Çmimet e konsumit në SHBA, u rritën më shpejt se sa pritej muajin e kaluar, në shenjë se lufta për të ngadalësuar inflacionin ka ngecur.
Çmimet u rritën 3.5% gjatë 12 muajve deri në mars, nga 3.2% në shkurt, tha Departamenti i Punës i SHBA.
Rritja u shkaktua nga shpenzimet më të larta për karburantin, strehimin, ushqimin dhe veshjet.
Analistët paralajmëruan se, mungesa e përparimit në frenimin e rritjes së çmimeve, do ta detyrojë bankën qendrore të SHBA, të mbajë normat e interesit më të larta për më gjatë.
Normat më të larta ndihmojnë në stabilizimin e çmimeve, duke e bërë më të shtrenjtë huamarrjen për zgjerimet e biznesit dhe shpenzimet e tjera. Në teori, kjo nga ana tjetër ngadalëson ekonominë dhe lehtëson presionet, që rrisin çmimet.
Norma bazë e interesit e Rezervës Federale, është tani në nivelin më të lartë në më shumë se dy dekada, në intervalin 5.25%-5.5%.
Analistët, kishin pritur që banka të fillonte të ulte kostot e huamarrjes këtë vit, duke reflektuar faktin se norma e inflacionit, e cila ndjek ritmin e rritjes së çmimeve, ka rënë ndjeshëm, që kur arriti në 9.1% në 2022.
Por, të dhënat e fundit ekonomike, përfshirë shifrat e forta të krijimit të vendeve të punës javën e kaluar, kanë ngritur dyshime se sa shpejt, mund të vijnë këto shkurtime.
Aksionet në Wall Street, u mbyllën më poshtë të mërkurën, pasi investitorët prisnin se normat së shpejti mund të uleshin.
Analistët, të cilët dikur prisnin ulje të normave që në mars, kanë rishikuar me shpejtësi parashikimet. Shumë njerëz, që tani nuk presin ndonjë ndryshim deri në fund të kësaj vere, ndërsa disa parashikojnë se banka mund të presë deri vitin e ardhshëm.
Ajo që vendos të bëjë, Fed ka të ngjarë t’i japë formë vendimeve të bankave qendrore në mbarë botën, tha Neil Birrell, drejtuesi i investimeve në Premier Miton Diversified Funds.
Inflacioni u ul me shpejtësi gjatë vitit 2023, pasi problemet e furnizimit të epokës së pandemisë, u shëruan dhe rritja e çmimeve të ushqimeve dhe energjisë, e shkaktuar nga lufta në Ukrainë, u zbeh, por ai ende mbetet më i lartë se objektivi i bankës prej 2%.
Një rritje e çmimeve të naftës në muajt e fundit, ka rritur gjithashtu kostot e energjisë, ndërsa çmimet për shërbimet, tregojnë pak shenja stabilizimi.
Departamenti i Punës, tha se çmimet ishin rritur me 0.4% nga marsi në shkurt, njësoj si në shkurt.
Kostot e larta të benzinës dhe banesave, përbënin më shumë se gjysmën e rritjes.
Sigurimi i makinës, kujdesi mjekësor dhe kostot për internet, gjithashtu kontribuan.
I ashtuquajturi inflacion bazë, i cili shihet nga ekonomistët, si një tregues më i mirë i tendencave të ardhshme, sepse nuk përfshin çmimet më të paqëndrueshme të ushqimeve dhe energjisë, qëndroi në 3.8%, njësoj si në shkurt.
“Ne nuk duhet të reagojmë ndaj rritjes së inflacionit total – i cili ka të bëjë me energjinë”, tha Brian Coulton, kryeekonomist në Fitch Ratings. / BBC