cili është edhe ambasador i SHBA-ve në Gjermani, ka thënë për Associated Press: “Presim që tarifat të hiqen menjëherë”.
Ai thotë se është në interesin e Kosovës që ta largojë tarifën prej 100 për qind, që qeveria “Haradinaj” u ka vënë mallrave serbe dhe boshnjake në nëntor të vitit 2018. “Ne ua kemi bërë të qartë të gjithë liderëve partiakë në Kosovës se, heqja e tarifave është në interes të Kosovës dhe të dëshirës për të joshur biznese të reja”, është shprehur Genell. Ndërkaq, i deleguari i Trumpit, i cili së fundmi ka befasuar me ndërmjetësimin në arritjen e marrëveshjes për linjën ajrore Prishtinë – Beograd, paralajmëron lajme të reja.
“Kemi progres. Do të ketë njoftime të reja së shpejti sepse dy palët janë të interesuara të ecin përpara. Këto lëvizje do të krijojnë një jetë më të mirë për popujt e rajonit”, ka thënë Grenell. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pas takimit me shefen e BE-së në Kosovë, Natalia Apostolova, ka përmendur edhe njëherë heqjen e masës 100 për qind si dhe reciprocitetin.
“Ne duhet ta ndërtojmë BE-në si vlerë, si standard brenda vendit tonë, këtë nuk do ta bëjë BE-ja për neve, ata mund të na ndihmojnë dhe duan të na ndihmojnë, mirëpo, bartës të proceseve, udhëheqës duhet të jemi ne vetë. Dhe një ditë, kur të jemi vend anëtar i BE-së, sado e largët që të duket kjo sot, ne nuk do të shkojmë që të jetojmë në BE, por do ta kemi Bashkimin Europian pjesë të jetës tonë këtu, për shkak se institucionet e shoqëria jonë kanë avancuar në aspektin e drejtësisë dhe ekonomisë, pra jemi qeveri, e cila e merr përgjegjësinë që, nga Kosova e cila i përket kontinentit evropian, ta bëjë një shtet që një ditë i bashkohet BE-së”.
I pari i qeverisë tha se me shtetin serb do të kenë reciprocitet dhe për këtë janë dakorduar edhe me Lidhjen Demokratike të Kosovës.
“Ne nuk i vendosim Serbinë dhe Bosnjën në të njëjtën fjali asnjëherë, edhe për qasje historike dhe për arsye aktuale, ne konsiderojmë që jemi këtu ku jemi si qeveri e re edhe për shkak të zotimit tonë që me Serbinë do të kemi reciprocitet politik, ekonomik dhe tregtar si zëvendësim për tarifën 100 për qind. Ne nuk themi që do të kthehemi në marrëdhënie asimetrike me Serbinë, përkundrazi do të avancojmë duke e shndërruar subjektivitetin tonë në çështje integriteti. Edhe LDK, edhe LVV, edhe zonja Osmani, edhe unë, mbi 60% të votave në Kosovë në mesin e shqiptarëve kanë qenë mbi parimin e reciprocitetit, besoj që edhe ata që janë në opozitë, mund të mos pajtohen me mua për gjëra të ndryshme, por, për reciprocitetin janë plotësisht dakord”, ka thënë ai.
Kryetarja e Parlamentit të Kosovës, Vjosa Osmani, në paraqitjen e saj të parë për media ka thënë se taksa 100 për qind ndaj mallrave serbe do të zëvendësohet me reciprocitet të plotë. “Siç e dini, programi i përbashkët i koalicionit qeverisës është prezantuar nga ana e kryeministrit të Kosovës në Kuvendin e Republikës së Kosovës më datën 3 shkurt dhe aty është bërë e qartë që, ashtu siç kemi thënë para qytetarëve, ne besojmë që tarifa duhet të zëvendësohet me masë të reciprocitetit në raport me Serbinë”. Osmani deklaroi se, për ta hequr atë tarifë, Serbia duhet të ndërpresë fushatën që po bën kundër njohjeve të Kosovës.
“Për t’u larguar tarifa, ashtu siç e ka thënë edhe ambasadori i SHBA-ve në Berlin, i cili në të njëjtën kohë është edhe përfaqësues i presidentit Trump për dialog, ambasadori Grenell, ne pajtohemi plotësisht që për t’u larguar tarifa, Serbia duhet të ndërpresë fushatën kundër njohjeve të Kosovës”. Në fund të vitit 2018, qeveria e atëhershme e Kosovës, me në krye Ramush Haradinajn, u ka vënë taksë 100% importeve nga Serbia dhe Bosnje- Hercegovina.
Kjo ka bërë që të ndërpritet dialogu për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë.
Presidenti serb, Aleksandar Vuçiç, është zotuar se nuk do të rikthehet në dialog pa u hequr taksa.
Kjo masë nuk është hequr edhe përkundër thirrjeve të komunitetit ndërkombëtar për ta bërë një gjë të tillë.
Ndarja e pushtetit VV-LDK
Kabineti qeveritar i Kurtit do të ketë 15 ministri, ku gjashtë do të udhëhiqen nga Lëvizja Vetëvendosje, gjashtë nga Lidhja Demokratike e Kosovës dhe tri nga komunitetet pakicë. Për herë të parë që nga formimi i institucioneve të Republikës së Kosovës, në qeverinë e re të drejtuar nga Albin Kurti, që përbëhet nga 15 ministri, pesë prej tyre do to udhëhiqen nga gratë.
Ndërkohë, në krye të Kuvendit të Kosovës është zgjedhur po ashtu një grua, Vjosa Osmani, e cila zëvendëse të parë ka po ashtu një grua, deputeten Arbërie Nagavci. Në seancën për formimin e qeverisë në Kuvendin e Kosovës janë betuar 15 ministrat e qeverisë “Kurti” bashkë me 33 zëvendësministrat.
- Kryeministër i Kosovës – Albin Kurti (VV)
- Zëvendëskryeministër i parë – Avdullah Hoti (LDK)
- Zëvendëskryeministër i dytë – Haki Abazi (VV)
- Ministër i Punëve të Jashtme dhe Diasporë – Glauk Konjufca (VV)
- Ministër i Integrimit Evropian -Blerim Reka (VV)
- Ministre e Drejtësisë – Albulena Haxhiu (VV)
- Ministre e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit – Hykmete Bajrami (LDK)
- Ministër i Financave dhe Transfereve – Besnik Bislimi (VV)
- Ministër i Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike – Agim Veliu (LDK)
- Ministër i Ekonomisë, Punësimit Tregtisë, Industrisë, Ndërrmarrësisë dhe Investimeve Strategjike – Rozeta Hajdari
- (VV)
- Ministër i Mbrojtjes – Anton Çuni (LDK)
- Ministër i Infrastrukturës dhe Ambientit- Lumir Abdixhiku (LDK)
- Ministër i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural – Besian Mustafa (LDK)
- Ministër i Shëndetësisë – Arben Vitia (VV)
- Ministre e Kulturës, Rinisë dhe Sportit – Vlora Dumoshi (LDK)
- Ministre e Administrimit të Pushtetit Lokal – Emilia Rexhepi (Grupi 6+)
- Ministër për Komunitet dhe Kthim – Dalibor Jevtiç (Lista Serbe)
- Ministër për Zhvillim Rajonal – Ivan Millojeviç (Lista Serbe)
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.