Kompania multinacionale e cigareve JTI (Japan Tobacco international) pohoi për ‘Monitor’ nëpërmjet burimeve zyrtare se mbështesin të gjitha iniciativat e qeverisë në luftën kundër tregtisë ilegale të duhanit dhe tregut të zi në përgjithësi. Rritja e tregut ilegal të duhanit dhe e në veçanti, rritja e duhanit të dredhur, kanë rezultuar në uljen minimum 20% të tregut legal dhe humbje në të hyrat në buxhet. Kompania beson që tre janë prioritetet më të rëndësishme për të arritur objektivin e luftës ndaj ilegalitetit në industrinë e duhanit.
Kompania sugjeron se së pari, është stabiliteti i akcizës dhe vazhdueshmëria e saj sipas një plani (kalendari i akcizës) të miratuar me ligjin ekzistues. “Prandaj ne besojmë që nuk duhet të ketë ndryshime të tjera për nivelin e akcizës për një periudhë afatmesme pas dyfishimit të akcizës në tetor të vitit të kaluar”.
Së dyti, kompania rekomandon tolerancë zero ndaj administratës publike për sa i takon evazionit në të gjitha nivelet. Është më se e qartë që shitjet e produkteve të ndryshme në rrugë apo në dyqane, shpesh këto janë dhe produkte duhani, janë burim që gjeneron evazion fiskal. “Ne e kemi mirëpritur njoftimin e qeverisë dhe Ministrisë së Financave që do të marrin masa drastike kundër këtij problemi, si dhe forcimin e legjislacionit të taksave, veçanërisht të TVSH-së deri te niveli i pikave të shumicës dhe pikat e shitjes me pakicë”, pohoi zyra e Komunikimit e Japan Tobacco international
JTI bën thirrje për trajtim të barabartë dhe të ndershëm të të gjithë lojtarëve të tregut, në veçanti në drejtim të zbatimit të legjislacionit të taksave. “Për shembull, praktika jonë tregon që është e pamundur të rimbursohemi për TVSH-në, megjithëse e drejta e rimbursimit jepet nga ligje e vendime të ndryshme për TVSH-në. Qartësisht këto shqetësime janë si rezultat i mosfunksionimit të sistemit të TVSH-së dhe përqindjes së lartë të ekonomisë informale siç e përshkroi z. Rama këto ditë se 1/3 e bizneseve në vend nuk kanë kasa fiskale, ndërsa rreth 50% e atyre që i kanë, nuk lëshojnë kuponë fiskalë. I kërkojmë qeverisë të forcojë legjislacionin dhe të paguajë kërkesat për TVSH kompanive që janë të rregullta në pagesën e të gjitha taksave, kështu që paguesit e rregullt të taksave mbështeten për mirësjelljen e tyre pozitive në të gjithë ekonominë e Shqipërisë. Në të kundërt, sistemi i taksave do të favorizojë ekonominë infomale më shumë sesa kompanitë që i kryejnë detyrimet e tyre brenda afateve te përcaktuara”, – pohon më tej në qëndrim e saj për çështjet e evazionit JTI.
JTI propozon si ndërhyrje të tretë, që për një kohë më të gjatë, është me rëndësi të ndërpriten të gjitha burimet e duhanit dhe cigareve ilegale. “Meqë Shqipëria është vend ku rritet duhani, ne besojmë që forcimi i kontrollit të prodhimit, duke përfshirë dhe licencimin e kultivuesve të duhanit, është një parakusht i nevojshëm për parandalimin e evazionit të taksave. Po kështu, tregtia e produkteve për tymosje siç janë letrat dhe filtrat, mund të licencohen me qëllim që të krijohet mundësia kontrollit të tyre dhe të mos mbështetet konsumi i produkteve ilegale”,- këshillon më tej, JTI.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.