Kërkesa është për vila të vogla dhe të mesme, çmimet në rritje

31/07/2018 4:30 PM 0 komente

Flasin Juliana Nela, Broker RE/MAX Koncept dhe BesardRusi, Broker i RE/MAX Infinity

 

Në periferi të kryeqytetit kërkesa më e lartë është për vila të mesme dhe të vogla, pohon Juliana Nela, Broker e agjencisë së pasurive të paluajtshme, RE/MAX Koncept. Ajo shton se çmimi i vilave është rritur ndjeshëm, duke arritur në 1600 euro/m2.

Besard Rusi, Broker i RE/MAX Infinity, pohon se në bregdet, çmimet e vilave që luhaten nga 1500-2000 euro/m2 konsiderohen të shtrenjta dhe konkurrohemi nga Mali i Zi, Kroacia, Greqia, që ofrojnë çmime të ngjashme dhe kanë një infrastrukturë shumë më të mirë sesa tonën si dhe nje prezantim më të hershëm e të konsoliduar në tregun ndërkombëtar.

Si ka qenë kërkesa dhe oferta në tregun e vilave?

Juliana Nela: Kërkesa aktuale i referohet kryesisht komplekseve rezidenciale, në të cilat janë trajtuar me kujdes ambientet e përbashkëta dhe infrastruktura. Kjo mundëson daljen nga qyteti, pluhuri dhe zhurma, duke patur akses shumë të mirë e shpejtësi për të shkuar në qendër të qytetit me pak ose aspak trafik.
Preferohen kryesisht vilat e vogla ose të mesme, me oborr të madh. Privatësia dhe qetësia janë ndër arsyet kryesore për rritjen e kërkeses. Gjithashtu, krahasuar me avantazhet dhe çmimin e apartamenteve në qendër të Tiranës, janë zgjedhje e mençur.

Cilat kërkohen më shumë, vilat brenda zonave urbane apo rurale? Cili është qëllimi kryesor i përdorimit tëtyre?

Juliana Nela: Preferohen kryesisht vilat në zona periferike të Tiranës, me akses të shpejtë dhe pranë Qendrave Komerciale. Përdoren kryesisht si banesë e parë/kryesore. Rritja e kërkesës i referohet kryesisht këtij profili. Por, nuk mungojnë edhe kërkesat për vilë plazhi.

Si është oferta nga aktorët e tregut për këtë produkt të tregut të pasurive të paluajtshme?

Julana Nela: Vitet e fundit është vënë re një rritje e ofertës në përgjigje të shtimit të kërkesës. Kërkesat specifike, që blerësit potencialë kanë, nuk janë plotësuar në çdo rast duke sjellë në disa komplekse edhe rritje të stokut në pritje të blerësve. Çmimi për metër katror është rritur konsiderueshëm, duke arritur deri në 1.600 Euro/m2 ndërtim.

Cilat janë zonat kryesore ku po zhvillohet ndërtimi i vilave?

Juliana Nela: Zonat kryesore janë Sauk, Mjull-Bathore, Liqeni i Thatë, Farka. Në zonën bregdetare, zhvillim më të madh nëkomplekse rezidenciale ka patur Gjiri i Lalzit dhe së fundmi në Dhërmi.

Si variojnë çmimet e vilave në Tiranë dhe në bregdet?

Besard Rusi: Çmimet e vilave në Tirane variojnë nga 800 – 1.600 Euro/m2 ndërtim në varësi të kompleksit, vendndodhjes, reputacionit, cilesisë së ndërtimit, lehtësive që ofrojnë dhe densitetit. Çmimet e vilave në Gjirin e Lalëzit variojnë 800 – 1500 euro/m2. Çmimi ndryshon sipas afërsisë të vilave me vijën e parë të bregdetit, cilësisë, densitetit dhe politikës së kompanisë ndërtuese për të aplikuar një çmim më të ulët apo më të lartë, referuar perceptimit të tyre për kompleksin.

Përveç çmimit të ndërtimit aplikohet edhe një pagesë shtesë për pjesën e truallit të vilës. Çmimet e truallit variojnë nga 60 deri 100 Euro/m2.

Në tregun e pasurive të paluajtshme a shikohen vilat si një produkt me qëllim investimi (për t’u hedhur në tregun e qirasë apo për rishitje)?

Juliana Nela: Kërkesa kryesore është për përdorim vetjak. Rastet që të merret një vilë për investim janë më të rralla. Megjithatë pritet të ndërtohet ky trend për shkak të çmimit shumë të lartë të qirasë në Bregdet. Çmimet së fundmi në komplekset prestigjioze janë nga 100 -150 Euro/natë.

Në zonën e bregdetit të Jugut, oferta është shtuar për sa u përket vilave, duke qenë se disa kompani po zhvillojnë projekte më vila. A ka rrezik që kjo të krijojë mbiofertë në tregun e vilave në Shqipëri? Si mund të ndikojë në nivelin e çmimeve?

Juliana Nela: Kërkesa për vila dhe për ndërtime cilësore në Jug është e lartë. Por cmimet më të cilat janë propozuar këto projekte janë shumë të larta nga 1’500 – 2000 Euro/m2. Kjo ka bërë që tregu të jetë në konkurrencë edhe me vende të rajonit si Greqia ose Kroacia, Mali i Zi që ofrojnë çmime të ngjashme por kanë edhe infrastrukturë më të mirë se ne dhe disa avantazhe të tjera, ndër të cilat prania e tyre në panaire e vëmendjen e tregut ndërkombëtar të turizmit si dhe një reputacion më i mirë.
Kërkohet një promovim total i bregdetit Jonian në kanale ndërkombëtare marketimi si dhe një rritje e përgjithshme e imazhit të Shqipërisë në tregun ndërkombëtar. Kjo do të lehtësonte shitjen e tyre.

Cilët kategori blerësish kanë interes në blerjen e vilave?

Besard Rusi: Blerësit kryesorë të vilave nëpër komplekset e mëdha që po ndërtohen si në jug si dhe tek Gjiri i Lalëzit janë Shqiptarë nga (Kosova, Maqedonia dhe Shqipëria) që aktualisht jetojnë dhe punojnë nëpër vendet e Bashkimit Europian, si Gjermania, Belgjika, Danimarka, Austria ose nga Zvicra.

Janë familje me tre ose katër pjesëtarë dhe janë pjesë e shtresës të mesme në shtetet ku jetojnë.
Edhe blerësit nga Shqipëria ose Kosova nuk mungojnë por tregu i Kosovës është i orientuar kryesisht drejt Apartamenteve. Blerësit nga Shqipëria i përkasin shtresës të lartë të shoqërisë dhe shpesh janë pronarë biznesesh të mëdha ose profesionistë të lirë si Avokatë, Noterë, Mjekë.

Bleresit e huaj realë janë të pakët sepse këto rezidenca me vila janë akoma në fazat e ndërtimit dhe të huajt kanë kërkesë për Vila të përfunduara me Hipotekë dhe infrastrukturë të përfunduar.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of