Energjia elektrike e përftuar nga të gjitha burimet, në vitin 2013 u rrit me 16,7 përqind, krahasuar me vitin 2012. Sasia e energjisë së prodhuar dhe asaj të importuar rezultoi 9.310 GWh.
Prodhimi total i energjisë elektrike përbën 75,1 përqind të sasisë gjithsej të energjisë, e cila u rrit me 47,2 përqind. Sasia totale e prodhuar në vitin 2013 është 6.987 GWh nga 4.745 GWh e prodhuar në vitin 2012.
Burimi kryesor i prodhimit të energjisë elektrike është prodhimi nga hidrocentralet. Sasia e energjisë së prodhuar prej tyre është rritur 44,3 përqind krahasuar me vitin paraardhës. Prodhimi nga HEC-et përfaqëson 83,6 përqind të prodhimit gjithsej të energjisë, ndërsa prodhimi i energjisë nga impiantet private e me konçension përbën 16,4 përqind të energjisë në vend. Rritje prej 64,5 përqind pati edhe energjia elektrike e prodhuar nga impiantet private e me konçension krahasuar me një vit më parë. Termocentralet nuk kanë prodhuar energji elektrike gjatë vitit 2013.
Importi (përfshirë këmbimet) i energjisë pati ulje prej 28,1 përqind krahasuar me vitin 2012. Importi në vitin 2013 arriti 2.323 GWh dhe përbën 25,0 përqind të sasisë së energjisë elektrike të përftuar gjithsej nga 40,5 përqind që përbënte një vit më parë. E gjithë sasia vjetore e importit neto prej 171 GWh u krye gjatë tremujorit të parë të vitit 2013.
Eksporti (përfshirë këmbimet) në vitin 2013 përfaqësoi 15,3 përqind të energjisë elektrike të konsumuar, sasia e të cilës rezultoi 1.425 GWh. Sasia vjetore e eksportit neto prej 953 GWh u krye gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2013.
Në krahasim me vitin 2012, humbjet në rrjet janë rritur 1,7 përqind, nga 3.250 GWh në 3.306 GWh. Ato përbëjnë 35,5 përqind të sasisë së energjisë për përdorim. Humbjet në shpërndarje përbëjnë 96,7 përqind të sasisë së energjisë së humbur në rrjet, të cilat rezultuan me rritje 3,8 përqind.ne tremujorin e katert u shenua nje rritje e metejshme e humbjeve, pas uljes se tyre ne treujorin e trete.
Përdorimi i energjisë elektrike nga konsumatorët në vitin 2013 është rritur 4,2 përqind krahasuar me vitin 2012. Sasia e disponueshme për konsum final arriti vlerën 4.551 GWh nga 4.369 GWh në 2012 dhe përbën 48,9 përqind të sasisë gjithsej të energjisë elektrike për përdorim.
Konsumi final i energjisë i konsumuar nga familjet dhe konsumatorët e tjerë u rrit respektivisht 4,9 përqind dhe 3,4 përqind krahasuar me vitin parardhës.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.