Në një përpjekje për të luftuar evazionin fiskal që bëhej përmes fryrjes së shpenzimeve, financat kanë propozuar që të kufizojnë njohjen e interesave, si shpenzim i zbritshëm, deri në 30% të të ardhurave të tatueshme para interesit dhe tatimeve
Interesat që paguhen për kreditë apo huatë te të tretët nuk do të njihen si shpenzime të njohura nëse teprica e shpenzimit neto të interesit tejkalon 30% të të ardhurave të tatueshme para interesit dhe tatimeve, sipas një ndryshimi të fundit të parashikuar në ligjin për tatimin mbi të ardhurat.
Më parë, interesat nuk njiheshin si shpenzime të zbritshme, nëse huaja dhe parapagimi tejkalonin mesatarisht katër herë shumën e kapitaleve të veta.
Sipas relacionit që shoqëron këtë ndryshim, “Financimi me borxhe shumë të larta i shoqërive, sidomos nga jashtë vendit apo nga kompani të lidhura, është shkak për një erozion të papranueshëm të bazës së të ardhurave të tyre, pasi interesi mbi borxhin, ndryshe nga dividendi, është i zbritshëm për qëllime tatimore. Në këtë mënyrë, shpesh shoqëritë kontribuojnë me borxh ndaj bijave përkundrejt rritjes së kapitalit”.
Për këtë qëllim, projektligji propozon ndryshim në rregullat për njohjen e shpenzimit të interesit për qëllime tatimore.
Aktualisht, në zbatim të pikës 2, të nenit 21, të ligjit nr. 8438, datë 28.12.1998 “Për tatimin mbi të ardhurat”, të ndryshuar, përcaktohet se nëse gjatë periudhës tatimore, huaja dhe parapagimi tejkalojnë mesatarisht katër herë shumën e kapitaleve të veta, interesi i paguar për shumën e tejkaluar nuk njihet si shpenzim i zbritshëm.
Ky parashikim e lidh njohjen e shpenzimit të interesit me kapitalet e veta. Ky rregull i thjeshtë i kapitalizimit që bazohet në raportin borxh/kapital, synon të zëvendësohet me një rregull tjetër, i cili bazohet në fitimin përpara interesit dhe tatimeve dhe e lidh shpenzimin e interesit edhe me tepricën ndërmjet shpenzimeve të interesit me të ardhurat nga interesi, thuhet në relacion.
Skema e shmangies së bizneseve
Në relacion shpjegohet edhe skema se si bizneset shmangnin taksat, duke rritur në mënyrë fiktive shpenzimet për interesa.
Duke qenë se njohja e shpenzimeve të interesit ndikon në uljen e së ardhurës së tatueshme, kjo mënyrë ndihmon subjektet që, me anë të marrjes së borxhit, edhe në rast se nuk paraqitet nevojshmëria për financim me anë të borxhit të rrisin shpenzimet. Financimi mund të kryhet nëpërmjet palëve jo të lidhur, siç janë bankat ose edhe nëpërmjet palëve të lidhur apo mëma, e cila mund të jetë rasti i një shoqërie multinacionale, e cila, për çdo rast, ka leverdi më shumë nëse financon me borxh sesa me kapital, duke qenë se dividendi është i taksueshëm.
Për këtë qëllim, ky projektligj propozon ndryshim në rregullat për njohjen e shpenzimeve të borxhit.
Metoda që propozohet është më bashkëkohore dhe më e lehtë për t’u administruar. Ajo propozon rishikimin e mënyrës së njohjes së shpenzimeve të interesit për borxhin e marrë nga shoqëritë pranë institucioneve financiare apo shoqërive të tjera. Kjo metodë bazohet në tepricën e interesit neto (shpenzim i interesit – interes i fituar) në raport me fitimin e tatueshëm përpara interesit dhe tatimit. Në këtë mënyrë, krijohen masa parandaluese për marrjen e borxhit nga shoqëritë, me qëllim përfitimin nga zbritja e shpenzimeve për qëllime të uljes së bazës së tatueshme.
Sipas kësaj metode do të njihen shpenzimet e interesit, nëse teprica e interesit neto (shpenzimet e interesit minus interesi i arkëtuar) në rast se ato nuk kalojnë 30% të fitimit para interesave dhe tatimeve (EBIT).
Në këtë mënyrë, shoqëritë do të incentivohen për të paraqitur pasqyra financiare sa më reale, me qëllim përfitimin e zbritjes së shpenzimeve të interesit.
Në nenin 2 të projektligjit parashikohen rregulla për kapitalizimin në nivel të ulët. Konkretisht, parashikohen rregulla për njohjen e shpenzimeve të interesit për qëllime të llogaritjes së tatimfitimit.
Sipas parashikimeve të propozuara në këtë nen, shpenzimet e interesit nuk do të njihen si shpenzime të njohura, nëse teprica e shpenzimit neto të interesit tejkalon 30% të të ardhurave të tatueshme para interesit dhe tatimeve, të ardhura këto të përcaktuara në bazë të pasqyrave financiare të hartuara në përputhje me rregullat kontabël dhe përcaktimeve të këtij ligji.
Tepricë e shpenzimit të interesit neto, kuptohet teprica që del nga diferenca e shpenzimeve të interesit me të ardhurat nga interesi. Pra, nëse një shoqëri ka të ardhura nga interesi, p.sh., nga depozita apo huadhënie, atëherë këto të ardhura duhet t’u zbriten shpenzimeve të interesit të paguar për huamarrje. Në këtë mënyrë, nëse teprica e interesit neto tejkalon 30% të të ardhurave të tatueshme përpara interesit dhe tatimeve, ai nuk do të njihet si shpenzim i zbritshëm.
Çdo shpenzim interesi, që nuk është i zbritshëm sipas paragrafit 1 të këtij neni, mund të bartet deri në 5 vjet, përveçse nëse 25% të aksioneve ose të të drejtave të votimit në entitet, janë transferuar. Pra, në rast se interesi neto e kalon 30% të EBIT, atëherë tatimpaguesit do t’i jepet mundësia të mbartë shpenzimet e interesit në vitet e ardhshme. Kjo mënyrë i lejon shoqëritë të njohin shpenzimet e interesit në bazë të fitimit të tyre para interesave dhe tatimit, dhe nuk e lidh më me kapitalin e shoqërisë siç është në ligjin aktual.
Përcaktimet e këtij neni nuk aplikohen për bankat, institucionet financiare jo bankë të kredidhënies.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.