Ndryshimi në ligjin për taksat kombëtare në lidhje me taksimin e një grupi produktesh, që shërbejnë si lëndë e parë për disa industri prodhuese në vend, ka alarmuar prodhuesit. Për disa prej tyre, taksimi me 25 lekë për kilogramë të lëndës së parë të importuar rrit kostot operative deri në 70%. Operatorët e prekur thonë se për shkak të këtij ndryshimi, ata bëhen jo konkurrues si për tregjet ku eksportojnë, po ashtu edhe në tregun vendas. Edhe pse ky ndryshim në ligj është reflektuar, ata shpresojnë se Ministria e Financave do të nxjerrë një udhëzim për t’i lehtësuar nga kjo barrë fiskale.
Nga Ledina Loga
Ndonëse lënda e parë e porositur për kompaninë Izoterm ka mbërritur prej javësh, ajo qëndron në magazinat doganore në port. Izoterm operon prej më shumë se 20 vjetësh në tregun e izolimit termik të banesave. Drejtuesi i kompanisë, Neritan Malo, shpjegon se për të kryer izolimin i duhet të importojë polisterol, lëndë që është miqësore ndaj mjedisit dhe bën pjesë në Kodin 39 të nomenklaturës së mallrave. Prej 1 janarit, çdo lëndë e parë e importuar, që bën pjesë në Kod, taksohet me 25 lekë për kilogram.
Për shkak të taksës, Malo shprehet se kostot vjetore të biznesit të tij do të rriten me rreth 150 mijë euro. Kjo do të prekë vendet e reja potenciale të punës, si dhe do të kufizojë investimet në fabrikë. Deri më tani, Malo thotë se ka investuar rreth 1.5 milionë euro në makineri dhe pajisje. Përveç vështirësive brenda vendit, ai pohon se po hasin vështirësi edhe me eksportet. Izoterm është distributor kryesor në rajon, por për shkak të procedurës së vështirë të rimbursimit e shikon tepër të vështirë vazhdimin normal të aktivitetit.
“Ky ndryshim në taksë prej 25 lek/kg lëndë e parë ose 35 lek/kg për produkt të gatshëm që përfshin polisterolin është shkatërrues për biznesin e termoizolimit. Janë miratuar ligje (i fundit nëntor 2016) që detyrojnë ndërtuesit apo individët që të përdorin termoizolimin në ndërtesa me qëllim eficencën e energjisë në ndërtesa dhe reduktimin e emetimit CO2 në mjedis dhe tani vendosin “taksë luksi” që do të variojë nga 4-12 euro/1m³ polisterol EPS ose XPS në varësi të tipit dhe cilësisë,- tha Malo për “Monitor”.
Ndërsa Europa po shkon drejt subvencionimit të plotë për të bërë godinat eficiente në energji dhe kjo është një nga qëllimet kryesore për zhvillimin e qëndrueshëm, Shqipëria po shkon në kahun e kundërt.
“Është shteti i vetëm në Europë dhe më gjerë që vendos të tilla taksa katastrofë për produktet ekologjike dhe me ndikim të jashtëzakonshëm për reduktim deri në 60% të humbjeve të energjisë në ndërtesa. Europa i subvencionon deri në 60% të investimit të tyre individët, bizneset që aplikojnë termoizolimin në ndërtesa.
Ky veprim kaq i verbër ka pasoja shkatërruese për operatorët e këtij biznesi, duhet theksuar që deri para 3-4 vitesh ky treg ka qenë inekzistent për arsye se ndërtuesit nuk donin të harxhonin dhe individët nuk kishin informacion teknik për përfitimet nga ndërtesat ekologjike”, – shprehet Malo. Megjithatë, biznesi i termoizolimit nuk është i vetmi që po preket nga ndryshimi në taksën kombëtare, të cilat sipas operatorëve të prekur, janë marrë pa u konsultuar me ta.
Teqja International sh.a., prodhon tuba plastikë për tregun vendas që prej vitit 2004. Tubat përdoren kryesisht për instalimet hidraulike të ujit të pijshëm në banesa. Lënda e parë kryesore për prodhimin e tyre, gjithashtu është pjesë e Kodit 39. Petrit Keqaj, administrator i kompanisë, përllogarit se kostot vjetore nga ky ndryshim i beftë në ligj janë 1 milion euro.
Ndryshimi i papritur ka alarmuar të gjithë prodhuesit. Petrit Keqaj, biznesi i të cilit është ndër më të prekurit për shkak se volumi në peshë i lëndës së parë është më i lartë, thotë se për shkak të taksës do të detyrohet që të rrisë çmimet për produktin final. Prodhimi në këtë kompani aktualisht ka ndalur duke qenë se operatorët presin udhëzime nga Ministria. Petrit Keqaj i kontaktuar nga “Monitor” shprehet se taksa do të sjellë humbje dhe ndryshimi do të favorizojë importin.
Prodhuesit shqiptarë bëhen më pak konkurrues, presin zgjidhje nga shteti
Me vendosjen e taksës së re, operatorët e tregut thonë se jo vetëm prodhimet vendase do të bëhen më të shtrenjta, por njëkohësisht me to do të bëhen më të lira importet.
Flexo Alb është një tjetër biznes që do të preket nga ndryshimi i taksës. Kompania merret me prodhimin e produkteve për ambalazhim, 100% të biodegradueshme. Edmond Bami, drejtues i kompanisë, i kontaktuar nga “Monitor”, tha se aktualisht kompania ka ndaluar eksportet dhe se kjo taksë nuk ekziston në asnjë vend tjetër në botë. Kostot operative në kompaninë Flexo Alb do të rriten me 15% të totalit. Sipas zotit Bami, kostot do të shtohen deri në 70% të totalit për biznese të tjera, për shkak të sasisë së lëndës së parë që iu duhet për prodhim. Ai përllogarit se i duhen rreth 200 tonë lëndë e parë dhe ka 40 të punësuar. “Kjo do të na e bëjë të pamundur që të zgjerohemi në 2019-n”,- shprehet Bami.
Ndërkohë që presin zgjidhje nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë, burime për “Monitor” thonë se janë në bisedime me palët e prekura, ato i kanë dërguar edhe një shkresë zyrës së BE-së dhe bankës gjermane KFW, të cilat japin fonde për eficiencën në energji. Në letër shkruhet se taksa do të rrisë çmimin për produktet e eficiencës në energji në nivele të larta, të papërballueshme për konsumatorët shqiptarë.
Taksën do ta paguajë konsumatori final
Xhavit Rraja, i cili drejton kompaninë O.Z.B. të prodhimit të sfungjerëve, thotë për “Monitor” se për të përballuar kostot e shtuara, do të detyrohen që të rrisin çmimin final. Sfungjerët e prodhuar janë 100% material i riciklueshëm dhe të parrezikshëm për mjedisin. Për çdo kontejner me lëndë të parë, ai duhet të paguajë rreth 500 mijë lekë më shumë për shkak të taksës. Edhe pse rritja e çmimeve është një mundësi, ai thotë se për shkak të kësaj mund të humbasim klientë.
I të njëjtit mendim është edhe Neritan Malo, i cili vepron në biznesin e termoizolimit. Për shkak të kulturës së vakët në ndërtim në Shqipëri, termoizolimi ka njohur rritjen më të madhe vetëm në tre vitet e fundit.
Zoti Malo thotë se në vitet e fundit është rritur interesi për të pasur shtëpi me eficiencë energjie. Një tjetër faktor që nxiti sektorin ishte edhe ligji për eficiencën e energjisë së ndërtesave. Një shtëpi kursen deri në 60% të energjisë. Në total, i gjithë tregu i termoizolimit përllogarit një qarkullim prej 22 milionë eurosh dhe ka një peshë në punësim. Vetëm në kompaninë e Neritan Malos janë rreth 50 të punësuar. Megjithatë ai druhet se me rritjen e çmimeve për produktin final, do të ulet kërkesa për të pasur shtëpi me izolim termik.
Për kompaninë Izoterm, kostot do të rriten nga 3-10 euro për metër kub për produktin final. Duke qenë se tregu i termoizolimit është në zhvillim, i pakonsoliduar, efekti i taksës nuk do të sillte vetëm dëmtimin financiar të kompanisë, por edhe rënie investimesh dhe numrit të të punësuarve.
Kodi 39 i nomenklaturës përbëhet nga 26 kategori të mëdha produktesh. Sipas ligjit për taksat kombëtare, në nenin 4 ku përcaktohet niveli i taksave kombëtare, pika 8 thotë se “taksa e materialeve/artikujve plastikë dhe e ambalazheve plastike të importuara në kapitullin 39, të NKM-së, është 35 lekë/kg, me përjashtim të lëndëve të para në forma primare, të importuara në krerët 3901 deri në 3914, të NKM-së”.
Ndërsa në pikën 8.1 “përcaktohet se taksa e lëndëve të para në forma primare, të importuara në krerët 3901 deri në 3914, të NKM-së, dhe që përdoret për prodhimin në vend të produkteve të plastikës është 25 lekë/kg”.
Sipas Dhomës së Bashkimit të Prodhuesve Shqiptarë, nga ky ndryshim në ligj preken kryesisht importuesit e lëndëve të para nga Kodi 3901 deri në Kodin 3914, të cilat janë kryesisht lëndë e parë polisterol dhe nënprodukte të tij, që përdoren në industri të ndryshme si: prodhimi i tubave plastike, termoizolimi, prodhimi i sfungjerëve, prodhimi i materialeve të ndërtimit, prodhimi i ambalazheve të plastmasës dhe prodhimit të bojërave.
Në 2017-n, importi i lëndëve që përmban Kodi 39, ku përfshihen artikujt e plastikës, ishte rreth 209 milionë dollarë, sipas të dhënave nga Doganat. Lëndët e para të prodhimit të polisterolit dhe produktet e gatshme që vijnë nga importi, zënë rreth 18% të totalit të Kodit tarifor 39.
Operatorët e prekur thonë se kur u përcaktua në ligj se taksa do të prekë të gjithë produktet e Kodit 39, nuk kanë pasur asnjë të dhënë se çfarë prodhohet me këto lëndë të para, një analizë teknike apo ndikimin negativ ekonomik te firmat prodhuese që nuk kanë lidhje me ambalazhet.
Duke ju referuar të dhënave të operatorëve për vitin 2017 në lidhje me totalin e importeve të lëndëve të para dhe produkte të gatshme:
-Janë importuar rreth 3250 tonë lëndë të para për prodhimin e polisterolit që i takojnë Kodit tarifor 3903. Nga të dhënat e doganës për vitin 2017, vlera tregtare e importuar e Kodit 3903 ishte 4 milionë dollarë.
Ndërsa produkte të gatshme EPS dhe XPS që i takojnë kodeve tarifore 3921 1100 dhe 3920 3000 të konvertuara janë 1,016,000 kg apo 1,016 tonë. Vlera që do të paguajnë prodhuesit për lëndën e parë është 3.250.000 kg x 25 lekë/kg = 81,250,000 lekë ose 655.000 euro.
Ndërsa vlera që do të paguajnë importuesit e prodhimit të gatshëm është 1.016.000 kg x 35 = 35,560,000 lekë, ose 287,000 euro.
Pra, në total kosto shtesë të imponuara ndaj operatorëve tregut të polisterolit EPS dhe XPS janë afërsisht 942,000 euro duke iu referuar të dhënave për vitin 2017. Operatorët e tregut pohojnë se për vitin 2018 ka pasur rritje konsumi dhe normalisht ka ngarkesë më të lartë fiskale prej taksës.
Prodhuesit të alarmuar
Bashkimi i Prodhuesve Shqiptarë e ka ngritur edhe më herët shqetësimin për ndryshimin në taksën kombëtare, pjesë e Paketës Fiskale 2019. Ndryshimi, që takson me 25 lekë/kg prodhimin vendas dhe 35 lekë/kg prodhimet e importuara që përfshihen në Kodin 39 të nomenklaturës, ka sjellë jo pak shqetësim për sektorë dhe industri të ndryshme, nga riciklimi deri te prodhuesit e materialeve të ndërtimit.
Sipas Dhomës së Bashkimit të Prodhuesve Shqiptarë, prodhuesit vendas do të vihen përballë një rreziku të madh në aspektin ekonomiko-financiar të subjekteve të tyre, duke çuar deri në mbyllje të aktiviteteve prodhuese.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.