Ndërsa burimet zyrtare të KQZ kanë publikuar një përqindje të votuesve të zgjedhjeve të 21 qershoritprej rreth 48%,- e llogaritur kjo mbi numrin e votuesve mbi 18 vjeç të regjistruar, përfshirë dhe ata që nuk jetojnë në Shqipëri (emigrantët) -, Monitor ka përpunuar të dhënat e INSTAT për të nxjerrë përqindjen e votuesve mbi popullsinë rezidente (që banon në Shqipëri) mbi moshën 18 vjeç.
Sipas të dhënave të Census të INSTAT, përpunuar nga Monitor, rezulton se popullsia rezidente mbi 18 vjeç është 2.2 milionë banorë, apo 65.4% e zgjedhësve të regjistruar. Sipas KQZ janë rreth 3.36 milionë zgjedhës të regjistruar në të gjithë Shqipërinë. Diferenca prej 1.16 milionë banorësh nuk është rezidente në Shqipëri.
Po nga të dhënat e KQZ, rezulton se në zgjedhjet e 21 qershorit kanë votuar gjithsej 1.56 milionë zgjedhës, rreth 48% të zgjedhësve të regjistruar gjithsej. Në raport me rezidentët, pjesmarrja e votimit ngjitet në total vendi në 71%. Në këto llogaritje nuk janë marrë parasysh emigrantët që mund të jënë kthyer për të votuar.
Sipas qarqeve, pjesmarrja më e lartë e votuesve, në raport me banorët rezidentë rezulton në Gjirokastër, 107.5%, çka nënkupton se një numër i madh emigrantësh janë kthyer në shtëpitë e tyre për të votuar (mediat kanë shkuar për shtim të numrit të autobusëve që hyjnë nga pikat kufitare në jug të vendit).
Përqindja më e ulët e votuesve në raport me banorët rezidentë është regjistruar në Shkodër, me rreth 59% të totalit.
Situatë më interesante është në Vlorë, ku pjesëmarrja e votimit sipas KQZ ishte më e ulëta, në vetëm 37%. Por, sipas INSTAT, rezulton se rezidentët kanë votuar masivisht, me një pjesmarrje prej 79%. Diferenca e lartë lidhet me faktin se vetëm 46% e zgjedhësve të regjistruar jetojnë në qytetin bregdetar, që njihet për nivel të lartë emigracioni.
Në mënyrë të ngjashme në Durrës, pjesmarrja e votimit ngjitet nga 47% sipas KQZ, në rreth 63% sipas popullsisë rezidente.
Për Tiranën, përqindja e votimit ishte 50% e zgjedhësve të regjistruar dhe 66%, sipas rezidentëve.
Të dhënat e plota për 12 qarqet i gjeni në tabelat dhe grafikun e mëposhtëm (në llogaritjet sipas qarqeve nuk janë marrë parasysh lëvizjet e zgjedhësve nga një qytet në tjetrin muajin e fundit, si psh në Durrës, apo Vorë):
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.