Inflacioni total në SHBA në korrik, u rrit pak nga qershori, duke forcuar mundësinë që Rezerva Federale, të mbajë të qëndrueshme normat e interesit në mbledhjen e ardhshme në shtator.
Byroja e Statistikave të Punës, raportoi se indeksi i çmimeve të konsumit (Consumer Price Index, CPI) u rrit 0.2 për qind nga qershori në korrik, duke bërë një rritje prej 3.2 për qind nga viti në vit, nga norma vjetore prej 3 për qind në qershor. Rritja e lehtë e normës totale vjetore, nuk ka gjasa të ketë rëndësi për tregun, pasi inflacioni në korrik 2022 ishte jashtëzakonisht i butë.
Inflacioni bazë, i cili fshin komponentët e paqëndrueshëm të ushqimit dhe energjisë në përllogaritje, u rrit me 0.2 për qind gjatë korrikut, në të njëjtën normë me muajin e kaluar. Shifra vjetore ishte 4.7 për qind, një ritëm më i ngadaltë se qershori.
Shifrat mujore si për inflacionin total, ashtu edhe për inflacionin bazë, ishin në përputhje me pritshmëritë e Wall Street, ndërsa shifrat vjetore ishin nën pritshmëritë.
Pas arritjes së një norme kulmore prej 9.1 për qind verën e kaluar, shifrat totale të inflacionit i janë afruar objektivit prej 2 për qind të Fed. Inflacioni bazë, megjithatë, ka mbetur i lartë, duke ushtruar presion mbi bankën qendrore të SHBA, për të mbajtur normat e interesit më të larta për më gjatë.
Megjithatë, raporti i korrikut, mund të lehtësojë presionin ndaj Fed, për të rritur më tej normat këtë vit. Ndërsa shifrat janë afërsisht në përputhje me muajin e kaluar, raporti i qershorit shënoi një përmirësim domethënës të inflacionit.
Në pak më shumë se një vit, Fed i ka rritur normat e interesit në nivelin më të lartë të 22 viteve, prej 5.25 deri në 5.5 për qind. Kryetari i Fed-it, Jay Powell, tha muajin e kaluar se banka qendrore, do të vendoste për rritje të mëtejshme të normës takim pas takimi.
Të dhënat e tregut të punës të publikuara javën e kaluar, sugjeruan gjithashtu se fushata agresive e Fed, për të rritur normat e interesit ka ftohur ekonominë amerikane. Rritja e vendeve të punës në SHBA, ishte më e dobët se parashikimi në korrik dhe u rishikua më e ulët, për dy muajt e mëparshëm.
Në raport kishte ende disa prova të presionit inflacionist, megjithatë, me normën e papunësisë, që ra në 3.5 për qind. / The Financial Times