Kroacia është gati t’i bashkohet Eurozonës, tha të mërkurën Komisioni Europian, duke i hapur rrugën vendit ballkanik që të adoptojë euron nga fillimi i vitit 2023 dhe të bëhet shteti i 20-të europian që përdor monedhën e përbashkët.
Pasi vlerësimi i Komisionit të miratohet nga liderit e BE-së në qershor, ministrat e financave të BE-së do të përcaktojnë në korrik kursin e këmbimit me të cilin monedha e Kroacisë, kuna, do të konvertohet në euro më 1 janar 2023.
Kroacia do të ketë më pas gjashtë muaj për përgatitjet praktike për ndryshimin e monedhës.
“Sot, Komisioni Europian ka arritur në përfundimin se Kroacia është gati të adoptojë euron më 1 janar 2023, duke e çuar numrin e shteteve anëtare të Eurozonës në 20,” thuhet në deklaratë.
Për të adoptuar euron, Kroacia, një anëtare e BE-së që nga viti 2013, duhej të përmbushte kriteret e stabilitetit të çmimeve dhe kursit të këmbimit, menaxhimin e deficitit buxhetor dhe borxhit publik dhe normave afatgjata të interesit, të gjitha të matura me standardet e BE-së.
Komisioni shqyrtoi gjithashtu integrimin e tij ekonomik dhe konvergjencën me pjesën tjetër të Eurozonës, duke përfshirë tendencat e bilancit të pagesave dhe integrimin e produkteve të tij, të punës dhe tregjeve financiare dhe verifikoi që ligjet e tij të bankës qendrore janë në përputhje me ligjet e Eurozonës në Bankën Qendrore Europiane (BQE)./ Reuters