Investimet e kompanive publiken të energjisë janë ndalur për momentin për shkak të situatës së emergjencës në furnizim me energji e cila pritet të zgjasë deri në 15 prill 2022.
Por pas kësaj periudhe edhe pse pritet të ketë një vendimmarrje të re sipas situatës, kompanitë duket se do të vazhdojnë normalisht me planet e tyre. Operatori i Sistemit të Shpërndarjes (pjesë e OSHEE Group) ka parashikuar që për vitin aktual investimet të jenë 10.5 miliardë lekë apo 86 milionë euro.
“Plani i 2022 i paraqitur është parashikuar 10.598 mld lekë me investimet e domosdoshme të cilat kërkojmë të konsiderohen edhe në kuadrin e aplikimit për tarifën e vitit 2022. Plani i investimeve i vitit 2022 është i lidhur me planin e vitit 2021 pasi është vazhdimësia e investimeve të nisura.
Në kuadrin e situatës së krijuar nga gjendja e jashtëzakonshme e furnizimit me energji elektrike VKM 584/2021 frenimi i investimeve për shoqërinë ku duhet të kryhen vetëm investimet që do të gjykohen të domosdoshme VKM datë 10.12.2021 për ndryshimin e nivelit të humbjeve do të parashikohen në ndryshimet e nevojshme të planeve 2021-2022, 5 vjeçarin 2018-2022 si dhe përgatitjen e planit 5 vjeçar të ardhshëm 2023-2027” thuhet në dokument.
I njëjti dokument jep specifika edhe mbi investimet e bëra në rrjet sa i takon instalimit të matësve jo-intervalorë dhe intervalorë që shërbejnë për matje të energjisë elektrike të konsumatorëve fundorë sipas niveleve të tensionit . Në total për nivelin e tensionit 0.4 kv janë mbi 112 mijë matësa, për 6 kv 152 matësa, për 10 kv 210 matësa dhe për 20 dhe 35 kv 320 dhe 65 kv.
Kushtet teknike që duhet të plotësohen për bizneset në tregun e liberalizuar janë plotësuar sipas OSHEE për 7418 ku shumica janë biznese në tension 10 kv me 2821 biznese, më pas vijnë ato me 6 kv 2803 dhe 20 kv 1794. Këto janë ato biznese që aktualisht po funksionojnë me liberalizim të pjesshëm që do të thotë po furnizohen jo me çmime të rregulluara por me çmime preferencialë më të larta se tregu i rregulluar por më të ulëta sesa ai i lirë. Çmimi i tyre është rezultante e çmimit 12 lekë për sasinë që sigurohet nga kontrata me KESH bashkuar me çmimin e energjisë që sigurohet nga tregu i lirë që plotësojnë kërkesën totale./N.Maho
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.