Industria ushqimore, pije dhe duhan; Industria kimike e plastike; letra dhe publikimet, janë sektorët që kanë pasur performancën me negative….
Industria ishte një nga sektorët që shënoi performancë negative në tremujorin e tretë 2013, duke qenë një nga faktorët kryesorë në rënien ekonomike me 2.26% me bazë vjetore për të njëjtën periudhë. Sipas INSTAT, Grupi i industrive u ul me 4,6 % në tremujorin e tretë të vitit 2013 krahasuar me tremujorin e tretë të vitit 2012. Ndikimin kryesor në këtë rënie e pati industria përpunuese me rreth 7 %.
Po cilët kanë qenë ato sektorë që kanë shënuar tkurrjen më të madhe. Tabelat e publikuara në statistikat afatshkurtra të INSTAT për tremujorin e tretë japin një ide më të hollësishme të ecurisë së sektorëve.
Sipas INSTAT, performancë pozitive kanë shënuar vetëm industria e veshjeve dhe lëkurë këpucëve, që janë zgjeruar përkatësisht me 24% dhe 16% me bazë vjetore në tremujorin e tretë, me bazë vjetore. Këto dy sektorë po i gëzohen rritjes së interesit të porositësve italianë e gjermanë, që po braktisin Kinën e Lindjen e Mesme dhe po kthehen në punojnë me porosi të vogla e afate të shpejta dorëzimi me partnerët shqiptarë.
Degët e tjera, të grupit të industrisë përpunuese rezultojnë me një performancë tejet negative. Në rënie të thellë prej 70% është industria kimike dhe plastike, duke shënuar tkurrjet më të thellë historike.
Industria e letrës dhe publikimeve ka vijuar performancën negative prej pesë tremujorësh radhazi, duke rënë me 21% në T III.
Një tjetër industri e rëndësishme, ajo ushqimore e pijeve dhe duhanit është tkurrur me 17% me bazë vjetore, edhe kjo performanca më negative, të paktën që nga viti 2009.
Pas një ecuri negative prej disa tremujorësh, industria e mobilieve ka kthyer tendencën, duke u rritur 10% me bazë vjetore në tremujorin e tretë 2013.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.