Si të kombinohet përvoja, profesionalizmi italian në shumë fusha me energjinë dhe nevojën që ka sot Shqipëria drejt integrimit në Bashkimin Europian, duke përthithur fondet e BE-së, si dhe njohja dhe përhapja e kulturës shqiptare në Itali. Ky ka qenë qëllimi i vizitës me shumë takime që një delegacion nga krahina e Marche-s, një prej krahinave më të pasura në Itali, ka pasur në Shqipëri. Merrnin pjesë përfaqësues nga bashki, Konfindustria, Kooperativat bujqësore të zonës etj.
Në Entin Kombëtar të Banesave ku ka qenë takimi i parë, drejtori shqiptar i këtij Enti, Stefan Çipa shprehu nevojën që ka Shqipëria për përvojën e madhe që një vend si Italia ka me banesat popullore. Kryetari i bashkisë së Villefoglia, Ucchielli, u shpreh se “në qytetin që unë drejtoj, shumë shtëpi që kushtojnë lirë, i blejmë dhe i kthejmë në shtëpi komune”. Më tej ai shtoi se “gjithmonë e më shumë po përdorim drurin për ndërtimin e shtëpive, shkollave, kopshteve për fëmijë”.
Një tjetër takim ishte tek Drejtoria e Postës Shqiptare, ku drejtori i saj, Laert Duraj shprehu nevojën e bashkëpunimit sidomos në shërbimin postar ndaj bizneseve, fushë në të cilën Italia ka shumë përvojë. “Deri tani kemi shërbim në shtëpi në 50% të familjeve shqiptare. Duam që këtë shifër ta bëjmë 50%”, shtoi Duraj. Nga ana e tyre, përfaqësuesit italianë ofruan edhe përvojën e tyre në fushën e brendit, markave, materialeve të trendit më të fundit.
Dhe u nënshkrua një memorandum i parë bashkëpunimi për shtim të marrëdhënieve ekonomike, sociale e kulturore mes qyteteve të Durrësit dhe Villefoglia-s, një qytet midis Pesaro dhe Urbino-s ky, që bën pjesë në provincat më të bukura të Italisë, por edhe me industri të zhvilluar. “Jemi këtu për të ofruar bashkëpunimin tonë në fushën e përpunimit të drurit, qelqit, mekanikës, në agrikulturë etj”, u shpreh kryetari i bashkisë së Villefoglia-s, senatori Palmiro Ucchielli, i cili ftoi kryebashkiaken e Durrësit, Valbona Sako për një vizitë në Villefoglia, për të njohur nga afër edhe komunitetin shqiptar prej 350 vetësh që punon e jeton në atë qytet apo kanë krijuar ndërmarrjet e tyre. Nga ana e saj, kryetarja e bashkisë së Durrësit, Valbon Sako, pasi falenderoi qeverinë italiane për qëndrimin e saj për çeljen e negociatave për Shqipërinë në BE, e pasi theksoi se sa të lidhur janë shpirtërisht shqiptarët me Italinë, u shpreh se “kemi nevojë për një bashkëpunim të tillë, shumë shpejt do të shohim konkretisht se cilat do të jenë fushat e bashkëpunimit me interes të përbashkët”.
Kryebashkiaku Palmiro Ucchielli u shpreh: “Qytetet tona janë qytete europiane, e ndihmojnë bashkimin e Europës e të bëjmë sa mundemi që Shqipëria të hyjë sa më shpejt në Europë. Miqësia dhe bashkëpunimi mes sistemeve produktive mendojmë që të rrisin qytetet tona, rrisin mirëqenien. Këto dy anë të të njëjtit det ngjajnë shumë. Duket sikur jemi në shtëpinë tonë. Jemi shumë të lumtur. Ne kemi një komunitet të rëndësishëm shqiptarësh në Itali që punojnë. Janë rrënjët e Papa Albanit në Shqipëri por edhe në anët tona. Edhe ky diell i bukur sot në Durrës premton shumë për të ardhmen tone”.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.