Janë rreth 1.5 miliardë euro që pritet të injektohen në ekonominë shqiptare nga ndërtimi i gazsjellësit Trans Adriatic Pipeline që do të transportojë gaz nga fushat e Shah Deniz drejt Europës, për të ulur varësinë nga Rusia. Në një intervistë për “Monitor”, menaxheri për Shqipërinë i TAP, Shkëlqim Bozgo, jep detaje mbi atë se çfarë po përfiton ekonomia shqiptare dhe si po shkojnë negociatat për rishikimin e marrëveshjes
Ishte 27 shkurti 2012, kur qeveria shqiptare do të ishte e para që do të shpallte publikisht aprovimin për projektin Trans Adriatic Pipeline, edhe pse konsorciumi propozues ishte ende në negociata me Azerbajxhanin dhe partnerët e tjerë për të vendosur për atë që do të ishte rruga më e mirë për të transportuar gazin që ata do të nxirrnin nga viti 2020 e në vazhdimësi.
Shqipëria është një vend me një traditë të hershme në zbulimin e depozitave të gazit, që në vitin 1928, në Fier. Zhvillimi i këtij sektori ndër vite ka siguruar të ardhura, që ishin më shumë përfitime për klasën që qeveriste. Historia do të vazhdonte edhe në vitet më pas.
Në këtë kontekst, TAP u bë ‘ëndrra’ pas së cilës, Shqipëria dhe qeveritë e saj do të kapeshin fort (sikundër vazhdon të ndodhë). Jo rastësisht, vendi ynë ishte i pari që nënshkroi marrëveshjen e vendit pritës (HGA) në vitin 2013.
Shqipëria, deri dje inekzistente, vendosi të presë (me drojë deri diku) një nga investimet më të rëndësishme dhe më të mëdha. Të qenët pjesë e këtij projekti nuk nënkupton vetëm të shërbyerit si një ‘urë’ për Europën, por edhe mundësi për t’u dhënë zgjidhje shumë problemeve, siç është sigurimi i burimeve alternative energjetike.
Me ndërtimin e TAP, gjatë tre viteve të ardhshme parashikohet që PBB-ja e Shqipërisë pritet të rritet me rreth 160 milionë euro. Ndikimin më të lartë, projekti pritet ta ketë në vitin 2017, ku parashikohet të gjenerohen të ardhura në rreth 57 milionë euro, ndërsa do të hapen 4,200 vende pune (të pjesshme dhe me kohë të plotë).
Tri do të jenë aspektet kryesore ku TAP të japë edhe kontributin më të madh: në PBB, në punësim dhe në të ardhurat nga taksat. Ndikimi do të jetë direkt (nga TAP AG), indirekt (aktiviteti nënkontraktues, si dhe shpenzimet e atyre që do të angazhohen në këtë projekt. Faza e ndërtimit do të gjenerojë rreth 157 milionë euro mesatarisht në vit.
Natyrisht, përveç këtyre përfitimeve, do të ketë edhe efekte zinxhir. Parashikohet që ndikimi i projektit do të vazhdojë për një periudhë 50-vjeçare.
Institucionet ndërkombëtare, si Banka Botërore e Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim kanë parashikuar rritje pozitive në rreth 3-3.3% të ekonomisë, shifër e cila i atribuohet edhe ndërtimit të këtij gazsjellësi.
Në anën tjetër, duhet të përmenden edhe përfitimet në aspektin gjeopolitik. TAP, por edhe IAP, e vendos Shqipërinë në një pozicion të favorshëm, duke e konsideruar një pikë kyçe në furnizimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Sektorët ku po ndikon ndërtimi i TAP
Investimi
Vlera totale e investimit parashikohet të jetë 1.5 miliardë euroInfrastruktura
100 km rrugë që do të rehabilitohen
2 ura të reja do të ndërtohen
45 ura do të rehabilitohenImazhi
Prania, zbatimi dhe funksionimi me sukses i një projekti si TAP në Shqipëri është siguri dhe nxitje për shumë investitorë seriozë.Kadastra
Është përditësuar dhe përmirësuar dokumentacioni i 13,000 parcelave, afërsisht 17,000 hektarë. Nga ky proces kanë përfituar afërsisht 25,000 persona që banojnë përgjatë gjurmës së gazsjellësit.Reduktimi i kostos së transportit
Sidomos për zonat e thella të Korçës dhe Skraparit, ndërtimi dhe rehabilitimi i rrugëve dhe urave ka lehtësuar lidhjen me zonat urbane, në disa raste është përgjysmuar koha e transportit. Infrastruktura e re bën të mundur transportin, rritjen e transportit të mallrave dhe të sigurisë.Qiratë
Janë rritur ndjeshëm çmimet e qirave në zonat ku strehohen punëtorët.Ushqimi
Restorantet dhe shërbimet e tjera të përngjashme kanë rritur gjithashtu aktivitetin e tyre, duke rritur të ardhurat, numrin e punonjësve dhe cilësinë e shërbimit që ofrojnë.Përvoja
Po ndikon në krijimin e standardeve të reja për ndërtimin, sigurinë teknike dhe përcjelljen e përvojës më të mirë ndërkombëtare.Praktikat profesionale
Ky është një përfitim që ndikon në rritjen e konkurrencës së kompanive shqiptare dhe punëtorëve (burimeve njerëzore) të përfshirë në projekt. Studentët mund të bëhen pjesë e stafit të TAP, për një kohë të caktuar për të përfituar një përvojë që do t’i shërbejë shumë atyre dhe vendit.Gazifikimi
Në nivel rajonal, TAP krijon kushtet për ndërtimin e projektit IAP që do të mundësojë gazifikimin e mëtejshëm të të gjithë rajonit dhe krijimin e Unazës së Gazit të Komunitetit të Energjisë.Ndikimi social
Për zonat e banuara përgjatë gjurmës së gazsjellësit do të investohet në projekte sociale me qëllim përmirësimin e kushteve të jetesës së banorëve.Punësimi
Aktualisht janë rreth 1,700 të punësuar. Kjo shifër përfaqëson të punësuarit në TAP, te kontraktorët dhe nënkontraktorët. Në të nuk përfshihen pjesa e të punësuarve te nënkontraktorët e vegjël, si agjenci komunikimi, konsulentë etj. Gjithashtu vlerësohet se ka të punësuar në shërbimet shtesë që ofrohen, por mungojnë shifrat e sakta.Fazat e ndërtimit të një gazsjellësi
Studimi
Studime të detajuara mjedisore dhe studime për gjetje të mundshme arkeologjike janë bërë për të përcaktuar teknikat më të përshtatshme të ndërtimit.Pastrimi i hapësirës
Një Korridor Kalimi 38 metra pastrohet dhe përmirësohet së bashku me gjurmën e tubacionit. Shtresa e sipërme e dheut depozitohet në krah të Korridorit të Kalimit për t’u përdorur për kthimin e tokës në gjendjen fillestare.Shtrirja dhe harkimi i tubave
Tubat e çelikut prej 121 cm (48 inç) transportohen me kamion drejt servitutit. Tubat shtrihen njëri pas tjetrit. Për t’iu përshtatur ndryshimeve në terren ose drejtimit të gjurmës, tubave mund t’u jepet hark duke përdorur pajisje të specializuara.Saldimi dhe testimi me rreze X/ultrasonike
Tubi saldohet mbi sipërfaqen e tokës. Të gjitha saldimet iu nënshtrohen testimit automatik ultrasonik për të siguruar se përmbushin standardet kombëtare dhe ndërkombëtare.Hapja e gjurmës
Për tubacionin gërmohet një kanal. Shtresa e sipërme e dheut grumbullohet veçmas për t’u përdorur përgjatë kthimit të terrenit në gjendjen e mëparshme.Ulja poshtë e tubave
Për të ulur tubat e salduar në kanalin e hapur përdoren makineri me vinça në anë. Në përgjithësi, këto makineri shtrijnë njëherësh deri në një kilometër tubacion.Lidhja
Lidhja kryhet kur dy pjesë të tubacionit saldohen bashkë në kanalin e hapur.Mbulimi i tubacionit
Dhe i imët hidhet rreth tubave në gjurmë për të vepruar si mbushje, duke mbrojtur tubacionin. Pas përfundimit të mbushjes anësore gjurma mbulohet dhe ngjishet me dherat e shtresave të poshtme dhe të sipërme.Testimi i trysnisë
Integriteti i tubacionit verifikohet më tej, duke përdorur testimin hidrostatik. Tubacioni pajiset me koka testimi dhe uji pompohet në një trysni më të lartë se trysnia maksimale e lejueshme e gazit gjatë operimit.Rikthimi i tokës në gjendjen fillestare
Korridori i Kalimit rikthehet në gjendjen fillestare sa më shpejt që të jetë e mundur. Kur është e nevojshme, ndërtohen mekanizmat e kontrollit të erozionit dhe shtresa e sipërme e dheut shtesë shpërndahet për të nxitur ruajtjen e dheut dhe rritjen e bimësisë.Sinjalistika
Si masë sigurie, vendosen shenja (vendet e shënjuara) për të paralajmëruar vendndodhjen e tubacionit nën tokë. Gjithashtu, kur është e nevojshme, vendoset pajisja e mbrojtjes katodike.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.