Kontrolli i Lartë i Shtetit njofton se nga data 11.4.2012 deri më 24.5.2012 ka kryer auditim të ligjshmërisë dhe rregullshmërisë financiare në Autoritetin e Aviacionit Civil, për periudhën e veprimtarisë 1.9.2010 deri më 29.2.2012. Në përfundim të këtij auditimi, Grupi i auditimit të KLSH ka konstatuar dhe raportuar një sërë mangësish, parregullsish dhe shkelje të dispozitave ligjore në fuqi, madje dhe me pasojë dëm ekonomik.
Zbulimet dhe përfundimet e këtij kontrolli tregojnë se, menaxhimi dhe administrimi nga ana e stafit drejtues dhe punonjësit e ngarkuar të AAC është shoqëruar në mjaft raste me mosrespektim dhe moszbatim të akteve ligjore, nënligjore dhe rregullative në fuqi.
Më konkretisht:
- Mangësi dhe parregullsi në identifikimin dhe planifikimin e nevojave për mallra, shërbime e punime ndërtimi, si dhe në zbatimin e procedurave për prokurimin e tyre në përputhje me ligjin nr. 9643, datë 20.11.2006 “Për prokurimin publik” i ndryshuar dhe VKM nr. 1, datë 10.01.2007, “Për rregullat e prokurimit publik”, i ndryshuar.
Mossigurimi i profesionalizmit të kërkuar për shqyrtimin dhe vlerësimin e ofertave; anulimin dhe përsëritjen disa herë të procedurave të prokurimit, gjë që ka sjellë që nevojat për mallra dhe shërbime të mos jenë koherente; mangësitë në hartimin e kërkesave të veçanta për kualifikim për të siguruar konkurrencën e nevojshme dhe për të arritur rezultatet e duhura në përdorimin e fondeve publike; nënshkrimi dhe marrja në dorëzim në mënyrë fiktive nga komisioni i marrjes në dorëzim të mallrave dhe shërbimeve; mospërgatitja e raporteve përmbledhës për korrektësinë dhe cilësinë e zbatimit të kontratave etj.
- Mangësi në hartimin e programeve vjetore të punës, tremujore, mujore dhe në dokumentimin e punës së bërë për zbatimin e këtyre programeve, nëpërmjet raporteve përkatëse të administruara në formë të shkruar në arkivin e AAC.
- Marrja e vendimeve nga Këshilli Drejtues i AAC në kundërshtim me dispozitat ligjore në fuqi, si VKM nr. 870, datë 14.12.2011 “Për mbulimin e shpenzimeve të udhëtimeve dhe dietat për punonjësit e ministrive dhe të institucioneve buxhetore, kur dalin jashtë shtetit” dhe nr. 864, datë 23.07.2010 “Për pajisjen me numër telefoni celular të personave juridik”.
- Mos hartimi i programeve ekonomike financiare bazuar në nevojat dhe mundësitë reale të AAC.
- Mos hartimi dhe mosparaqitja për miratim te Ministri i MPPT i tarifave që duhet të zbatohen nga AAC, për shërbimet që duhen kryer në zbatim të nenit 9, pika 2, të ligjit nr. 10040, datë 22.12.2008 “Kodi Ajror i RSH” dhe neneve 6, 17 të ligjit nr. 10233, datë 11.02.2010 “Për Autoritetin e Aviacionit Civil”, gjë e cila është shoqëruar me efekte financiare negative në të ardhurat e AAC-së në vlerën 1,986,116 Euro, duke favorizuar kompanitë ajrore “Belle Air” dhe “Albanian Airlines”.
- Mosparashikimi i të ardhurave nga udhëtimet Charter, duke i kaluar ato në udhëtime Schedule, me pasojë dëm ekonomik në vlerën 405,650 Euro, veprim ky në kundërshtim me vendimin e KM nr. 492, datë 30.6.2005 “Për caktimin e tarifave të shërbimeve…………….në AAC”.
- Mosbashkëpunimi dhe mosrakordimi ndërmjet AAC dhe Aeroportit Ndërkombëtar “Nënë Tereza” Rinas, lidhur me numrin e pasagjerëve të terminuar, për të cilët aplikohet tarifa e sigurisë 2 Euro për çdo pasagjer të hyrë dhe dalë nga Aeroporti (25 % e të cilës merret nga AAC), me pasojë dëm ekonomik në vitet 2010-2011, në vlerën 10,761 Euro.
- Moszbatimi i kushteve të kontratës të lidhur me një fondacion shqiptar (drejtuesit e së cilës janë në lidhje të afërta me ish Drejtorin e AAC), ku nga auditimi me zgjedhje, vetëm për muajin nëntor 2011 është konstatuar një diferencë me pasojë dëm ekonomik, ndërmjet ditëve (FT) të parashikuara në kontratë me ditët e punuara dhe të likuiduara, e cila llogaritetn në vlerën 4,386,666 lekë.
- Mosvendosja e një database financiare për të përmirësuar raportimin dhe për t’i shërbyer me koherence sistemit financiar të drejtorisë.
- Mangësitë në administrimin dhe ruajtjen e vlerave materiale e monetare të ACC dhe mosinformimi për gjendjen dhe lëvizjen e mjeteve materiale e monetare.
- Mosprogramimi i strategjisë për menaxhimin dhe zhvillimin e burimeve njerëzore, përfshirë rekrutimin dhe politikat e përzgjedhjes, të trajnimit, motivimit, zhvillimit, vlerësimit të performancës dhe çështje të menaxhimit të cilësisë etj.
Përsa më sipër, vlera totale e shkeljeve të dispozitave ligjore në fuqi, me pasojë efekte financiare negative llogariten në vlerën 1,986,116 Euro; ndërsa me pasojë dëm ekonomik për buxhetin e AAC në vlerën 8,586,666 lekë dhe 416,411 Euro.
Për përmirësimin e gjëndjes, KLSH ka rekomanduar 32 masa organizative nga më të ndryshmet, duke filluar nga shfuqizimi i vendimeve të Këshillit Drejtues, hartimi dhe miratimi i programeve të studjuara ekonomike financiare, zbatimi me rigorozitet i procedurave dhe përcaktimeve ligjore për prokurimin publik, miradministrimi i të ardhurave dhe shpenzimeve, bërja e propozimeve për miratim të tarifave të parashikuara në dispozitat ligjore për aviacionin civil, mirëfunksionimi i kontrollit të brendshëm dhe deri në zhvillimin e burimeve njerëzore, identifikimin e nevojave dhe trajnimin e stafit.
Përsa i përket masave për shpërblimin e dëmit ekonomik të shkaktuar, KLSH ka kërkuar që AAC të kërkojë në rrugë ligjore, duke ndjekur të gjitha procedurat e nevojshme administrative dhe të gjitha shkallët e gjykimit, arkëtimin e të ardhurave në udhëtimet Charter në vlerën 405,650 Euro, nga kompanitë ajrore “Belle Air” dhe “Albanian Airlines”; arkëtimin e dëmit ekonomik në vlerën 4,386,666 lekë, shkaktuar nga fondacioni “Akademia e Aeronautikës Shqiptare”, si pasojë e diferencës së ditëve të parashikuara në kontratë me ditët e punuara dhe të likuiduara; arkëtimin e dëmit ekonomik në vlerën 10,761 Euro, shkaktuar si pasojë e mosaplikimit të tarifës së sigurisë 2 Euro për çdo pasagjer të hyrë dhe dalë nga Aeroporti Ndërkombëtar “Nënë Tereza”. Gjithashtu, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve duhet të kërkojë në rrugë administrative nga fondacioni “Akademia e Aeronautikës Shqiptare”, pagesën e detyrimit tatimor shkaktuar si pasojë e mosderdhjes së t.v.sh.-së në vlerën 4,200,000 lekë.
Lidhur me masat disiplinore, KLSH ka rekomanduar, fillimin e procedures për:
“Largim nga puna në Autoritet” për Zv/ Drejtorin Ekzekutiv, në cilësinë e titullarit të autoritetit kontraktor (i autorizuar); dhe
“Paralajmërim me shkrim për largim nga puna me afat shlyerje 1 vit” e “Vërejtje me shkrim me afat shlyerje 6 ( gjashtë) muaj”, për 26 punonjës, masa të cilat mund të thellohen nga Drejtori Ekzekutiv i AAC, në varësi të shkallës së parregullsive dhe shkeljeve të shkaktuara nga secili punonjës i përgjegjësuar në Raportin Përfundimtar të Auditimit.
Për ish Drejtorin Ekzekutiv masa disiplinore “largim nga puna në autoritet” konsiderohet e ezauruar, për shkak se Ministri i Punëve Publike dhe Transportit e ka larguar nga puna në AAC.
Referuar parregullsive dhe shkeljeve të ndryshme të konstatuara në prokurimet me vlerë të vogël dhe të lartë për periudhën 01.09.2010-29.02.2012, si dhe përgjegjësisë individuale të evidentuar dhe pasqyruar për çdo praktikë, bazuar në nenin 13 dhe 72, të ligjit nr. 9643, datë 20.11.2006 “Për prokurimin publik” i ndryshuar dhe VKM nr. 1, datë 10.01.2007 “Për rregullat e prokurimit publik” i ndryshuar, KLSH i ka kërkuar Agjencisë së Prokurimit Publik që të vlerësojë shkeljet e konstatuara dhe të marrë masat administrative e disiplinore respektive për 13 punonjës.
Nga vlerësimi i veprimtarisë dhe referuar shkeljeve të sipërcituar të shoqëruar me dëme ekonomike dhe efekte financiare negative për AAC, konstatohen elementë të veprave penale, ndaj për këtë KLSH mbështetur në nenin 248 “Shpërdorimi i detyrës” dhe nenin 258 “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, ka depozituar dy kallëzime penale në organet e prokurorisë për Ish Drejtorin e AAC dhe Zv/ Drejtorit Ekzekutiv në cilësinë e Titullarit të autoritetit kontraktor (i autorizuar).
Në kuadër të zbatimit të Marrëveshjes së Bashkëpunimit të lidhur ndërmjet KLSH dhe Inspektoriatit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive në datën 2.3.2012, i kemi sugjeruar këtij Inspektoriati të verifikojë konfliktin e interesit ndërmjet ish Drejtorit të AAC me themeluesit e fondacionit “Akademia e Aeronautikës Shqiptare”.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.